POEZI ME KULTURË, PËRMBAJTJE DHE EMOCION

06 shtator 2020 | 17:44

Parathënie e vëllimit poetik “E DIELA E FUNDIT” e poetit SHPEND A. GJOCAJ

Prof. Migena ARLLATI

Një kolazh tepër i këndshëm dhe me peshë poetike është ardhja më e re e autorit Shend Gjocaj, e përmbledhur nën titullin “E diela e fundit”. Pas një heshtjeje të gjatë plot 12 vjeçare përsa i përket botimeve, Gjocaj vjen me këtë vëllim me të cilin ai si poet na konfirmon se një krijues mund edhe të mos botojë për një kohë relativisht të gjatë, por asesi s’mundet të mos shkruajë, pasi krijimi për të është vetë shpirti. Lënda poetike e akumuluar, krijuar e poetizuar brenda një periudhe më shumë se një dekadëshe, e filtruar dhe klasifikuar në vite, tashmë është e gatshme të dalë nga “pronësia” e poetit dhe të bëhet “pronë” e lexuesit.

Autori nëpërmjet pesë cikleve të poezive na përfshin në një galaktikë të vërtetë ndjenjash, të cilat shfaqen herë si copëza kujtimesh dhe herë si copëza ëndrrash. Në të dyja rastet, përjetimet dalin në vargje me një sinqeritet të rrallë, sinqeritet i cili i ngarkohet verbit me peshë, pra fjalës që të mbet në mendje, fjalës që mbetet gjatë në ty e të detyron të merresh po aq gjatë me plotkuptimësinë e saj.

“Unë e di çka është dashuria”, “Dielli i atdheut”, “Ati, biri, poezia”, “Shpirt i dehur”, “(Pa)vdekësia”, janë titujt e pesë cikleve ku autori çkodon artistikisht kodet mbi dashurinë, jetën, njeriun, vdekjen. Pavarësisht renditjes së tyre, pra pavarësisht renditjes së tematikave frymëzuese, që të pesë ciklet janë po aq të rëndësishëm si në përjetimin autorial, ashtu edhe në ndërtimin vargor, pasi autori ndjen, emocionohet dhe krijon një potencial maksimal si kur shkruan lirikë për dashurinë e zemrës, po ashtu edhe kur shkruan për mallin dhe shqetësimet ndaj atdheut, si kur shkrihet në një me familjen në përjetimet ndaj babait, ashtu edhe kur shkruan për poezinë si mundësia e artë për ta shfaqur shpirtin e tij në dimensionin më të thellë. Ndaj, do të thoja se të pesë ciklet, pavarësisht renditjes në libër, qëndrojnë paralelisht njëri-tjetrit në mënyrën se si autori iu është përkushtuar. Ai gjen mënyrën si ta trajtojë me një rrebesh ndjenjash të bukurën, të mirën, delikaten, të dashurën; se si ta shfaqë me vërtetësi të pakrahasueshme dashurinë për atdheun të cilin nuk e do vetëm me fjalë; se si të shtrydhë retë bashkë me qiellin në dhembjen për largimin nga jeta të babait, dhembje kjo që zgjat pambarimisht; se si me plot gojën të shfaqë kredon e tij poetike, ani pse i duhet të pranojë se bashkë me të qenurit poet ai po ashtu është paksa i çmendur; dhe se si lutet me gjithë qenien që frymën e fundit ta lerë atje ku të parën ka marrë.

Poezitë e këtij vëllimi i ngjasojnë një imazhi me konture të padukshme, të shtrirë gjatë, skajshmërisht gjatë në horizont. Dashuria mbetet boshti tematik i së tërës, harmonizimi i së cilës përvijohet ku më shumë e ku më pak në çdo nënndarje. Shpalosja e brendësisë personale / intime me vijat e realitetit jetësor, arrihet me mjetet e krijimit që për autorin janë frymëzim i vazhdueshëm.

Që në ciklin e parë, “Unë e di çka është dashuria”, që në poezinë e parë me të njëjtin titull, Gjocaj na vë përballë një kompleksiteti ndjesish duke na dhënë përshtypjen se poezia e tij ka shqisa, kurse vargu tinguj e zë. Ai e njeh dashurinë në çfarëdolloj forme të shfaqet, ndaj është në gjendje ta ndjejë atë edhe në lëvizjen e më së voglës qelizë. Poeti nuk ka nevojë për përgjigje pasi pyetjet retorike nuk vijnë aspak në funksionin pyetës. Ato më shumë konstatojnë dhe vulosin atë se çka është dashuria.

