Podujeva do ta ketë një grua kryetare, 50 për qind e ekipit tim do të jenë gra

31 gusht 2021 | 10:58

Kandidatja e PDK-së për kryetare të komunës së Podujevës, Floretë Zejnullahu, ka shprehur bindjen se më 17 tetor llapjanët do ta votojnë atë për kryetare të kësaj komune. Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ajo ka thënë se me qeverisjen e saj do t’ua kthejë dinjitetin qytetarëve të kësaj komune. Sipas saj, ndryshimi në këtë komunë vjen vetëm me qeverisjen e PDK-së. Zejnullahu është zotuar se ndryshimin do ta nisë nga zyra e saj. Ajo ka bërë me dije se ekipi i saj do të përbëhet 50 për qind nga gratë

Muhamet KOCI

Kandidatja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetare të komunës së Podujevës, Floretë Zejnullahu, ka shprehur bindjen për fitore më 17 tetor. Ajo ka treguar se bashkë me ekipin e saj janë duke e finalizuar një program shumë praktik dhe të realizueshëm për Podujevën.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Zejnullahu ka deklaruar se epiqendër e këtij programi do të jetë qytetari. “Unë jam e bindur se Podujeva do ta ketë një grua kryetare. Mendoj se është koha dhe qytetarët do ta dëshmojnë këtë, jo për faktin se është në pyetje një grua, por çka kam dëshmuar gjatë tërë këtyre viteve me këmbëngulje, me punë dhe e palëkundur për të mirën e Podujevës”, ka thënë ajo.

Zejnullahu ka vlerësuar se përparimi i kësaj komune vjen vetëm me qeverisjen e PDK-së. “Qytetarët e Podujevës e kanë jetuar qeverisjen e LDK-së dhe të LV-së, por asnjë përparim nuk ka ndodhur. Përparimi vjen vetëm përmes ndryshimit dhe jo ripërsëritjes së të njëjtave gabime. Podujeva ka humbur shumë nga këto gabime. Duhet ndryshim. Llapi dhe Podujeva përparimin e kanë përjetuar vetëm nga qeverisja e PDK-së në nivel nacional, nga koha kur PDK-ja ka udhëhequr Qeverinë e Kosovës për Podujevën janë investuar mbi 62 milionë euro”, ka deklaruar Zejnullahu.

Ajo është zotuar se me qeverisjen e saj në Podujevë do të sjellë projekte që do t’ua kthejnë dinjitetin llapjanëve. “Podujevën do ta bëjmë me Zonë Ekonomike, do të hapim mundësi që shumë biznese të hapen aty dhe të krijohen vende të reja të punës. Bizneset që janë larguar nga Podujeva do t’i kthejmë në qytetin tonë. Fokus do të kemi në investimet në infrastrukturë, arsim dhe bujqësi”, ka deklaruar ajo, duke i siguruar qytetarët e Podujevës se ndryshimi do të nisë nga zyra e saj. “Nuk do ta kenë një kryetare të komunës që shikon nga lart, por do të jem në shërbim të ofrimit të zgjedhjes së problemeve duke marrë shembujt më të mirë. Gratë do të kenë hapësirë në udhëheqjen e re në Podujevë. Ekipi im do të përbehet nga 50 % gra. Ekip im dhe unë do të punojmë me transparencë që prej ditës së parë. Për këtë jam zotuar dhe qytetarët e dinë këtë”, ka thënë ajo.

 

“Epoka e re”: Floretë Zejnullahu, a mund të na tregoni për lexuesit e gazetës “Epoka e re” se kush është Floretë Zejnullahu?
Zejnullahu: Unë jam Floretë Zejnullahu, jetoj në fshatin Lladoc të Podujevës, kam përfunduar studimet master në Fakultetin e Mjekësisë, drejtimi Farmaci. Angazhimi im politik ka filluar së pari si anëtare e Rinisë Demokratike të Kosovës, më pas kam qenë asambliste në komunën e Podujevës. Falë besimit të qytetarëve për dy mandate kam arritur të zgjedhem deputete në Kuvendin e Kosovës. Gjithashtu, për një mandat kam shërbyer dhe si anëtare e Kryesisë së PDK-së në nivel nacional.

 “Epoka e re”: Pse vendosët të garoni për kryetare të komunës së Podujevës?
Zejnullahu: Unë i kam hyrë garës sepse besoj se Podujeva ka nevojë për dikë që i njeh problemet e Podujevës. Kandidatura ime shpreh vullnetin dhe dëshirën time dhe të PDK-së, që me përgatitjen time, dijen, përvojën dhe përkushtimin t’i shërbejë qytetin tim dhe qytetarëve. U ndjeva e obliguar ndaj Podujevës sepse jam e sigurt se qyteti im ka nevojë që njerëzit e saj të veprojnë dhe punojnë për të mirën dhe zhvillimin e saj. U binda se Podujeva ka nevojë për një kryetare me një qasje bashkëpunuese, me një përvojë dhe me një njohje të mirë të problemeve të bashkëqytetarëve, pasi që në mënyrë të vazhdueshme i kam adresuar si asambliste në Kuvendin Komunal, por edhe si deputete në Kuvendin e Kosovës, pa marrë parasysh se kush ka qeverisë në Podujevë. Oferta dhe përkrahja e fuqishme nga Partia Demokratike e Kosovës më dha kurajë më të madhe që t’i hyj garës për kryetare të Podujevës, që të vazhdoj të punoj dhe ndihmoj qytetin tim dhe qytetarët e tij. Vendimi nuk ka qenë edhe aq i lehtë, por e kam vlerësuar si domosdoshmëri që përvojën time ta vë në shërbim të qytetit tim. Podujeva e meriton një qeverisje shumë më të mirë sesa që e kemi përjetuar deri më tani.

