Poeti Lulzim Tafa nderohet nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë
Në një ceremoni solemne të organizuar të enjten, poeti i njohur, Lulzim Tafa, është nderuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, për kontributin e dhënë në fushën e letërsisë shqipe.
Në praninë e personaliteteve të shumta publike të Kosovës e Shqipërisë, ambasadori i Shqipërisë nëKosovë, Sh.T. Petrit Malaj, i ndau poetit Tafa mirënjohjen, duke çmuar lart veprën dhe kontributin e Tafajt për artin dhe letërsinë shqipe.
“Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë shpreh mirënjohjen e thellë për kontributin në fushën e letërsisë, si poet dhe shkrimtar. Vepra juaj e ka pasuruar kulturën dhe artin tonë kombëtar. Anëtarësimi juaj si akademik i jashtëm në Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë është nder i merituar, na forcon lidhjet kulturore dhe shkencore të Republikës sëKosovës dhe asaj të Shqipërisë”, tha ndër të tjera ambasadori Malaj.
Ndërsa poeti Lulzim Tafa, duke shprehur falëndërimet e tij theksoi se është thellësisht i nderuar që e merr këtë mirënjohje.
“Ndihem shumë i lumtur që jam në mesin tuaj dhe bashkë me ju kam kënaqësinë ta pranoj këtë mirënjohje. Nderime të tilla nuk e bëjnë shkrimtar më të madh apo më të rëndësishëm, por më të sigurt në punën e tij krijuese”, u shpreh Tafa.
Për veprën e Lulzim Tafës, fjalët më të mira i thanë edhe personalitete e pjesëmarrës në këtë ceremoni. Ndërsa edhe më madhështore e bëri atë, deklamimi i njërës nga poezitë monumentale të Lulzim Tafës (“Sa shpejt më harroi nana”), nga ambasadori shqiptar, Petrit Malaj.
Kujtojmë se poeti Lulzim Tafa është i njohur për poezitë e tij dhe është në mesin e poetëve më të përkthyer shqiptarë, njëherësh laureat i shumë çmimeve ndërkombëtare.
Përpos çmimeve, mban shumë tituj nderi në akademi e në universitete botërore.
Në gjysmën e dytë të muajit prill të këtij viti, Lulzim Tafa ishte zgjedhur anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.