Në kushtimet ndaj dashurisë, poeti i referohet më së shpeshti lules, duke e perceptuar atë si një qenie në të cilën shkrihen në simbiozë: bukuria, aroma, brishtësia, delikatesa, hijeshia, ndjeshmëria, ëndja për ta pasur… Ky perceptim i ndërthurur ka si bazë thjeshtësinë mbi të cilën mbivendosen të gjitha cilësitë e tjera. Me thjeshtësinë ndaj dashurisë e bën edhe më madhështore figurën e të dashurës, gjë e cila na konfirmon se ndjesia e tij për të dashurën dhe të bukurën në poezi janë paksa lasgushiane. Autori të mahnit me sinqeritetin e skajshëm: “Për ty, dashuria ime e çmendur / çmenduria ime e dashur…”

Antitezat e shpeshta na japin të kuptojmë se pavarësisht ndërrimit të gjendjeve, poeti mbetet njëkohësisht rob dhe mbret brenda së njëjtës dashuri:  “Paradite… Jeni vet jeta, toka, dielli / më shumë se vet parajsën bëni… Pasdite…  Helm e vrerë villni e yshteni / drejt meje suleni të më vrisni…” (Ti dhe dashuria). Kështu, lirika e tij arrin shkallën më të lartë kur subjektin në të cilin përqendrohet emocioni e vesh me ndjesi përtej njerëzore: “E njoh një engjëll si femër / mendova, një femër si engjëll!…”, dhe sërish e bën atë tokësore dhe të shkrirë me veten për të treguar mishërimin në frymim e lëvizje: “…si pelerinë më është bërë / e mbaj veshur kudo” (E njoh një engjëll). Si një shpend i lirë shtegtar, imagjinata lëviz nga ëndrra në ëndërr (Imagjinata ime) ndërsa shpirti i dridhet në ndjeshmëri absolute: “Fute shpirtin tim në vazo si lule /
ujite sa herë që Ti ke nevojë për ujë…”
(Fute në vazo). Efekti i harmonisë së plotë lë mbresë të jashtëzakonshme.

Ka poezi tepër të bukura ky cikël. Ndoshta kjo arsyetohet më faktin se autori ka shpirt të bukur i cili din jo vetëm të dashurojë por edhe ta respektojë në kulminacion dashurinë. Duke ditur se thjeshtësia është gjysma e bukurisë dhe se bukuria ideale ekziston vetëm në art, poeti sërish befason me efektin thjeshtësi – madhështi: “…Më kujtohet si sot / asgjë s’të bleva atë ditë / veç të mora…/ Mendova, dashuria është mjaft!” (Dasmën do e bëjmë). Dhe tashmë që harta e lumturisë familjare është kompletuar me fëmijët, ata janë: “…kënga e pambarim / melodia më e bukur e jetuar në jetën tonë” (Dimali). Marrëzia poetike, realja dhe irealja, jo rrallë herë bëjnë vend në ndijimet e tij. Ngjyrat, aromat, lëvizjet bëhen një, duke na mahnitur me lojën poetike që apriori luhet në mendjen e poetit (S’i ndihmova dot). Me sa shohim, shpirti i poetit nuk ka skuta, është i qartë, transparent dhe si i tillë, pakuptueshëm, bëhet joshës në qasjen konceptuale ndaj shijimit të dashurisë.

Në ciklin e dytë poetik, “Dielli i atdheut”, vargjet tjetërsohen në përsiatje malli e mungese ndaj vendlindjes, vendit të rrënjëve, tokës për të cilën poeti që në rini ishte i gatshëm të jepte jetën. Malli, kjo përmendore e padukshme, ngarkohet me jehonën e psherëtimave të largësisë dhe pamundësisë që nga kontineti i largët, ku autori jeton e punon.

Poeti Gjocaj shfaqet tërësisht i lidhur me përditësimet në atdhe, pavarësisht faktit se vetja e tij, fizikisht, është vërtitur përtej oqeanit. Bien qartë në sy notat diku të përmalluara e diku të shqetësuara të cilat me sinqeritetin e pakursyer krijojnë një binom shprehës për tërë format e jetës përqark atdheut. Maturia dhe ndershmëria personale këtu kthehen në cilësi të parë. Ai vulos qartazi misionin personal e poetik në sentencën titull: “Atdheu s’duhet vetëm me fjalë” dhe përmes poezisë urdhëron: “Nëse atdheu dridhet / bëhu diell i tij / ndriço, ngroh dhe prapë ndriço e ngroh / Diell mbi atdhe qëndro”.

