Poezi nga Avdush Canaj
LETËR NËNËS NGA BURGU
Nënë, gozhdët m’i kanë ngulur,
thonjtë m’i kanë shkulur,
syrin ma nxorën te dritaret,
aty tash, o nënë, fikin cigaret.
Këmbën ma thyen ditën e shtatë,
bishat mbi mua i lëshojnë çdo natë,
më kafshojnë, zbrazin vrerin
edhe zemrën duan të ma nxjerrin.
Dje më tha ai qeni i zi
do të të hamë me meze e raki.
Jam i fortë, s’nxjerr zë gurëdheu
Vetë Prometeu, nënë, Prometeu.
Ti për mua s’vë gjumë në sy
deri në mëngjes,
je nënë
dritë e yllësisë.
Dashuria jote s’më le të vdes
dhe s’do të vdes, o nënë
s’do të vdes
pa ia shtypur kokën lubisë.
(Burgu Ushtarak, Sarajevë, maj 1983)
HEKURA E HEKURA
Kot vunë hekura
e hekura
në të katër anët.
Dielli megjithatë përbirohet
kur s’është roja
dhe na i ngroh
duart e akullta.
(1984)
EMRA LISASH
Nëpër rrathët e ferrit
gjeta emra lisash:
Metush,
Adem,
Rexhep,
Kadri…
Gdhendur nëpër shkronja
s’ishte tharë ende gjaku.
Shkrova edhe unë
emrin tim.
E luta Zotin
të jem i fundit
derisa të vijë ditëbardha,
e Lumja Ditë!
AKULL NGA STREHËT E REVE
Pas punës së rëndë
që bëjnë vetëm kuajt e fermave
hapen për ne dyert e banjave
për ta larë pluhurin e ferrit.
Uji i ngrohtë ndalet sakaq,
s’mbërrijmë as ta largojmë shkumën e sapunit.
Mbi trupat tanë me plagë
bie shi i akullt si nga strehët e reve.
Ne ëndërrojmë,
çdo ditë bëhemi më të fortë
se lisat, se gurët
edhe pse dimri ka hyrë
në palcën e eshtrave,
edhe pse kolla jo rrallë
dërrasën e gjoksit na e çan.
(Burgu i Foçës, 1985)
ME FYTYRA UJQISH
Dhjetë shkopinj gome në kurriz
dhjetë në veshka
s’i harrojnë as brinjët
as shputat e këmbëve.
Edhe dhjetë të tjera
që s’na ndihet ofshama
me duar të lidhura.
Kjo është kënaqësia
e milicëve të kasapit
me fytyra ujqish.
Ne sërish ngjallemi,
qelive ia krisim këngës
sërish.
(Burgu ushtarak, Sarajevë, verë 1983)