Poeti Lulzim Tafa po merr pjesë në takimin e 56-të ndërkombëtar të shkrimtarëve në Bled të Sllovenisë
Poeti i njohur kosovar, Lulzim Tafa, është duke marrë pjesë në takimin e 56-të ndërkombëtar të shkrimtarëve në Bled të Sllovenisë, i organizuar nga PEN Qendra e Sllovenisë dhe Komiteti i Shkrimtarëve për Paqe.
Përmes një postimi në profilin e tij në facebook, ai ka njoftuar do ta përfaqësojë PEN Qendrën e Kosovës, ku edhe do të mbajë një fjalim në Asamblenë Gjenerale të Komitetit të Shkrimtarëve për Paqe.
“Sot erdha në Bled të Sllovenisë për të marr pjesë në takimin e 56-të ndërkombëtar të shkrimtarëve, i organizuar nga PEN Qendra e Sllovenisë dhe Komiteti i Shkrimtarëve për Paqe. Në këtë takim që do të zgjasë tre ditë, ku do të marrin pjesë shkrimtarë nga shumë vende të botës, unë do ta përfaqësoj PEN Qendrën e Kosovës dhe do të mbaj një fjalim në Asamblenë Gjenerale të Komitetit të Shkrimtarëve për Paqe. Në këtë takim do të flasë edhe Kryetarja e Parlamentit të Sllovenisë, Zonja Urška Klakočar Zupančič”, ka shkruar Tafa.
Takimi i 56-të ndërkombëtar të shkrimtarëve në Bled të Sllovenisë do të zhvillojë punimet për tri ditë, nga 16 deri më 18 prill.