Poezi nga Agron Shele

22 shkurt 2024 | 10:43

Ky jam unë

 

Ky jam unë

nuk di të ndryshoj

ngelem përherë një shqetësim i ditës

një lodhje e orëve rrotulluar në marionetë

e besoj se dhe një çast

mund të gjykojë kuptimin e universit

fantazmave të trurit

në zjarr e në shpirt

për të djegur masën e zezë të botës

në turra, të ushqyera nga gjymtyrët e mia,

që flakërojnë më shumë se një dritë.

 

Marramendje mes hapësirës

dy ritmeve të ndryshme;

atë të prangosjes në altarin e ndërtuar nga besimet e vjetra

dhe nxitimit për të kapur paskohën e humbur,

që s’ ka shtjella

por lumë që rrjedh viseve të mia

i kristaltë si bora që e ushqen

rrjedhës së tij nëpër damarë:

të një menhiri që ende më tregon gjenezën,

të një kalaje që mbrun gjakun e luftëtarit poshtë myshqeve,

të një ure, që lidh kapërcimin e diellit

dhe një bregu, që poshtë lisit të vjetër fsheh kambanoren e humbur.

 

Sakrificë

 

Në gjuhë flake jehon marshi i padukshëm

para absolutes së përjetshme

shpëtimit të hapësirave që kurrë nuk i kuptuam

rrjedhë e formave apo aventurë njerëzore

të çfarë do lloj ritmi

brenda nesh,

si fillim i fundit të një fillimi

dhe fund i një fillimi të një fundi.

 

Para nesh shtrihet e njëjta panoramë.

S’ ka nevojë ta shikojmë;

është një avion që qiellin përpin,

është imagjinata e një anije në lundrim.

është një tren që përshkon stepat më të largëta

apo një metro që zhvendos barkut të një kryeqendre.

 

Kjo është lëvizja

e neuroneve drejt abstraksionit të nesërm

në një kuti magnetike shpejtësie,

që shpërndan thirrje

e sjell profile

të eleve që mbajnë në këmbë arkitekturat moderrne,

si formë

e imazhe të kristalizuara fasadave që poshtë këmbëve dergjin qeniet e zbehta.

 

Duke përmbysur veten tonë

më të fortë se çeliku,

më të butë se era

arrijmë në shkrirjen e një impulsi,

që udhëheq instiktet

devotshmërinë për të kapërcyer çdo ditë paragun e mbijetesës

kënaqësisë, që një muzg e përcollëm kortezhit të natës

dhe një tjetër ditë arritëm ti zbardhim faqen.

 

Nuk mjaftojnë as katër frerë të tëheqin karrocën,

as krifat që valëzojnë kuajt,

as ngjizja nga hareja,

kjo është epoka e distilimit të ajrit

braktisjes në rrokullisje nga krijuesi,

legjimitet i një fryme tjetër

sakrificë e njeriut brenda mureve.

 

Përpjekje

 

Në rrugët e mia shfaqen trajta të tjera

të atyre që shkuan dikur

pa bujë e zhurmë

thjesht kalimtarë që na sollën ne sot,

ndoshta të ndërtojmë tjetër botë,

përsëri mes lutjeve të tyre

diku në një orakull apo gur të heshtur

që Hyu i detit e dërgoi për të lagur tokat e egra,

të shuante etjen e përpjekjes së pareshtur

dhe të çelte përmbi kreshta kurorën e gjelbër.

 

Në rrugët e mia kam ndeshur dhe shpirtin e njëjtë

fluturuar dritës që zgjohej në vegim

e kështu e bardha jetë hapur horizonteve

vinte me pëshfaqjen e luleve në zgjim.

 

Në rrugët e mia kalon karvani i heshtur

dyndjes biblike; pa tokë e atdhe

por të gjithë rendjes së shekujve me ngulm

mundimit e përgjakjes së njeriut për njeriun

ngritur kulteve që prekin gjer në re.

 

Në rrugët e mia ka lot dhe zjarr

sepse dhimbja lindi bashkë me njeriun

heshtjes murnajë, hijeve të padukshme

tek regëtin një shpirt i përlyer

ardhur dhe ikur si pasion i vjetër

humbur përjetë pafajësisë dëshirë

tek digjej me një yll që rrëzohej përfund

e kthehej më pas si më i bukuri kujtim.

 

Në rrugët e mia ka shumë dashuri

për ata që botën e ndiçojnë çdo ditë,

përmes syrit të qiririt djegur

dhe shëmbëlltyrës ardhur religjionit besim.