“Epoka e re”: Ju jeni mbesa e heroit Hakif Zejnullahu. Sa do t’ju ndihmojë kjo në këtë garë?
Zejnullahu: Jam e bindur që të ardhmen do të mund ta ndërtojmë duke nderuar dhe respektuar të kaluarën. Kjo rrugë është sfidë e madhe, por jam e bindur që familja ime, të gjithë qytetarët dhe unë do të dalim faqebardhë. Ideali i familjes sonë, i personifikuar me patriotizëm dhe luftë për lirinë dhe shtetin e Kosovës, është krenari dhe nder, por këtë ideal nuk do ta përdor në asnjë moment për përfitime politike. Xhaxhi im, shokët e tij dhe secili luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë bërë luftë të shenjtë dhe unë gjithmonë do të përkulem me nder e respekt para veprës së tyre. Ata u ngritën në këmbë për të gjithë ne. Falë tyre në sot jetojmë të lirë, jetojmë në shtetin e Kosovës dhe e kemi amanet ta ruajmë, ndërtojmë e zhvillojmë atë.

 “Epoka e re”: Pse llapjanët duhet t’ju votojnë ju dhe PDK-në ditën e zgjedhjeve?
Zejnullahu: Podujeva duhet të përjetojë ndryshimin e madh, këtë ndryshim e kërkojnë llapjanët. Në Podujevë na duhet vizion i ri, drejtimi i ri, energji të reja. Me punë, plan konkret dhe transparencë e qeverisje me duar të pastra mbi të gjitha, Podujeva do të përjetojë ndryshime të mëdha. Unë do t’i sjell Podujevës projekte inovative të cilat do të garantojnë më shumë mundësi për të rinjtë, vende pune e hapje të bizneseve, investime në sport e kulturë, dhe do të garantoj më shumë barazi për qytetarët. Do të investojmë në bujqësi dhe në krijimin e Zonës Ekonomike për Llapin. Mendoj me një qasje çfarë kam unë, me një vizion të cilin e kam, shumë të qartë, se si duhet të jetë dhe të funksionoj qeverisja e ardhshme e Podujevës, që në epiqendër ka qytetarin, do ta bëjmë ndryshimin e merituar.

“Epoka e re”: Kjo komunë tradicionalisht ka qenë bastion i LDK-së, ndërsa tani qeveriset nga LV-ja. Si është qeverisur kjo komunë nga këto dy parti?
Zejnullahu: Kandidatët i respektoj të gjithë, do të jetë një garë interesante. Unë jam e bindur se Podujeva do ta ketë një grua kryetare. Mendoj se është koha dhe qytetarët do ta dëshmojnë këtë, jo për faktin se është një pyetje një grua, por çka kam dëshmuar gjatë tërë këtyre viteve me këmbëngulje, me punë dhe e palëkundur për të mirën e Podujevës. Qytetarët e Podujevës e kanë jetuar qeverisjen e LDK-së dhe LV-së, por asnjë përparim nuk ka ndodhur. Përparimi vjen vetëm përmes ndryshimit dhe jo ripërsëritjes të të njëjtave gabime. Podujeva ka humbur shumë nga këto gabime. Duhet ndryshim. Llapi dhe Podujeva përparim e ka përjetuar vetëm nga qeverisja e PDK-së në nivel nacional. Nga koha kur PDK-ja ka udhëhequr Qeverinë e Kosovës për Podujevën janë investuar mbi 62 milionë euro. Është koha që Podujeva të qeveriset nga ne edhe në nivelin lokal. Unë këtë garë e shoh edhe si një përpjekje të përbashkët me të gjithë qytetarët që dëshirojnë që Podujeva jonë të jetë qytet i të gjithëve. Kjo nuk është garë për një post. Është garë e qytetarëve për qytetin.

 “Epoka e re”: Cila është oferta juaj për Podujevën dhe çfarë pritje keni për 17 tetorin?
Zejnullahu: Ne po finalizojmë një program shumë praktik, shumë real, i kapshëm dhe i realizueshëm ku, përveç të tjerash, do të ketë në epiqendër qytetarin, me theks të veçantë të rinjtë. Të rinjtë janë e tashmja, nuk janë thjesht vetëm e ardhmja, tash duhet të investohet në ta, që ata të jenë liderë të së ardhmes. Garantoj se në Podujevë do të sjell disa projekte jashtëzakonisht të mira, që do të ndihmojnë këtë vend dhe t’u kthehet dinjiteti të gjithë llapjanëve. Podujevën do ta bëjmë me Zonë Ekonomike. do të hapim mundësi që shumë biznese të hapen aty dhe të krijohen vende të reja të punës. Bizneset që janë larguar nga Podujeva do t’i kthejmë në qytetin tonë. Fokus do të kemi investimet në infrastrukturë, arsim dhe bujqësi. Qytetarët e Podujevës i siguroj se ndryshimi i parë do të nisë nga zyra ime. Nuk do ta kenë një kryetare të komunës që shikon nga lart, por do të jem në shërbim të ofrimit të zgjedhjes së problemeve duke marrë shembujt më të mirë. Gratë do të kenë hapësirë në udhëheqjen e re në Podujevë. Ekipi im do të përbëhet nga 50 për qind gra. Ekipi im dhe unë do të punojmë me transparencë që prej ditës së parë. Për këtë jam zotuar dhe qytetarët e dinë këtë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi italian, Moise Kean është kthyer në Juventus në huazim…