Dhembshuria, gatishmëria, dëshira për kthim, ndjesia se me gjithçka që ka i takon tokës mëmë, ndërtojnë një vullkan të tërë ndjenjash, nga i cili shpërthejnë vargjet që nuk janë tjetër veçse llava e shpërndarë në secilin krijim. Sinqeriteti dhe pesha e fjalës shfaqen sërish në nivelin më të thellë. Ato diktojnë efektin e magnetizmit: “Të egër ma kanë bërë atdheun / të mirin, të dashurin, të bukurin atdhe!…” (A të vret atdheu). Kjo poezi me të vërtetë mund të konsiderohet një ode për fisnikërinë pasi poeti, për asnjë arsye nuk lëkundet nga pozicioni i tij në shërbim të atdheut, pavarësisht çdo rrethane.

Tashmë, kur vitet në jetën e tij kanë filluar të pëshpërisin me shenja të mesmoshës, kur vitet lëvizin e rriten, poeti kupton se atje në atdhe është vendi i përhershëm për të marrë ajër. Ky mendim e mban të kthjellët ndaj i shtrydh të gjitha mundësitë për të treguar se edhe vdekja don që ta marrë atje, në atdhe (Do të kthehem). I tretur larg, dhembja e tij është shumëfish më e madhe. Largësia mban peshën e mallit, zbrazëtinë e mungesës, amanetin ndaj vetvetes për t’u rikthyer gjallë a vdekur, e plot e plot ndijime që plotësojnë idenë se përpara majave të maleve të vendlindjes të gjitha të tjerat janë grimca e pluhur.

Me trup në Amerikë e me mendje në Kosovë, endet pambarimisht mes dy gjendjesh, i detyruar t’i bartë njëherësh në qenien e tij. Është dielli i atdheut ai që sërish ia ngroh zemrën: “Pata mendu një copë diell bre / me e marrë k’si rendi / se shpirti akull më është bërë…” (Gjërat në gjysmë më mbetën). Ndarjet mbajnë mes tyre dhimbje apokaliptike ndaj secila ikje, secili largim anatemon aeroportet: “Sa herë e shoh si varr më duket / …kjo godinë gjigande / ngritur mbi themelet e lotëve të paskaj” (Si nuk çmendet aeroporti).

Metaforat e fuqishme shpesh herë pllakosin vargje të tëra, duke i shndërruar poezitë në krijime nga të cilat lexuesi merr fuqi poetike e prozaike bashkë: “…këngët vdesin njëra pas tjetrës / e dielli i huaj as këmbët nuk t’i ngroh”, ose “…rrini aty ku edhe gurët ju njohin” (Mos bëni si unë). Jo rrallë herë këtu shfaqen vargje idealiste të shtjella në bashëkohësi.

Disa njerëz vijnë në jetë si bekim e disa të tjerë vijnë si mësim. Përveç ndjenjës kulmore për atdheun, Shpend Gjocaj na sjell edhe poezi në të cilat vërejmë mënyrën si iu qaset problemeve, poezi që dallojnë për sensin kritik dhe për stilin konciz. Ai, si djalosh fare i ri, ka marrë pjesë aktivisht në luftë për mbrojtjen e Kosovës ndaj me plot të drejtë i dhemb çdo ind i brendësisë shpirtërore kur vëren se shumëçka nuk është siç duhet të ishte. Këtu, identiteti i tij del fuqishëm i shumëfishuar si ushtar i UÇK-së, atdhetar, shtetas i ndërgjegjshëm dhe poet. Me guximin për të thënë të vërtetën edhe nëse ajo dhemb, autori na sjell disa poezi që nxjerrin në pah faktin se ai s’i thotë të zezës e bardhë. Qëndrimi poetik këtu kthehet në mision mbrojtës ndaj atdheut, tashmë jo me pushkë si në fundvitet ’90-të por me pendë dhe vërtetësi (S’mërzitem unë, Pse e vratë lavdinë komandantë, Ç’qen do të kishim, Oligarkët, Bëhu e imja sonte etj).

Cikli i tretë “Ati, biri, poezia” përmban krijime tepër të ndjera për babain, i larguar tani së voni nga jeta. Titulli merr shkas nga ndërtimi i triremës: Ati-Biri-Shpirti, por këtu shpirti është poezia, pasi poezia është vërtetë shpirti për poetin. Babai tashmë i shkuar nga kjo jetë bëhet epiqendër për të birin të cilit i dhemb vdekja e prindit, vdekje të cilën e shndërron në krenari për vete e familjen, dhe si të mos i mjaftonte kjo, e ngre në art duke e transformuar në frymëzim të ndjeshëm poetik. Shtjellimi logjik të dërgon në njohjen e jetës dhe filozofisë së saj.

