Poezi nga Avdush Canaj

21 mars 2024 | 09:19

NGA GJYKATA USHTARAKE NË SARAJEVË

 

…fajtor pse ke thënë:

e dua Lokemadhen,

Nënëloken.

Është Nëna ime.

 

… pse ke puthur

në ballkonin e shtëpisë sate

në Gjilan

flamurin me shqiponjë…

 

… pse ke shkruar në një poezi

do ta vrasim një ditë ujkun

 

… pse ke pëshpëritur

në autobusin e linjës Gjilan-Prishtinë

ata po na e pinë gjakun tonë…

 

… pse ke kënduar një ditë

për Shotë Galicën, Bajram Currin,

pse e ke quajtur Beogradin

xhelat.

Ke bërë krim

prandaj dënohesh me pesë vjet burgim!

 

(Burgu ushtarak, 13 maj 1983, Sarajevë)

 

QENI

 

Në orën e shëtisë

mes muresh deri në qiell

në vend të milicit

na ruan një qen i zi.

 

Është i mirë ai,

s’na urren si ata.

 

Dje ia ledhatova pakëz ballin,

kur u afrua afër meje

i fola:

Ne s’kemi bërë asgjë të keqe

ta dish edhe ti

vetëm pranverën tonë kërkojmë.

 

Më shikoi dhembshurisht,

lëvizi bishtin,

e di, e di, desh të më thoshte

si qeni i shtëpisë sime

dhe m’u hodh në gjoks.

 

Sot s’e pashë

as e dëgjova lehjen e tij.

 

Thanë

e vranë për tradhti.

 

Ne e nderuam

me një minutë heshtje.

 

(Burgu i Foçës, prill 1986)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
MOTIV TJETËR   në ditëlindjen e gjashtëdhjetë më dolën dhëmbët…