Poezi nga Avdush Canaj shkruar në burg
QELIA
Dera e hekurt
një dritare
shtrati beton me batanije kali
nënkresë krahët
karrigia me shpinë të prerë
pa një këmbë
tavolina që e grimcojnë krimbat
ditë e natë
gjysmë shapka pa ujë
nevojtore
një bidon bërlloku
qelia
aty brenda trimi
për dy shkronja gjaku,
shkronja drite:
KR
(Burgu ushtarak, Sarajevë, 1983)
QIELLI BIE
Kur e përplasin
derën e qelisë
qielli bie
brenda.
Unë
e ngre përpjetë
me duart
e mia
të forta
(Burgu ushtarak, Sarajevë, 1983)
E GURTA
Nëna
e forta
Nora e Margës*
erdhi me krenari
në ferrin e ujqërisë.
Telat gjemborë s’e lanë
të çmallej me mua.
S’iu pa loti,
kokën lart te qielli
shtrëngoi grushtet
burrërorja:
Do të bëhet mirë, bir!
Tek unë e pa
diellin
e gurta
nëna
(Burgu ushtarak, Sarajevë, 1983)
*Marga, Lumi Morava në kohën e Ilirisë.
NDOSHTA KËNDON DITA
Ndoshta përjashta është ngrohtë!
Dita e bukur si sytë e vajzave
në faqet e kopshteve
pikturon pranvera.
Ndoshta këndon dita!
Në qeli dimër
errësirë
dhe plaga ime
e ngrirë.
(Burgu i Foçës, 1985)
SI PUTRAT E ARIUT
Pjatat e drekës i mblodhën sot
nga qelia e fundit
numër 12
aty ku jam unë.
S’arrita ta fusja lugën
t’i gjeja ato pak kokrra fasuleje.
Një dorë si putra e ariut
ma rrëmbeu pjatën.
U krye dreka.
M’u dhimbsën buburrecat
mbetën të uritur,
njëri mallkoi:
Të vraftë Zoti!
(Burgu ushtarak, Sarajevë)
ME FYTYRA UJQISH
Dhjetë shkopinj gome në kurriz
dhjetë në veshka
s’i harrojnë as brinjët
as shputat e këmbëve.
Edhe dhjetë të tjera
që s’na ndihet ofshama
me duar të lidhura.
Kjo është kënaqësia
e milicëve të kasapit
me fytyra ujqish.
Ne sërish ngjallemi,
qelive ia krisim këngës
sërish.
(Burgu ushtarak, Sarajevë, verë 1983)
KRISMA SHKRONJASH
Shkronja K
15 krisma ka në qeli
R njëzetekatër.
KR
Herë në mure,
herë në hekura.
Kosova Republikë
Ujqit si bien në fije
ulërijnë:
Ç’është kjo krismë e frikshme
pesëmbëdhjetë herë,
pastaj 24?
Krisma shkronjash.
S’e dinë se është
kushtrimi
për Diellin e Kosovës.
(Burgu ushtarak, Sarajevë, 1983)