POEZI E MENDIMEVE DHE EMOCIONEVE NË DIMENSIONIN KOHOR
(Duke lexuar librin me poezi “Si kripën të kam dashtë” të Arif Molliqit, botoi shtëpia botuese “Armagedoni”, Prishtinë, 2018)
Shkruan: Majlinda Zorba
Kur ndeshesh me titullin kaq popullor “Si kripën të kam dashtë” të vëllimit poetik të autorit Arif Molliqi, vendoset një raport i ngrohtë e i afërt komunikues me autorin, duke krijuar një përfytyrim rreth mënyrës së shkrimit, si dhe përfshihesh nga ngasja poetike për leximin e frytshëm të tij. Vëllimi në fjalë fillon me një poezi të veçuar me titullin “Kronika e një fotografie”. Çdo fotografi për poetin përmbledh ngjarje jetësore të shënuara, gjendje shpirtërore të papërsëritshme, që mbeten të sendërtuara përgjithmonë. Ajo është një “vizatim me dritë” që ekspozon një kohë të caktuar mbresëlënëse që mund t’i drejtohesh sa herë të duash për ta risjellë në kujtesë.
Fotografia që i përgjigjet kohës së ikur të rinisë i ndjell atij keqardhje, pendesë, mungesë dhe e fut në meditime poetike. Poeti e krahason atë me fotografinë kur ai “mbuluar thinjash është” duke synuar t’i dallojë dy kohë në antitezë të fuqishme që jetojnë paralelisht tek ai me efektet e tyre lirike. Kjo poezi krijon një rrëfim më vete, të spikatur dhe duket se është fort e dashur për poetin. Në këtë, si dhe në të gjithë veprën, kemi fjalë çelës të një fjalori letrar: terr, kohë, ferr, parajsë, vdekje, vetmitar, engjëll, djall, plagë, farë, varr, tym, mjegull, portret, ngjyrën e zezë dhe atë të kuqe etj., si dhe publicistikë e kinematografikë: foto apo si fjalë e plotë fotografi, film, letër, kronikë, antenë, televizor, ngjyrat bardhë e zi etj.
Motivi i mallit, kujtimet, nostalgjia, trishtimi, ëndrrat, lidhur këto gjithmonë me dimensionin “kohë”, do të përshkojnë si një fill i kuq gjithë veprën. Poeti, nisur nga uni i vet ekzistencial, është i bindur për “pafuqinë njerëzore”… me borën e bardhë mbi kokë… “frytet e mërdhita” dhe për triumfin e kohës që ikën me revan përpara, duke marrë me vete sekretet e jetët e secilit e duke mos u kthyer më për ta. Mes epitetit “kohëmatësi” dhe metaforës “ëndrrat janë plakur” vëmë re asociacionin e mendimeve dhe emocioneve në dimensionin kohor.
Në këto poezi autori rreket të shkruajë në mënyrë sa më koncize, e përngjashme kjo me një prirje të përgjithshme të poezisë moderne, duke i lënë hapësirë lexuesit të mendojë e imagjinojë në mënyrë aktive. Ndërsa po të gruponim fjalë të fjalorit me karakter kohor, ato janë të shumta (kryesisht ndajfolje) dhe nëse do ta bënim pemën e mendimit, do të spikatnin vargje të shpeshta që karakterizojnë kohën në shumë cilësi e anë të saj: “Ora e plakur me akrepa të lodhur” (“Ora e plakur”), këtu me anë të metaforizimeve del në pah ecja e zvargur, kur është fjala t’i rrëzojmë paragjykimet që janë vërtet shqetësuese për poetin dhe këtë ai përpiqet ta kthejë mes vargjesh të shkurtra në bindje për lexuesin. Diku tjetër “Aty ku zura pritë”: “… nuk e di ku ikën vitet e mia, a në tokë a në qiell, në hapësirën bosh midis një vjeshte e një dimri”, ikja e kohës kthehet në shqetësim e pasiguri për poetin, “…stina e mjegullës”, “ishin ditë të lëna peng nga një kohë tjetër, me antena televizori bardh e zi”, “ndër vitet që bëheshin shekuj”.
Vetë letra si mjet komunikimi që konservon, ashtu si dhe fotografia kujtime, ndjesi, dështime e zhgënjime, pendesën dhe mundësinë që ajo fal për t’i kuptuar gabimet e hershme që mund të ishin zgjidhur ndryshe: “Një ngjarje e vrugët”. Ndërsa në poezinë “Vajzës që i pëlqente shiu”: “… pas asaj nate që eci nëpër shi, duke u munduar ta shpëlajë një njollë të zezë në trup, mbetur nga kohë e keqe, nga një njeri i panjohur (asociacioni e panjohura në kohë e njerëz), tek “Më thuaj a të marr për dore”: “…në sy, në gjoks, ka portretin tim, që ma vodhi vjeshtën e kaluar”. Ndërsa në poezinë “Bukuri e egër”: “…ajo edhe sot është e bukur, ka pamje të çuditshme, vite që s’i plaken kurrë”.
