Poeti që kalëron me kohën
Nga: Vangjush Ziko
Kam mbi tavolinë ciklin e poetit Moikom Zeqo të shkruar në vitin 2004. Janë 17 poezi, të cilat i lidh një temë unike, kredoja e tij poetike dhe filozofike, pasioni dhe përkushtimi i tij i tërë jetës së vet krijuese, një “prolog” alegorik, një paralele metaforike e kredos së tij krijuese. Poeti rri përballë detit i menduar. Ndjek gjurmët e mendimeve dhe pyet i habitur veten e vet: “Kush – i dha – një liri, – kaq të pacak – edhe ndërgjegjes sime, – endacake?”. Përgjigjen poeti na e jep nëpërmjet alegorisë së “Tre Magëve” biblikë, që shtegtuan për të gjetur “kuintesencën” e lindjes së një besimi të ri, të një krijimtarie të re dhe të paparë, të paktën, në historinë e poezisë sonë.
Ai është i bindur se ka arritur të ndërtojë sistemin e një ligjërimi krejt të ri poetik të “gjurmëve të tija”, që shkëlqejnë “mbi pllajën e mendimeve”. Këtë ai e arriti në mënyrë të ndërgjegjshme me aktin e vetëflijimit, duke ia kushtuar jetën e vet punës së palodhur dhe të frymëzuar, plot sakrifica individuale për të shkruar pa reshtur dhe për të botuar deri në çastet e fundit të jetës së vet.
Ai “kalëron me Kohën, me jele ankthi dhe patkonj tipografikë”, duke e ruajtur ndërgjegjen e vet të lirë nga dogmat e kohës, nga “sundimi” i metodës së realizmit socialist, duke shkruar dhe botuar korpusin voluminoz të veprave të veta avangardiste.
Ai i ka mbushur “humnerat bosh” me vetëdijen e plotë krijuese duke i bërë këto “dete të plotë – të tallazitur”. Për këtë ai luftoi me veten e vet, me sëmundjen e pabesë dhe me kohën. Lufta e tij ishte me “tigrat e fjetur të gjakut”, që zgjohen shqyejnë – ëndrrat – dhe realitetet”.
Ai qëndron “përtej mashtrimeve të fakteve të shpikura!”. Ky përkushtim plot sakrifica personale e ngriu dhe e shndërroi në një “ikonografi prometeike”. Ai vuan dhe ndihet mirë nga kjo vuajtje.
Ai e ndjen veten një murg, “rishtar”, që ndriçon me krijimtarinë e vet. E quan veten dishepull të “Dionisit të pavdekshëm”, perëndisë mitologjike të vreshtave, të verës, të fuqive ripërtëritëse të natyrës. E ndjen veten “dishepull të Budës”. Përjeton dehjen dioniziake dhe magjinë e meditimit të nirvanës budiste.
Ai nuk ua vë veshin fare engjëjve të qiellit që i drejtohen atij për ta “shpëtuar nga mëkati”: “Kerubinët – më thërrasin, – janë larg, – zërat, – i kanë shurdhues! – Po unë – s’u shkoj pas!”. Poeti “s’ka më nevojë, për vizitat e perëndive!”. “Vdekja – është – Shakaja e vockël”, që mund të bëjë Zoti me të. Ai e pranon që është një engjëll i ndëshkuar për këtë mosbindje: “Njëqind engjëj bronxi – të Parajsës – derdhen – për statujën time të Ferrit!”