Vdekja si nocion jetësor është i pranueshëm për poetin, ai është në gjendje të përballet dhe ta pranojë atë, por para prindit, djali poet tregohet i dobët. Zemra i çahet, fjalët i ngushtohen në fyt, dhe rrjedhimisht vargu dhemb. Pikërisht nga ky frymëzim merr titullin edhe i gjithë vëllimi. “E diela e fundit” nuk është gjë tjetër veçse e diela e fundit kur e tërë familja, vajza e djem, nipa e mbesa, me në krye babain, ishin të gjithë së bashku në një tavolinë të madhe: “…Ty, zemra e syri plot t’u mbushën, e kam parë / thua se e bëmë drekën lamtumirëse / veçse nuk ditëm të t’thonim: / “Na e bëj hallall…!” Pastërtia e rrëfimit tashmë na rishfaqet në një tjetër dimension dhe sikur don të na kujtojë se sado të rritur, para prindit sërish ndjehemi fëmijë. Kjo poezi, me fjalor të thjeshtë por me fuqi të madhe shprehëse, me figuracion të ndërthurur poetik, vjen lehtësisht e transmetueshme si pasojë e natyrshmërisë me të cilën na rrëfen ditën, dasmën, vdekjen, urdhërin e Zotit, aktin e mbulimit me flamur… Pakuptueshëm, në vargje bëhet kalimi i gjendjeve nga djali te poeti dhe anasjelltas. I pari thotë: “Veçse nuk ditëm të t’thonim: / “Na e bëj hallall…!”. I dyti thotë: “Sa ëndrrat i patëm / e sa shpejt ëndërr u bëre…”. Paralelizmi dasëm – vdekje ngre në piedestal këngën e dhembjes.

Qoftë si frymëzim letrar, qoftë si formë shkrimi, këtu tragjikja dhe e madhërishmja sendërtojnë ndjeshmëri të së bukurës, sado që bëhet fjalë për mort: “kortezhi yt i ngjante kolonës së dasmorëve…”, “sa e bardhë ishte ajo vdekje…” (Qielli i shtrydhte retë atë ditë).

Shpirti i poetit arrin përmasën e plotë në ciklin e katërt: “Shpirt i dehur”. Autori Shpend Gjocaj që në moshë të re është dalluar për aftësi, inteligjencë dhe dell poetik, si një krijues me potenciale tepër premtuese, dhe ja, vitet vetëm sa vërtetuan jo thjesht praninë por edhe nivelin e prurjeve të tij në artin letrar.

Por nuk është i lehtë çmimi të jesh poet, megjithatë as nuk mund të heqësh dorë aq lehtë. Mes tyre edhe ai, si të gjithë poetët, jetojnë, ecin, flasin, flejnë, zgjohen, luajnë, përplasen…
“Por s’heqin që s’heqin dorë poetët / veten e tyre të fundit e duan / janë pak të çmendur poetët…” (Poetët janë pak të çmendur). Kjo poezi nuk është thjesh poezi. Në të vërtetë në këto vargje del haptazi se Shpendi është i pushtuar nga poezia, aq sa ajo jo rrallë herë bëhet torturuese për qetësinë e tij. Por, po të citonim Sh. Bodler, do të thonim se është një dhimbje e bukur,: “pak të çmendur janë poetët, të çmendur…/ Ata, edhe kur dheu dhé i bën / të dashuruar mbesin!”

Transparenca e meditimit arrin nivele aq të qarta saqë kuptojmë se kemi të bëjmë me një pastërti të kulluar poetike: Të jesh poet dhe larg / dera e lotëve dhe e mallit rrallëherë mbyllet!” (Poet dhe larg). Dhe megjithatë, modestia e tij nuk njeh limit, sidomos në çastin kur si njerëzisht ashtu edhe poetikisht, përulet para Lasgushit (kryepoeti) dhe Agim Ramadanit (kryeluftëtari poet). Poezia dhe lufta për çlirim vetkuptueshëm na shfaqen si dy misione në të cilat poeti Gjocaj është përfshirë, duke përmbushur “detyrimin” kombëtar dhe atë artistik. I ulur këmbëkryq në faltoren e modestisë, ai thjesht shfaq respektin maksimal ndaj dy emrave, kupto: dy lavdive të artit dhe të luftës, për të cilët është në gjendje të përulet rrafsh në tokë. (Edhe krenarisë ia tregoj shkallët).

