Poezi e dilemave të mëdha dhe e fatit të rëndë

11 dhjetor 2024 | 21:04

Sali Bytyçi

Magjistër Bedri Zyberaj (Drenoc, 1963), studiues i letërsisë dhe poet, deri këtë vit ka botuar dy vëllime poetike: “Dromca vitesh” (1998) dhe “Vdekje më të mirë nuk dua” (2018), ndërsa këtë fundvit botoi edhe vëllimin e tretë me poezi, “Vetëm me vetminë”.

Në vëllimin e parë “Dromca vitesh”poeti i ka përmbledhur vargjet e djalërisë, sidomos të kohës sa ishte student. Në këto vargje janë ëndrrat, dëshirat e dashuritë, si dhe shpresat dhe utopitë e asaj kohe; në të dytin,“Vdekje më të mirë nuk dua”,që shënjon një kohë krejt tjetër,i ka përmbledhur vargjet e pjekurisë, sidomos ato me motivin e dashurisë, por edhe të dilemave të jetës dhe të zhgënjimit, ndërsa në të fundit, “Vetëm me vetminë”, tani që ka hyrë në moshën e tretë, i ka përmbledhur vargjet nga vëllimi i parë, më pak, dhe nga i dyti, më shumë, por edhe vargje të pabotuara më parë, të cilat i ka shkruar pasi e ka botuar vëllimin e dytë poetik në vitin 2018. Pra, këto janë vargje të shkruara në tri kohë, të cilat ngërthejnë një jetë në tërësi, e cila në vetvete ka edhe rininë, edhe djalërinë, edhe pjekurinë, po që tani jo të veçuara, por të gjitha të pandara, ndërsa në këtë libër janë strukturuar në atë mënyrë sa ngjajnë me një poemë moderne.

Ndërsa lexon poezinë e Bedriut, në këtë të vëllimit të tij të fundit poetik, “Vetëm me vetminë”, në mendje të nisin përsiatjet për kohën, për njerëzit, për vetminë, për vdekjen e, mbi të gjitha, për jetën, po edhe për vetë poezinë. Ky është arti, është fjala nga ka dalë çdo gjë, për t’u kthyer, në fund, edhe një herë në fjalë.

Nuk është e rastësishme që në krye të këtij vëllimi me poezi të përzgjedhura ka vënë poezinë “Nëna”, sepse nëna është mbi të gjitha, ajo është shkaku i parë dhe i fundit, ajo është fjala e parë që e shqipton fëmija kur të vijë në këtë botë dhe e fundit kur ik nga kjo botë për të mos u kthyer më kurrë.

Ka nota elegjiake poezia për nënën, e cila, duke mos pasur me kë të bisedojë, vetëm me vetminë i qan hallet:

Nga zjarri i dëshirave më të mira

E kërrusur

Nga pesha e mendimeve të kobshme për mua

Nëna

Armikja ime e dashur (f. 12)

 

Dhe menjëherë pas poezisë për nënën, poezia për atdheun: trekëndëshi poetik në poezinë e Bedri Zyberajt është: Subjekti lirik – Nëna – Atdheu:

Çdo kupë helmi që më ka ofruar fati

E kam pirë me qetësi

Mëmëdhe

Që helm më pak të pije ti… (14)

 

Kujtesa e subjektit lirik të poezisë së Bedri Zyberajt është e rëndë.

E, çfarë është njeriu nëse jo një kujtesë që ec në dy këmbë? Dhe sa më shumë që jeton ky njeri, barra e kujtesës bëhet më e madhe, aq e madhe sa e shtyp vetë subjektin që e bart.

Poezia e Bedri Zyberajt është poezi e fatit të rëndë, e fatkeqësive që nuk marrin fund asnjëherë, e së djeshmes së dhimbshme dhe e së sotmes së pashpresë, shkurt, poezi e zhgënjimit.

Subjekti lirik i poezisë së tij përsiat duke qenë vetë në hapësirat e zhgënjimit, të cilat janë të pakufi.

Zhgënjimi është fjala më e shpeshtë në poezinë e këtij poeti. Subjekt lirik i poezisë së Bedri Zyberajt është njeriu i cili gjatë gjithë jetës është vënë para sfidave nga më të ndryshmet, sfida që kanë rrezikuar rëndë thelbin e të qenit njeri. Shkurt, njeriu i poezisë së tij është vetë jeta që lufton me antijetën, në një ndeshje të pabarabartë.

Dhe më tej, poezi e Bedriut është poezi për kohën sterile dhe ngopjen me liri.