Libri hapet me një poezi “ Kronika e një fotografie” e cila mund të themi se luan rolin e një prologu në hyrje të tij, duke i bërë të ditur lexuesit për një ngjarje që ka ndodhur më parë dhe që nuk trajtohet në vepër, po që lidhet me të tërthorazi. Pas prologut kemi pesë nënndarje: e para “Përsëritje e papërsëritur”, e dyta “Si kripën të kam dashtë”, e treta “Për dhimbje ka prova”, e katërta “Fshati me një refugjat”, e pesta “Mjegulla në kryeqytet”. Bie në sy përdorimi disa herë i grupit të fjalëve “Përsëritje e papërsëritur” si nënndarja e parë e vëllimit, si titulli i poezisë së dytë të nënndarjes së parë, si një varg i poezisë “Në kavernat e lirisë”: “…i përsëritur në një kohë të papërsëritur” dhe si titulli i poezisë së shtatë “Përsëritet e papërsëritura” të nënndarjes së fundit me titull “Mjegulla në kryeqytet”. Ky grup fjalësh ka faktorin kohë së brendshmi, ndërsa te “Libri i amzës”: “…mes dy poleve të tokës, në këtë kohë gjithçka ndodh”, “Në kavernat e lirisë”: “… koha ka të drejtë të përqeshë, ky është fati ynë, i përsëritur në një kohë të papërsëritur”, këtu poeti e shpirtëzon kohën, e personifikon atë duke e bërë pjesë të pandarë, dëshmitaren e vetme të paanshme për ngjarjet që ndodhin, së cilës i jepet kësisoj e drejta edhe të gjykojë, të vërë në lojë.
Në poezinë “Prova e një ore” vlen të përmendet fjala “kohë” e parë në shumë anë, vihet në dyshim saktësia e saj: “…ora është e saktë kur i numërojmë numrat, shpesh ndodh i gabojmë vitet, s’na del asgjë e saktë… në Ballkan është prishur numëratorja, janë ndryshkur akrepat e orës, janë lodhur durimet… as dita dhe nata nuk përfundojnë me orë… është gjë e shëmtuar kur dëgjon tik-takun cinik, kjo orë e përbaltur, zhveshur deri në lëkurë, s’na hyn në punë as kur lahet shteq”. Këtu poeti sikur luan me orën, e percepton kohën në mënyra të ndryshme, edhe si një kohë reale, edhe si një kohë artistike, pjesë e subjektit mendor, për të rëndësi ka ndryshimi, e reja, pozitivja, të cilat i dëshiron me pasion t’i shohë në realitetin ballkanik por, fatkeqësisht, ora e ndryshimeve për mirë nuk vjen se ajo është e plakur, ka tik-takun e saj cinik, përbaltja e orës është një metonimi e spikatur ku mjeti zëvendëson ngjarjen, punën që është bërë mbrapsht, koha e parë konkretisht nga poeti duket si një hollësi e mërzitshme e parëndësishme. Por, në fakt, ajo merr një nëntekst të fuqishëm ideor në suazën e kontekstit të përgjithshëm.
Në një poezi tjetër “Ishte vonë për të thënë diçka” vargu i parë të jep përshtypjen se kemi të bëjmë me një lajmërim në gazetë apo një faqe ditari: “…sot me dymijë e shtatëmbëdhjetë, ditë e shtunë dhe vjeshtë… këtu e tutje u besoj vetëm vdekjeve, kjo s’na u dashtë kështu, ngaqë koha na e la hingëllimën e tepërt, në kuptimësitë tona i lamë të hyjnë të tjerët, dhe në librin e harresës i vumë vetes pikë. Në kujtesë të poetit është çdo gjë që lidhet me kohën, kur ajo që e ka dashur më tepër me zemër ka vdekur, trishtimi për të në paralelizëm figurativ me kohën përshkon gjithë poezinë, i lënduar që koha i mori me vete të dashurën, po më shumë i lënduar për zgjidhjen e gabuar që dikur i kanë dhënë të dy bashkë, si dhe fundi tragjik simbolizohet me hingëllimën e kohës së pamëshirë që s’i dha shansin për ta gëzuar jetën me të dashurën e tij. Në “Shënime nga Shkupi”: “… pas dymijë vjet më pas erdhi djalli me zhurmë”, poezia “Ligjëratë dashurie”: “… dashuria s’është kohë e pathënë, as