Podujeva do të bëhet me spital të përgjithshëm
Komuna e Podujevës ka dhënë në shfrytëzim afatgjatë pronën e paluajtshme për ndërtimin e Spitalit të Përgjithshëm të Podujevës për Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.
Kontrata është nënshkruar sot nga drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, dr. Basri Sejdiu dhe kryetari i komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari.
Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshje ishte prezent edhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës që vijnë nga komuna e Podujevës.
Parashihet që ShSKUK-ja të hartojë projektin zbatues dhe të ndërtojë objektin e ri të Spitalit të Përgjithshëm në komunën e Podujevës, si dhe ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për funksionalizimin e tij.
Pas funksionalizimit, i njëjti organizohet, mirëmbahet, menaxhohet dhe administrohet nga SHSKUK, konform legjislacionit përkatës në fuqi.
Të pranishmit në këtë aktivitet e vlerësuan të domosdoshëm dhe shumë të rëndësishëm ndërtimin këtij spitalit në mënyrë që banorët e Podujevës të kenë qasje në shërbimet shëndetësore.
(Qendresa Rama)