Pochettino refuzon Realin
Reali i Madridit dështoi sërish në përpjekjen për të sjellë në “Santiago Bernabeu” trajnerin Mauricio Pochettino.
Klubi “merengues” arriti deri aty sa t’i ofronte trajnerit argjentinas një kontratë me pagë prej 18 milionë eurosh në sezon, por pa mundur dot ta joshte atë. Në fakt, Pochettino nuk ngurroi të refuzojë këtë ofertë marramendëse të kampionëve në fuqi të Evropës, duke preferuar qëndrimin te Tottenhami.
Sipas asaj që publikohet te tabloidi “The Sun”, Pochettino ishte zgjedhja e parë e Florentino Perezit për stolin e Realit të Madridit, pas shkarkimit të Julen Lopeteguit. Në të vërtetë, ai kërkoi shërbimet e argjentinasit edhe gjatë muajve të verës, por pa mundur dot ta bindte atë që të linte skuadrën londineze Hotspurs.
Pas kësaj, emisarët e Realit të Madridit u rishfaqën në derën e Pochettinos, por ky i fundit i la sërish duarbosh me refuzimin e tij, kjo edhe për shkak të krizës që po përjeton aktualisht bordi drejtues i “Los Blancos”, raporton “tch”.
Në këtë pikë, Realit të Madridit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të presë përfundimin e sezonit për të bërë ofensivën e radhës për Pochettinon, me shpresën që gjatë kësaj kohe të prishen raportet e mrekullueshme që trajneri ka me Tottenhamin.