Pochettino: Në pjesën e parë mbajtëm mendjen shumë te kualifikimi, pastaj ishim shumë luftarak
PSG-ja e mbylli në barazim 1-1 takimin e mbrëmjes së kaluar përballë Barcelonës dhe u kualifikua në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve falë fitores 1-4 në “Camp Nou”. Trajneri i nënkampionëve të Evropës, Mauricio Pochettino analizoi sfidën ndaj katalanasve.
“Vuajtëm shumë në pjesën e parë. Ishte një test psikologjik, pasi folëm shumë me njëri-tjetrin rreth përmbysjeve që kanë ndodhur në të kaluarën. Në pjesën e dytë treguam një tjetër fytyrë, ishim më luftarakë. Në pjesën e parë e mbajtëm mendjen më shumë seç duhet te kualifikimi. I kërkova djemve të luanin futboll dhe të harronin gjithçka tjetër. Sigurisht që nuk isha i kënaqur me atë që po bënin. Rëndësi ka që u kualifikuam”, ka thënë Pochetino.
“Duhet t’i heqim qafe mendimet negative. Barcelona rrezikoi shumë, kjo edhe për shkak të humbjes 1-4 në takimin e parë. Navas? Ai i shfaqi edhe njëherë tjetër të gjithë aftësitë e tij, është një portier i nivelit të lartë”, ka deklaruar Pochettino.
I vetmi shqetësim për trajnerin argjentinas është Alessandro Florenzi. “Xholi” italian sapo ishte kthyer nga një dëmtim, por pësoi një tjetër mbrëmjen e kaluar dhe u largua nga fusha në minutën e 76-të.