Poet i qëndresës, dashurisë dhe individualitetit krijues
Maxhun Osmanaj
Përsiatje letrare(Sabit Rrustemit me rastin e 40-vjetorit të krijimtarisë letrare)
(Prolog për dashurinë)
Të shtegtosh 40 vjet në krijimtari dhe, krahas këtij shtegtimi, të lësh një gjurmë të ndritur me një opus dhe individualitet të pasur letrar, nuk është edhe aq e lehtë. T’i këndosh jetës edhe atëherë kur të kthehet bumerang nga faktorët shoqërorë të kohës, është qëndresë dhe stoicizëm shpirti. T’i këndosh dashurisë edhe atëherë kur të ka ikur, të ka harruar apo ta thërrasësh dashurinë si bar-shërim për qëndresë dhe hapërim, është një forcë dhe motiv jete.
Sabit Rrustemi. Një emër, tashmë i njohur, poet modern i brezit të vet, prozator dhe publicist, autor i disa vëllimeve poetike dhe tregimeve, i prezantuar në disa antologji kombëtare, i nderuar me shumë çmime letrare, si në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri, i shpërblyer në vitin 2013 nga Ministria për Kulturë, Rini e Sport e Republikës së Kosovës me çmimin vjetor për letërsi për librin me poezi “Murale shpirti”. Pos të tjerash, i vlerësuar lart edhe nga kritika letrare shqiptare. Ky është një portret i shkurtër letrar i Sabit Rrustemit (1959).
Në fund të dhjetorit të vitit 2017, Gjilani dhe ARS klub “Beqir Musliu” ia festuan poetit 40-vjetorin e krijimtarisë, i bënë një nder jubilar, aq më shumë kur ky autor me dekada i dha letërsisë dhe shoqërisë vlera, angazhim dhe veprimtari letrare, intelektuale mjedisit ku jetoi, veproi dhe letërsisë në përgjithësi. Sa është një nderim, po aq një meritë për njeriun e letrave shqipe që në çdo kohë ishte shtegtar i pathyeshëm i pandalshëm edhe kur e ndaluan drejt hapërimeve kah udhëtonte dhe frymonte edhe Atdheu i tij, Kosova.
(Dashuria, jeta, vdekja)
Gjatë krijimtarisë letrare, nuk njohim autorë, të cilët kush më shumë e kush më pak të mos kanë shkruar poezi të dashurisë. Pikërisht dashuria ka qenë është dhe do të jetë një “magnet” që tërheq dy pole ekstreme. I bashkon dhe ruan stabilitetin shpirtëror të njeriut. Prandaj, nuk është e habitshme, që secilit krijues, tema e dashurisë i bëhet pjesë e pandashme, bashkudhëtar i përjetshëm deri në pleqëri, duke sfiduar krijuesin me ndezje të brendshme që i bë dritë jetës, që bëhet motor i të gjitha “ndezjeve”.
Edhe kur qielli i shpirtit errësohet ndonjëherë nga retë e grumbulluara të çastit apo të kohës. Dashuria e përcjellë krijuesin gjatë gjithë jetës edhe si furtunë, edhe si stuhi, edhe si tërmet, edhe si urë bashkimi, edhe si kala e pamposhtur, edhe si këngë jete ku mund të akordosh shumë melodi të shpirtit. Me kënaqësi më të madhe ka dëshirë secili t’i dëgjojë, dhe t’i përjetojë si afsh, si zjarr, si etje, si…A i gjejmë këto forma dhe manifestime në vëllimin poetik me fjalë të Rrustemit?! Po, të gjitha këto, në forma nga më të ndryshme shpërfaqen më tisin e ëmbël, të butë dhe skofiar. Dashuria dhe vdekja, dy fenomene ekstreme që i japin kuptim jetës, e përcjellin njeriun, e sfidojnë si zjarr-prush. Dashuria është zjarri që vlon në shpirtin e njeriut nga lindja deri në vdekje. Ajo është forca dhe vetëm ajo është stabiliteti shpirtëror që balancon njeriun në jetë. “Dashuria nuk është krejtësisht një fenomen ‘privat’, një histori e thjeshtë e dy ‘zemrave’ që dashurohen, po ngërthen në vete një parim të ndërlidhjes së çmueshme për kolektivitetin” (A.M.Kollontaj), fq. 12)
(Dashuria si bukuri, bukuria si dashuri në poezinë e Sabit Rrustemit)
Dashuria në poezinë e Rrustemit, është një dashuri jo vetëm nga një kënd vrojtues, nga një faqe shikimi, jo vetëm nga një përfytyrim imagjinar, por si shqiptim poetik edhe real, edhe si prekje, edhe si frymë lirie.
Vëllimi poetik “Ndezje yjesh në zemër”, poezi e zgjedhur e dashurisë, zgjedhja dhe parathënia nga studiuesi i mirënjohur, Anton Nik Berisha, vjen si një perlë poetike, si një thesar dashurie ku lexuesi thith një afsh, një nektar, një frymë, një prekje lirike nga më të veçantat. Libri është i ndarë në shtatë cikle: Bukuria e dashurisë, Brenda zemrës sate, Drithërima shpirti, Fjala dashuri, Zjarri i pritjes, Në shtjellën e ëndrrave, Nëpër etje rigon vjeshtë, ku brenda këtyre cikleve figurojnë 158 poezi të cilat, në tabanin e tyre qëndron dhe kalëron dashuria qoftë si rrëfim poetic i shpërfaqur, qoftë si meditim i brendshëm apo ligjërim në vetën e dytë, apo një përshkrim imagjinar. Sabiti përmes telave të shpirtit, përmes telave të zemrës, përmes telave të syve, të veshëve, thur, ndërton një melodi të artit erotik me një mjeshtri, pa ekzagjerime, pa deklaratizma. “Ai e njëson dashurinë për gruan me dashurinë për poezinë. Nëpërmjet strukturës së tekstit njësohet bukuria e dashurisë dhe arti i bukurisë së poezisë” fq. 16.