dhimbje që harrohet (çdo gjë ndodh me një arsye të fortë që e përmban vetë koha): Le të kujtojmë Kantin, sipas të cilit “koha dhe hapësira janë forma të ndjeshmërisë sonë, jo realitete që jetojnë nga vetvetja dhe të pavarur nga subjekti ndijor”. Ky citim e përmbush më së miri komentimin e raporteve kohore me ndjeshmërinë e krijuesit; i veçantë është përdorimi i faktorit kohë në vjershën “Peizazh ndryshe” që nis: “Kohë, shpëtoje kohën, derisa zogu këndon në kopsht e më tutje:… shpëtoje nga fjalët e pathëna… kohë mëshirëmadhe bëhu, mos më shkund nga pema këtë natë, nga pema e veshur me mantel malli”. Krijuesi ndjek të njëjtin procedim artistik, me anë të fjalës kyçe “kohë”. I drejtohet asaj që ta shpëtojë kohën, duke e llogaritur atë njëherë si qenie reale, konkrete, në të cilën ka mbështetur shpresat dhe njëherë si një kohë e largët, universi vetë, i gjithë kozmosi. Në këtë vjershë ka lirizëm të ngrohtë, ka mall e nostalgji, ka butësi në kërkim të mëshirës (kohë mëshirëmadhe-epitet metaforik, pema e veshur me mantel malli-personifikim dhe epitet metaforik). Te vjersha “Kthimi ose braktisja e gjumit”: “…pak pas orës tre… në orën pesë të ditës së pasnesërme” mendoj se në këtë rast mund edhe të shmangeshin dy vargje të tilla që mund të zëvendësoheshin me fjalë të tjera që përcaktojnë vështirësinë.
Diku tjetër, në poezinë “Më ngjan se ata udhëtojnë pa e ditur fundin”, krijuesi e mbyll poezinë: “…gërryej me këmbë e duar kohën që më ka mbetur”. Me këtë metaforë folje cilësohet ngarkesa e njeriut me shumë probleme e angazhime. Tek-tuk ka edhe deklarime apo thjeshtëzime të kohës, nëse do t’i quanim kështu, rastet kur përdorimi i saj i tepruar e prish bukurinë e poezisë, po në shumicën e poezive procedimi artistik me këtë nocion është realizuar më së ploti, duke i dhënë ngjyrime simbolike e metaforike të larmishme, duke shtuar shkallën e emocionalitetit dhe duke u plotësuar edhe me një tematikë të pasur e duke përçuar mesazhe bashkëkohore. Ky autor përbën një individualitet të veçantë për vetë përvojën jetësore që ka, edhe si një atdhetar i lidhur ngushtë me Kosovën “Kthimi ose braktisja e gjumit”, “Epitaf për kufirin”, “Te kulla e Zhlepit”, “Loja me litar”, me arën e babës: “Era e arës së babës”, me Llukën e Epërme, vendlindjen e dashur “Llukë e Epërme”, “I rikthej lojërat nëpër rrugët e fshatit”, me Lumëbardhin që s’është më: “Vrasja dhe vdekja e Lumëbardhit”, me heronjtë e demokracisë: Ibrahim Rugovën, Jusuf Gërvallën:“Heshtje e zhurmshme”, “Përvjetor”, me Sali Çekajn, Agimin, Xhemalin (“Në Koshare me Sali Çekajn”, me shokët e shkollës, me Sadik Mulliqajn, motrën e dashur që s’janë më (“Loja e dhimbjes”, “Motërmadhës”), me Çamërinë, Aleppon, Shkupin, (“Lamtumirë Çamëri”, “Aleppo” (Haleppo), “Nata e anktheve”, “Shënime nga Shkupi”, si dhe me atë të mërgimtarit, për të cilën krijuesi ka bërë një nënndarje të katërt të vëllimit me gjashtë vjersha (nis me “Fshati me një refugjat e mbaron me “Malli për bahçen më ftoi”).
Te poezia “Kthimi ose braktisja e gjumit” autori llogarit me kohën: “…është mëkat i shpëlarë, kapërcim nga stinët e vdekura… kërkonim dashuri stinëve shterpe…s’di a kam kohë t’i ujis thëngjijtë e shuar nga djersa”. Dallohen për një lirizëm të theksuar: “Kënga e qukapikut”, “Vrasja dhe vdekja e Lumëbardhit”, “Më thuaj a të marr për dore”, “Era e arës së babës”, “I rikthej lojërat nëpër rrugët e fshatit”, “Midis dhimbjes” e të tjera.