 

Shkallë universi

 

Çdo ardhje duket e padukshme

por thellë në gjenezë fsheh parardhësin e paralindur

fsheh dhe pasardhësin e palindur

gjymtyrë të një trupi në rendje

vaj e gëzim

përgjërimit e fatit

gjer në ashtin e kufijvë të tokës

që e sjell

dhe sërish e merr

për të ndërtuar eshtrat e saj të gurëzuara

në zemra zhuritëse

dhe identitet.

 

Ndjen si rrënjëzohen rrënjët e errëta

tokës së kalbur

ankthit gjer tek frymori,

për tu shkëputur nga këmisha e trupit

mishit të tij

për tu çliruar.

 

At, je bërë si kalë i plogësht

që vetëm krifet kanë ngelur në erë

thundrat janë zbathur betejave të pa nisura

imagjinuar

në troke të përbotshme

që krenarinë kthjenë në jehonë.

 

Nuk fsheh asgjë,

as humbjen përbrenda universit,

por as triumfin që zgjat kaq pak,

fare pak,

aq sa legjenda e të lindurit

kafshon të brendshmet e tua

dhe mua më vjen të ulëras…!

 

Në këtë kohë

 

Në këtë kohë,

ku regëtima shiu dëgjohen pemëve të zhveshura

nga shtjellat e qiellit të bronxtë

dhe kokrramat e korbave ngjyer në të verdhë

vetem një pemë drejton trupin

parkut të boshatisur,  veçuar

e derdhur rrënjësh murnajës gri,

si vetë koha që gjegj pëshpërimat

e zogjve të fundit,

që s’ dinë ç’ është braktisja

e strehë të vetme kanë një qiparis.

 

Në këtë kohë

mendimet humbasin

dhe vështrimi ligështohet

në ngjyra të zbehta

mbetur

tatuazh në lëkurë

i prekjes së një stine të dikurshme

rrethuar  gjerdanit yjëzuar

me smeralde fshehur

blusë më të thellë shpirtit!

 

… dhe më pas

një fijëzim përthyer prizmit ngjyrë nga kisha e vjetër

xhamash akrelinë

mbushur mërmërima të murgjërve shkuar

tingujve heshtje të kambanores që nuk dëgjohet më

dhe statujës ngritur me krahë të kryqëzuar

në pritjen e faljes së mëkateve të mëdha

a përndjekjes së demonëve stampuar frikshëm kupolës më të lartë

me sy të djallëzuar

e ngulitur

tek më e shenjta engjëllorja Magdalenë.

 

Një grua

 

Mos prisni që ajo të eci me shallin e hedhur supit nëpër rrugët e ftohta,

as të kërcasë takat në memorien e heshtur,

as të shikoni imazhin e saj xhamave të vitrinave,

sepse rrëzëllimi saj

është më shumë se një diell

që ngroh, kur akujt shndërrohen në qirinj

e prekin gjer në asht tokën

për të thyer një mit të atij dimri

që vdes në bebëzat e syve

e rilind

duke përqafuar dritën.

 

Një imazh që shfaqet vezullimit yje

e bashkë me të shtrin erën flokë

tek një pyll, ku flenë drerët

e gjurmët e thundrave lenë pas nëpër borë,

si magji e shfaqur në shkrepëtimë

robëri e fatit dhe kërcimit trazim

dejt asaj shëmbëlltyre

që vetë zoti e ka krijuar,

shenjtëri

në mbretërinë e çdo fryme.

 

Mos prisni që ajo të ligështohet

se dhimbja ecën me gjakun

e gjaku me ndjenjat përjetësi,

si hyjni

e asaj force që ngre në këmbë perënditë

engjëjt për çdo ditë,

kuptuar heshtjes së ndërrimit të shekujve,

se jeta është më shumë se një përpjekje

që kalon portave të ylberta

e hap kanatet jetë

buzëqeshjes së një gruaje!

 

Kalipso

 

Të thuash dritë

është si të prekesh të gjitha ngjyrat e kohës

të shohësh kuptimin e pafundësisë

me sy të kthjellët

mbi të gjitha errësirat.

 

Si në një ishull

ku dallgët e trazuara mbajnë anijet larg

dhe palmat përkulen gjer në tokë gjatë stuhisë

fërshërijnë muzikën e sirenave,

sa të largët

aq dhe të paprekshme,

thjesht një mit i hyjnizuar

mes kufijve të udhëtimit të munguar

dhe rrymave të egra në mendjen e detarit

i humburi përjetshëm turfullimit të ujërave.

