Poezi nga Arjana Fetahu Gaba
I DASHUR GJYSMA IME
I dashur gjysma ime më e mirë,
Çerek shekulli i mbushëm sot në kalendar,
Dy të panjohur në të njëjtin stacion,
Dy bashkudhëtarë.
U nisëm dhe udhës jemi ende,
Me mijëra të panjohura ky destinacion,
Çdo luftë e fitore ka qenë e vërtetë,
Me lot, të qeshura dhe plot emocion.
Ti s’më ke dëgjuar sa herë të dua kam thënë,
Dhe më shumë kur kemi qenë të hidhëruar,
Ti ndoshta s’e di se botën time,
Ti e ke në duar.
Dhe kur të dy mbajmë mëri prej fëmije,
Për gjëra të vogla që s’kanë fare vlerë,
Unë qaj nën zë se jam grua e rritur,
Dhe fshihem shpesh pa u ndier.
Çdo gjë që lëviz në kohën time,
Ndalon kur ti s’më thua një fjalë,
Heshtin gjethet nga fëshfërimat,
As deti s’ka valë.
As zogjtë s’më çojnë në tjetër gjendje,
Dhe unë nuk dua që dimrit t’i ngjaj,
Për një buzëqeshje ka nevojë zemra ime,
Po fol që dreqi ta hajë.
Ndaj jetën e kam ndarë me ty,
Dhe shpirtin tim jo më pak,
Unë e ti jemi nga ato dashuritë,
Që s’digjen asnjëherë nëpër flakë.
KOLLAJ TË VDESËSH…
Unë kërkova
Të këpus një lule të bukur,
Në një kopsht,
S’më lanë.
Unë nisa të ec,
Gjatë një rruge,
Ku kisha ëndërruar,
Më kthyen,
e poshtëruan.
Unë u mundova,
Ta prekja,
Sadopak parajsën,
Më thyen turinjtë,
Më varën kokë poshtë.
Atëherë u mundova të jetoja
Me mënyrën më të thjeshtë,
Po prapë,
S’më lanë as të jetoj.
Vendosa më mirë,
Të shkoja me vdekjen,
Dhe çuditërisht më lanë.
“Është fare kollaj të vdesësh,
Mirë do të bësh”
Më thanë…
A ka me barbarizëm,
Ç’po më thonë këta?!
Këtyre frymën kurrë s’u jap,
Unë kam ende forcë,
Që të ngrihem prapë!
NËSE TË PYESIN PËR MUA
Ndoshta ndonjë ditë do të arrij të plakem
Dhe se kush jam do të kem harruar
Ashtu sikur lulet harrohen e vdesin
Nga dimri i tërbuar.
Ndaj një ditë kur të shkoj për mos t’u kthyer
Sendet e vyera m’i ruaj dhe ca
Mos ki frikë nga debitë se do t’i kem shlyer
Dhe pse gjithë jetën më lanë fukara.
Dhe nëse të pyesin për mua u thuaj
Që jetën në çdo moshë dashurova,
Tregoju po deshe sekretet e mia
Ato që s’munda dot t’i tregoja.
Mos harro t’u thuash, s’luftova me armë
Se luftërat nuk sjellin gjithmonë liri
Po mendjen e kisha diell të artë
Dhe zemrën flori.
Unë patjetër do të kem lënë pambaruar
Në shënimet e mia, ca vargje që presin
Mbaroi po deshe të më dalë mërzia
Që si unë mos të vdesin.
RRI DHE PAK E DASHUR
Rri dhe pak, se të kam gëzim në shpirt,
Je flladi i pranverës kur çel harbuar,
Je shtojzovallja në ëndrrat e mia,
Je një e vërtetë e pasajuar.
Si magjia e një ylli zjarrmon në çdo kohë,
Ti ujëvarë malesh që shkëlqen argjend,
Me sytë e tu këtë shpirt ma ngroh,
Pa ty dhe ajri s’po zë dot vend.
Rri dhe pak e dashur se s’të ngopem dot,
Shiu i rrëmbyer ende jo s’ka thënë,
Në krahët e mi asnjëherë s’bën ftohtë,
Ndërsa jashtë mos qoftë e thënë.
Minutat fluturojnë si për inatin tim,
Dhe akrepi i dalldisur vështron si një xhind,
Ndërkohë unë hutuar nga koha që s’pret,
Nuk di më parë se cilin të bind.
ÇAME E BUKUR GRIGOHORITE
Në pikën e parë të dramixhanit,
Me një të shpejtë te gëlltitur,
Mbylla sytë se ç’u kënaqa,
Shtatë rrufe sikur kisha pritur.
Në pikën e dytë të dramixhanit,
Zemra nga një prush m’u ngroh,
Seç me erdhën ashtu sajdisur,
Fjala të dua dhe ajo.
Më erdh në mendje, kur pritë i zura,
Në pikën e tretë të dramixhanit,
Faqet e saj skuqur nga turpi,
Por dhe zjarri që më kish xhani.
Pastaj një këngë ashtu shtruar mora,
Për atë vajzë nga Grikohori,
Që më ngreh të kërcej hopa,
Që ngadalë shpirtin ma mori.
Vajza peri ka Çamëria,
Të kulluara si ujët e malit,
Me shami lidhur aq bukur,
Me flori kaluar ballit.
Kjo raki sonte ç’më ndezi,
Do të bëj dasmë ta rrëfej,
S’duroj dot moj mikja ime,
Osman Takën do të kërcej.
Do të mbledh miq e shokë boll,
Sa te çelë molla e parë,
Çame e bukur Grigohorite,
Mezi pres të vij behar.
KU TË KAM MOJ NËNË
Ku të kam moj nëna ime,
moj e shtrenjta nënë,
Dimri hodhi gjithë mërzitjen,
e s’la gjë pa ngrënë.
Pemët zhveshur nga jeshili,
bora shumë i ka mërdhirë,
Duken sikur janë gjymruar,
E ti ndien mëshirë.
Mua brenda më ka strukur,
pranë zjarrit plevitosur,
Jam sëmurë e kam të nxehtë,
buza mavijosur.
Ku të kam moj nëna ime,
hajde kam shumë mall,
Më mbështill sikur e vogël,
dhe më fol dy fjalë.
Duart sikur trëndafili,
të butat duar pëndë,
Sot kjo kollë se ç’më çjerrë gjoksin,
rëndë edhe më rëndë.
Me çaj mali nga mali i shqipes,
Më shëro moj nënë,
Këtij oqeani që m’u nda xhani,
Me shpirt po e nëm.
Bëj të ngrihem dhe rënkoj
moj nënë ku të kam,
Para teje sado të rritem,
e vogël unë jam.
Ndaj një lot më pikon faqeve,
më vjen të ulërij,
Zemra është aq mbushur plot,
sikur do të më plasë.
Nëna ime, xhani im,
sot do të doja të kisha pranë,
Malli hedhur vello shpirtit,
Një mallkim mbi oqean.
HËNË MOJ
M’i puth lotët,
hënë,
ata më vijnë nga zemra,
qenien time,
thyejnë rëndë.
Porsi eshkë, degë e tharë,
më kanë shkundur,
zhveshur syrit,
sa kam qarë,
si kam mundur.
Rruga ime mbeti shkret,
edhe nata,
yjet pret,
si ka parë,
në të vërtetë.
M’i puth lotët,
hënë,
sa kam pritur.
Autorja jeton në Garfield, Nju-Xhersi – USA