Zemërimi dhe herë-herë rebelimi i autorit për politikanët që e kanë zhgënjyer popullin, i kanë shitur interesat e tij, e kanë copëzuar vendin pa mëshirë, arrin që të derdhë në vargje të gjithë mllefin e dufin e brendshëm të shpirtit të ndjeshëm prej poeti në poezitë: “Politikanët”, “Rekuiem inati”, “Kjo kafshë e zezë”, “Kryeqyteti i krimbave”, “Në esencë ti bën sikur jeton”, “Epitaf për kufirin”, “Te Kulla e Zhlepit”, “Promenadë veriore apo limonadë kulturore”. Në disa vjersha dalin gjithashtu çaste trishtimi, keqardhjeje, vetmia e refugjatit, malli për fëmijët e gruan, letrat që i shkruan atyre, boshësia shpirtërore në vend të huaj etj., por nuk mungojnë edhe notat e optimizmit, apo tragjizmit, nuk mungojnë edhe deklarimet, thënia troç e së vërtetës herë si një këshillë e nxitje, e herë si rrugë e vetme për fitoren. Tema e vetmisë e parë edhe në plan social dhe ekzistencial do të jetë nga temat më të rëndësishme në vëllim, së bashku me mallin e trishtimin për jetën që ikën pa u ndjerë në kohën që ndryshon me dinamizëm. Fazat e jetës së autorit merren në trajtesë në disa prej vjershave, sidomos me nostalgji që bëhet shkas për ta mbushur zemrën e poetit mërgimtar, formësohet faza e fëmijërisë dhe rinisë, lidhur këto edhe me mallin për atdheun që e shumëfishon nostalgjinë për kohën e ikur. Poeti është i vetëdijshëm për filozofinë e jetës, që gjithçka në univers lind, zhvillohet e më pas i vjen fundi, vdes dhe prandaj e mbyll vjershën “Dhimbje ndryshe” me këto vargje: “…oh pa sy do ta pres pleqërinë”. Me nota dhimbjeje përshkruhet një plagë e shoqërisë së sotme, dhunimi i femrës së cilës i janë kushtuar kryesisht dy vjersha “Vajza që ecte nëpër shi”, “Vajzës së kryeqytetit”. Kryeqyteti gjithmonë ka nxitur poetët për të shkruar për të, pasi aty rritet më shpejt e keqja, veset, rrëmbimi pas parasë, shthurja e vlerave morale, vetmia si një stimuluese e zvetënimit shpirtëror, sidomos të rinisë. Një nga këto figura është ajo e vajzës në të dyja poezitë e lartpërmendura. Ka edhe ndikime nga poezia popullore si: “Malli me bahçen më ftoi”.
Në poezinë e Arif Molliqit gjejmë edhe sensin ironik e satirik të vlerësimit të realitetit bashkëkohor lidhur me simbole të shumta, që s’janë gjë tjetër veçse paralelizma figurative të nënkuptuara. Te poezia “Një kostum evropian”, “Kam bërë një kapërcim”, “Loja me litar”, “Diqysh po më duket”, “Prova e një ore”, “Kryeqyteti i krimbave” vihen në pah me tallje të fshehtë dukuri negative të jetës shoqërore e individuale. Për sa iu përket mjeteve artistike të përdorura nga autori në libër, ato krijojnë në përfytyrimin e lexuesit marrëdhënie të tilla ku koha reale shkrihet me kohën artistike dhe gjithçka përjetohet sikur ndodh në çastin e shkrimit të poezive. Ndërthurja e planeve kohore të së kaluarës me të tashmen e të ardhmen krijon kështu një kompozicion kohor të caktuar dhe është sigurisht vlerë e vëllimit “Si kripën të kam dashtë” të autorit Arif Molliqi.
Ndryshimi i rendit kohor të ngjarjeve,veprimeve, ndjenjave, krijojnë situata të veçanta dhe lexuesi përfshihet nga një gjendje shpirtërore që e dëshiron autori, përforcohet një ndjenjë, ndjesi, apo një përfytyrim në një moment të caktuar dhe kështu natyrshëm zbulohen thelbi i karaktereve, mesazhet. Vështrimi retrospektiv dhe ai i çastit të pasqyrimit të ngjarjeve janë kombinuar në mënyrë të atillë që i shërbejnë ngarkesës emocionale-shpirtërore të lexuesit. Pra, mund të themi se ky krijues e përqendron më tepër vëmendjen në transmetimin e lëvizjeve, të dinamikave gjithfarëshe të jetës, pa u kujdesur shumë për ritmin, rimën, për përsosjen e formës. Nuk duhet lënë pa theksuar se janë ndjenjat ato që e përcaktojnë cilësinë e poezisë dhe ky vëllim shpalos ide e mesazhe, tema të begata vetëm përmes ndjenjave.
I urojmë autorit shpërthime të mëtejshme lirike, frymëzime të mirëfillta artistike, procese krijimesh të larmishme që kurorëzojnë vepra artistike që burojnë nga shpirti. E vërteta e botës së brendshme shpirtërore të shkrimtarit, të ideve dhe veçorive të shijes vetjake të tij, merr në vepër ngjyra përgjithësimi që u shërbejnë kohëve.