 

Dalngadalë mëngjesi feks

mbi karthicat e një *Kalipso që mbjell shiritin e zjarrtë të diellit

deri në pafundësinë e imagjinatës

atij bregu,

që afron strehëzën e fundit

dhe mbron dashuritë e kësaj bote!

 

Rikthim

Sot ra borë
dhe ti u riktheve sërish
në fjolla të dlirta
dhe vallëzim drerësh
atje në pyllin e shtëngatave të dhimbshme
ku brirët kryqëzohen
e për çdo përplasje
një shkëndijë e ngritur në qiell
ndez yjet
dhe flakërimat zbesin syve të tu.

Sa mund ta dua këtë çast
hapëryer shkëlqimit të dritës
në këtë bardhësi,
ku jeta, zbardh gjurmëkohën e një dashurie të shuar
*requem, i dëshirave të harruara.

Zgjohu vogëlushe nga ky gjumë i thellë
shiko përmes ëndrrave që unë ti rrëmbeva
e më pas;
një qilim ku gjurmët tona
ishin vallëzim i shfrenuar në kohë
përqafim hyjnor
dhe një gotë vere më shumë,
për aq sa të gjithë yjet në qiell u shuan!

Sonte nuk dua të zbres shkallët …!

Sonte e pashë veten njëlloj si një sfinks guri
në portën kryesore, ku vizitorët shikonin ngjyrën e tjetërsuar në të hirtë
shkrirë borës së fundit,
ndanë një flladine që ngrinte krye
rrënjëzuar keq
në trup dhe shpirt,
shpëtuar kosës së kopshtarit të parkut,
që duhej të shfaqte në të gjitha përmasat gdhendjen e skluptorit
trajtën njerëzore në eliksir të plotë,
ca më shumë me hire tërheqëse
koka legjendash
rrëmbyer nga ndodhitë e lashta
e sjellur kaq afër,
për të rrëfyer lundrimin në dete të akullta.

Sonte e pashë veten dhe si hije
avitur dritares së *Poe
ti bëja pak shoqëri natës së tij të harruar
në një takim mbresëlënës,
ai në momentet e fantazisë së çmendur
unë thjesht një shtegtar i gjorë,
që kryqëzon rrugën e përndritjes në një qiri që ka harruar të fiket.

Sonte e pashë veten dhe si mëkatar;
pranoj që mund të kem shkelur Ungjillin,
atë të dehjes dhe shkrirjej një me ëndrrat e shfrenuara
në një taverrnë ku luhet përherë muzikë,
teksa Hirushja kërcen mbi tavolinë
gotat zbrazen dhe të gjithë duan të paguajnë çmimin e falur,
ndërsa ajo ka ikur dhë është tretetur bashkë me smogun e një cigare.

Sonte e pashë veten dhe si njeri
thjesht një qenie që ëndrrën e shikon në kometa të thyera
plot zjarr e pasion
por dhe mendimit se vërtet egziston,
ditës së nesërme,
që do shtojë thinjat
çastit të vetëm,
si frymë fosforeshente
dhe shkëndijë që do shpërthejë anembanë botës!

Sonte nuk dua të zbres shkallët …!

 

 

Zambaku në liqen

 

Çuditem më the:

si nuk e ndjen pëhere të njëjtën aromë parfurmi

*Miss Dior

në vjeshtë dhe në dimër,

kur natyra zhvishet dhe pemët ndjejënë të ftohtin në asht

në shpirt dhe trup

me dëshira të fshehura

dhe shpresës se lulëzimi do të vijë tjetër stinë.

 

Çuditem dhe më shumë

kur kaloj fare pranë teje e ti s’ më shikon,

por harron se murgu ka kohë që shikon vetëm manastirin

dhe tek qiparisi i tij sytë i gozhdon.

 

E ç’ duhet me shumë

se një pejgamber i hapur

dhe një plegrin që kohën e pakohë zbulon

në fshikulla të fshehta dhimbje

dhe shenja që me trupin në dhe’ do i çojë..

 

Pastaj s’ mund të harroj

se si koketën e mbledhur e lëshove përfund,

si një sharm të ethes së mëkatit

dhe një drithme që përshkon marrëzisht.

 

Ti arrite gjer tek mua

shelg u bëre dhe u përkule gjer në dhe,

ndërsa parfumi ndiqte bukurinë e trazuar bordurave të njohura

në një fluturim të bardhë që ngjitej përmbi re.

 

Ti fole shumë e më shumë

për aromat e jetës,  gjithësesi

lule të çelura në sytë e një gruaje

dhe zambakë të prehur kaq qetë mbi një liqen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një tërmet me magnitudë 4.1 ballë të shkallës Rihter ka…