Ky kapitull është përplot poezi të bukura, mes të cilave renditen jo vargje por krijime të tëra mjeshtërore, sikurse edhe poezia me titull sentencën qëllimore dëshirore: “Pa u bërë poet i mirë s’kam me e lënë!”.

Edhe cikli i pestë, “(Pa)vdekësia”, pavarësisht se i fundit, ruan të njëjtin nivel frymëzimi dhe krijimi sikurse i gjithë vëllimi. Nocioni i të qenurit apo i të mosqenurit bëhet aq shpesh i pranishëm saqë pavetëdijshëm autori na jep të kuptojmë se sa shumë përkujdeset për kohën kur të mos jetë më. Sado që një përqasje e tillë mund të tingëllojë filozofike, Gjocaj e sjell aq njerëzore dhe të prekshme, sa që shpesh të krijon përshtypjen se bëhet fjalë për një diskurs të vërtetë dhe jo imagjinar. Përderisa jeta e tij ishte ngushtësisht e lidhur me atdheun, edhe vdekja po ashtu do të jetë e lidhur me të: “Jeta është si atdheu / egërsohet sa herë që ne e egërsojmë” (Nëse do vdisja sot), “Frymën time të fundit / ta lë ku të parën marrë e kam!” (Ky vend). Sado që poeti është i ri në moshë, ai shpreh shqetësim për vendvarrin pasi është i vetëdijshëm sa shumë ka bërë për këtë tokë. Kjo domosdoshmëri vjen në sajë të faktit se qenia e tij ishte e gatshme në çdo çast të jepte edhe gjakun e fundit për atdhe: “…Një vend për varr  / Kosharja ma mban!” (Një vend për një varr). Në këto poezi, autori ka betonuar pazgjidhshmërisht lidhjen luftëtar-tokë, për të vërtetuar sërish se si dikur në luftë, edhe tani në paqe, për të e jep jetën dhe vetëm asaj i përket. Po në këtë cikël ka poezi të tipit meditativ: “Kur të mbes thjesht një kujtim / a thua çfarë shije do të kenë kujtimet tona…” (Kur të mbes vetëm kujtim), ose poezi me monologë dhe dialogje imagjinare: “…E pastaj qajmë bashkë / ta përkëdhelim varrin tashmë të gjelbruar / si fytyrën tënde dikur” (Nëse vdes unë). Megjithatë, poeti e di se nuk është në moshën për të shkuar nga kjo jetë dhe se ende ka shumë për të bërë, ndaj thotë: “Nëse vdekja sot do çmendej / dhe do nisej drejt meje / s’do ta pranoja / derën asesi s’do t’ia hapja” (Nëse vdekja do çmendej sot). Po ashtu, në disa krijime autori ka gjetur mënyrën të trajtojë kohën e mbylljes nga pandemia Covid 19 e cila aktualisht ende po vazhdon. Të mbyllësh poetin, të izolosh qenien e tij, t’ia kufizosh lëvizjet është vdekje për së gjalli. I sprovuar rishtazi nga kjo mënyrë jetese, ai definon: “…Karantina, kjo dhunuese e pashpirt e duarve t’mia t’lidhura”. Teksa ia numëron vetes brenda mureve ditën e radhës në karantinë, shpirti i gjëmon: “Gjëma e kësaj nate i dridhi tokë e qiell” (Gjëma e kësaj nate). Fakti se është në gjendje të poetizojë edhe në këto kushte tregon se mendimin, ndjenjën dhe fjalën nuk ka “prangë” që mund t’ia ndalë.

Thënë në tërësi, vëllimi me poezi “E diela e fundit” na bind se për poetin Shpend Gjocaj poezia nuk është ekzibicion por qëllim, nuk është shprehje e rastësisë por rezultat i punës së tij krijuese në vite. Gjuha e qartë, figuracioni shoqërues dhe fjala me peshë bëjnë që vëllimi të lexohet dhe përjetohet me emocione dhe ndjesi të larta.

Aspak befasi ky nivel poetik për një autor që i nënshtrohet vetëm muzës së tij, duke ekspozuar para nesh një individualitet të rrallë. Me këtë ligjërim letrar, Gjocaj ka arritur kulminacionin artistik duke na sjellë poezi me kulturë, përmbajtje dhe emocion. Origjinaliteti krijues, larg kalkeve të imponuara, i japin vëllimit dhe emrit të tij si autor, një vëmendje të posaçme, që kritika letrare duhet ta trajtojë dhe vlerësojë në thelb.

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një tërmet me fuqi prej 6.3 ballë sipas shkallës së…