Poeti Jeton Kelmendi i bashkohet Vetëvendosjes
Poeti Jeton Kelmendi i është bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje.
Lajmin e ka bërë me dije lideri i kësaj levizje, Albin Kurti në llogarinë e vet në në “Facebook”.
“Jetoni është edhe veteran i luftës i UÇK-së në vitet 1998-1999. Aktualisht punon dhe jeton në Prishtinë dhe Bruksel. Ardhja e tij e shton kreativitetin në Lëvizje”, ka shkruar Kurti.
Postimi i plotë i Kurtit:
Jeton Kelmendi u anëtarësua në Vetëvendosje. Poezitë e tij janë përkthyer në më shumë se 30 gjuhë të huaja dhe për to janë shkruar qindra antologji ndërkombëtare, duke e bërë kështu poetin më të përkthyer shqiptar që ka marrë më së shumti çmime ndërkombëtare. Kritikët letrar e shohin atë si përfaqësues të denjë të poezisë moderne shqiptare.
Qenësia e punës së tij në fushën e artit letrar lidhet me kujdesin që i kushton të shprehurit poetik, shtjellimit modern të tekstit dhe thellësisë së mesazhit. Në krijimtarinë e tij veçohet sidomos lirika e dashurisë dhe vargu eliptik i ndërthurur me metafora dhe simbole artistike.
Jetoni është edhe dramaturg, përkthyes letrar, analist politik dhe profesor universitar. Studimet për komunikim masiv i ka përfunduar në Prishtinë, kurse studimet post-diplomatike në ULB – Universitetin e Brukselit për politika ndërkombëtare dhe çështje të sigurisë. Masterin e dytë e ka mbaruar për diplomaci, ndërsa doktoratën për politikat e sigurisë ndërkombëtare dhe rolin e medias te këto politika.
Ai është profesor në Kolegjin AAB në Prishtinë. Vite me radhë shkroi dhe botoi poezi, prozë, ese dhe tregime. Është bashkëpunëtor i shumë mediave, shqiptare e të huaja, ku trajton çështjet të ndryshme kulturore dhe politike.
Jetoni është edhe veteran i luftës i UÇK-së në vitet 1998-1999. Aktualisht punon dhe jeton në Prishtinë dhe Bruksel. Ardhja e tij e shton kreativitetin në Lëvizje.
Me deputetin Ali Lajçi i dëshiruam mirëseardhje në Lëvizjen Vetëvendosje.
/Epoka e re/