(Cila është dashuria e Sabitit në këtë përzgjedhje poetike?)
Dashuria e Sabitit nuk është veç afsh, është gjakim, liri, krijim, lindje, e nesërme, është edhe tundim, prekje, ngacmim i trazirave, i gjendjes shpirtërore. Poezia e dashurisë së këtij autori, nënkupton edhe si agim, betejë, ku fillon jetën, ditën dhe arrin fitoret në kohë, në hapësirë. Ai është heroi lirik i betejës që butësisht me një gjuhë të ëmbël, ligjëron, bën monolog, mediton sa si përshkrues të trupit fizik, sa dëshira të hyjë në minierën e thellë të shpirtit të së dashurës.
Sabiti sikur vret vetminë, përditshmërinë që e rëndon në ndonjë rast: “Lërmë ta harroj / Për një çast këtë përditshmëri. Që me vetmi vret”, fq. 33). Dashuria për poetin ka mesazhin e paqes: “Ta ngremë dhe një dolli / Për paqen e njeriut / Gëzuar cilido qofsh ti” fq. 55) Pra, dashuria e heroit lirik është universale, paqësore. Në shumë poezi, bukuria e dashurisë shpërfaqet qoftë si fizike, përshkrim i trupit, përshkrim i gjendjes së brendshme shpirtërore, ndjesi, prekje. Çepuri është vendi më i pëlqyer ku e ka heroi si pikëtakim apo referencë takimi. Çepuri i vendlindjes së dashur, që me kënaqësi e përdor në shumë poezi. Cili është nervi nevralgjik i dashurisë që e grish autorin?
Grishja e tij emocionale vjen si përqasje ndjesore, si drithërimë shpirti, qoftë si reale apo si imagjinare, vjen si prekje, si afsh i ngrohtë që shuan etje, mall, zjarr…Heroi lirik nuk mallkon, nuk hatrohet edhe kur mëson ikjen e saj. “Dhe unë s’do të hatrohem / As do të ndëshkoj që më lë pa zemër” fq. 65) Dashuria për Sabitin nënkupton edhe liri shpirti. “Liria nuk është liri / Nëse nuk ia falim dashurinë” fq. 69) Pra një mesazh filozofik, ku prapa tij fshihet kërkesa sublime, dashuria. Autori e nënkupton lirinë, pra dashurinë si emblemë, kurorë jete. Në shumë poezi, autori i drejtohet me fjalët: e dashura, në disa me Ti, në disa në mënyrë të përgjithshme, diku i drejtohet Lule, diku Evë, apo edhe zemërushja ime.
Ligjërimi poetik i heroit lirik kalon herë si këshillë, si nxitje apo urdhër i lehtë: “Mbylle pa krismë portën time / Mbi dritare dritën lëre ndezur / Për vallëzimin e fluturave” fq. 85, apo edhe në thirrje: “Kthehu / Nuk je vetëm imja thirrje” fq.95, apo edhe rrëfim: “Në ditën e shenjtë / Të dashurisë / S’e kam kurajën të duartrokas /Kur të tjerët puthen” fq.105. Shpalosja poetike kalëron edhe flatrave të imagjinatës, ku heroi lirik, ëndrrës i jap krihë, e kërkon ta takojë, ku thotë: “Sikur ta gjëja atë ëndërr / Pas teje do vrapoja / Do të trazoja një botë / Një botë që fshihet tek ty / Nën ata sy” fq. 108. Nganjëherë, dashuria e Rrustemit na del si metaforë fëmijërie: “T’i ndahem këtij shtegu, ndërmend s’e kam / Deri tek ajo Majë ajo shenjë e lashtë / Për ta parë si rikthehet me ag ajo vatër e zjarrtë / Imja fëmijëri / S’e kam ndërmend jo” fq. 109. Poezia e Rrustemit është edhe si betim deri në frymën e fundit, një betim kohor, një zbrazje e shpirtit, e gjithë përkushtimit, derisa heroi lirik, merr frymë, pulson: “Mos pyet kurrë ku jam / Vetëm vëje dorën në anën e majtë / Të gjoksit tënd / Aty pulsoj derisa të marrësh frymë” fq. 111. Prania e heroit lirik e përcjellë kudo.
(Gjuha, figuracioni poetik, fjalët kyçe)
Rrustemi është mjeshtër i figuracionit stilistik. Nuk e mbyt vargun me ndonjë shprehje që krijon dykuptimësinë apo pakuptimësinë, por krahas vargut të kapshëm, gjuhës popullore, gërsheton vargun modern, stilistikën.
Metrika e Rrustemit është e lirë, pa rimë apo ndonjë rregull strikte. Është një prani e lirë në ndërtimin metrik. Më se shpeshti përdor metaforën. (Po e mbledh kohën e ikur / Përmes së tashmes që s’mjafton, fq. 125) hiperbolën (Ai mal fjalësh, pas më ndjek, fq. 135), epiteti (dhembjet e ëmbla, fq. 162), apo krahasimi (si pikturë e blertë, gdhin para meje, fq. 27). Ndër fjalët kyçe janë: E dashura, Çepuri, Sy, Ti, Dhembja, Shpirti, Buzët, Ëndrra etj.
Në fund, autorit i urojmë shëndet dhe shumë suksese në shtegtimin letrar!