Poezi e dilemave: të jesh apo të mos jesh, dhe njëherësh një përpjekje e jashtëzakonshme për të mbetur vetja në një botë që lëviz me shpejtësinë trullosëse, që pëson metamorfoza të vazhdueshme, duke mos të të dhënë kohë për të qenë vetvetja. Kohë në të cilën marrëzia e ka pushkën plot, ndërsa subjekti lirik është duarthatë.

Njeriu i poezisë së Zyberajt, është një njeri që në vete e bart një urë, një urë që do ta bashkojë me Tjetrin, por ura që e ngërthen në vete subjekti lirik i poezisë së Zyberajt është një urë e destinuar të mbetet aty ku është, në vetë subjektin lirik, për ta mbajtur peng atë, sepsekjo urë nuk pranohet nga Tjetri, prandaj ky njeri është i detyruar të mbetet në vend, aty prej nga është e pamundur të shkojë asnjë milimetër më larg.

Bedri Zyberaj shkruan pak.

Për dallim prej shumë krijuesve të cilët sot shkruajnë shumë vargje, shkruajnë shumë poezi, si dhe botojnë shumë vëllime poetike, Bedri Zyberaj shkruan shumë pak vargje, shkruan shumë pak poezi dhe, për rrjedhojë, boton rrallë një vëllim poetik: pra jo dhjetë vëllime për një vit, po një vëllim për dhjetë vjet. Ndaj, puna e Bedriut në nxjerrjen e vargjeve më ngjan me punën e kërkuesve të arit, të cilët, për të nxjerrë disa gram ar, shoshitin apo sitindisa tonë dhe e gurë, për të nxjerrë vetëm disa gram ar.

Pra, Bedriu është shumë i kursyer në fjalë. Dhe për këtë, për ata që shkruajnë pak, ia japim fjalën Lagushit, i cili thotë:

“Prandaj poeti duhet të jetë kursimtar i madh i fjalëve, të thotë maksimumin e ndjenjave në minimumin e fjalëve”. (Petraq Kolevica, Lasgushi më ka thënë…, f. 77).

Po për Lasgushin, çfarë e bën një poezi të mirë? Dhe Lasgushi thotë: “Para së gjithash duhet një përmbajtje e fortë. Jo Inhalt, fabula”. (Petraq Kolevica, Lasgushi më ka thënë…,, 81); për ta plotësuar se kësaj përmbajtje të poezisë duhet dhënë një formë e përsosur.

“Poezia duhet t’i ngjallë të njëjtat emocione si lexuesit të sotëm, ashtu edhe atij që do të vijë pas një mijë vjet”, (f. 82) dhe se poezia duhet të jetë cilësi, jo vëllim: “Mos ki frikë se ke shkrojtur gjatë jetës tënde vetëm dhjeta poezi. Frikë të kesh po të kesh shkrojtur njëqind poezi” (f. 84).

Kjo këshillë nuk vlen për Bedriun, po për ne të tjerët!

Në fund dy fjalë edhe për gjuhën.

Gjuha e poezisë së Bedri Zyberajt është e zgjedhur, ashtu siç janë të zgjedhura vargjet, poezitë dhe çdo gjë tjetër në këtë vëllim poetik. Vetëm të përmendim disa figura, si “tehu i dëshpërimit”, “balonat e besimit”, “plagët e zgjebosura”, “uzdaja mbërthyer në kryq”, subjekti lirik gjëllin si peshku në zall etj., për të parë luftën ekzistenciale të pareshtur që bën subjekti lirik i poezisë së Bedri Zyberajt për të mbajtur ekzistencën në hapësirën në të cilën fati i ka qëlluar të lindë.

Ndërkaq, pothuaj përherë brenda thënies poetike të këtij poeti zë vend ironia, e cila në raste të rralla ngrihet në shkallën e sarkazmit.

Dhe krejt në fund.

Ashtu siç janë të zgjedhura fjalët dhe vargjet e poezisë së Bedri Zyberajt, ashtu janë të zgjedhura edhe motivet, prandaj pasi të lexohet ky vëllim poetik, edhe për një kohë të gjatë në mendjen e lexuesit këto motive vazhdojnë të bëjnë jetën e tyre, sikur të ishin qenie të gjalla, sa të dashura, aq edhe të trishtuara. Dhe rileximi i këtyre vargjeve aspak nuk e mërzit lexuesin sepse, sa herë ta t’i lexojë këto vargje, lexuesi sikur depërton në shtresa të reja, të papara dhe, edhe të panjohura.

Prishtinë, 12 dhjetor 2024

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Berat Armagedoni Bedri Zyberaj, magjistër i letërsisë, nuk ka shkruar…