Poezi nga Bardhyl Mahmuti: Burimi dhe “sytë e Simonidës”

21 mars 2025 | 12:27

Në ditën ndërkombëtare të poezisë, po sjell për miqtë e mi poezinë që ia kam kushtuar tragjedisë që i ndodhi një fëmije shqiptar në Pozharevac të Serbisë.

Sqarim paraprak për ata që nuk dinë asgjë për këtë tragjedi.

Pas katër vjetë e gjysmë i burgosur në burgun “Zabela” të Pozharevacit, në tetor të vitit 1986 më zhvendosën në burgun e Shabacit (Serbi), bashkë me Ramadan Avdiun dhe Mustafë Ademin. Në këtë burg na mbajtën tetë muaj dhe në qershor të vitit 1987 na zhvendosën në burgun e Zajeçarit, në kufi me Rumaninë. Në këtë transferim, treshes sonë iu shtua edhe Ali Ahmeti, nga fshati Botushë i rrethinës së Gjakovës.
Ishte koha kur Sllobodan Millosheviqi mobilizoi strukturat e Lidhjes së Komunistëve të Serbisë, për të përshpejtuar ndryshimet kushtetuese, që do t’i hiqnin autonominë Kosovës. Në funksion të prezantimit të gjendjes së serbëve të Kosovës si “të padurueshme”, për shkak të gjoja “diskriminimit që bënin shqiptarët ndaj tyre”, shtypi serb i asaj kohe villte vrer kundër shqiptarëve. Për të nxitur urrejtjen ndaj shqiptarëve, propaganda serbe ua mvishte shqiptarëve fajësinë për akte të përdhosjes së varrezave serbe dhe të objekteve të kultit fetar ortodoks. Për të ilustruar “vandalizmin e shqiptarëve ndër shekuj”, nuk mbeti gazetë serbe pa publikuar poezinë “Simonida” të Millan Rakiqit..
Në kontekst të kësaj fushate, më 13 korrik 1987, në qytetin Pozharevac (vendlindja e Sllobodan Millosheviqit), ndodhi një krim i tmerrshëm: përpara vitrinës së ëmbëltores me emrin “Tetova”, një serb i kishte nxjerrë me thikë syrin Burim Beqirit, fëmijë shqiptar i moshës 7 vjeç, djali i Ismet Beqirit, pronarit të ëmbëltores, që ishte nga fshati Siniçan i rrethinës së Tetovës.
Kjo ngjarje më tronditi shpirtërisht. Menjëherë më erdhi ndër mend analiza e shkëlqyer, që Mark Krasniqi i kishte bërë nxitjes së urrejtjes antishqiptare nëpërmjet sajesave, për t’ua adresuar shqiptarëve krimet që nuk i kishin bërë.
Në shkrimin “Sytë e Simonidës”, të botuar në përmbledhjen e shkrimeve të Mark Krasniqit të titulluar “Gjurmë e gjurmime” (1979), përshkruhet strategjia politike serbe dhe e kishës ortodokse serbe për të fajësuar shqiptarët për shkatërrimet, që gjoja u kishin bërë monumenteve kishtare. Si ilustrim Krasniqi merr shembullin e poezisë “Simonida” të poetit dhe diplomatit serb, Millan Rakiq (1876-1938).
Gjatë viteve të fundit të Perandorisë Otomane, Millan Rakiqi ishte konsull i Serbisë në Prishtinë. Në këtë funksion ai ka luajtur një rol tepër negativ, duke nxitur serbët lokalë që të rreshtoheshin përkrah Perandorisë Otomane kundër kryengritjes së popullit shqiptar. Në funksion të strategjisë serbe, ai shfrytëzoi talentin e tij artistik për të bërë një përmbledhje poezish për Kosovën, në mesin e së cilave edhe poezia “Simonida”.
Fjala është për një afresk kushtuar Simone Paleologut, vajzës së perandorit bizantin Androniku II Paleologu, të cilën i ati e martoi me mbretin Stefan Urosh II Milutini, kur ajo ishte 5 vjeçe. Për hir të bukurisë së saj, Stefan Uroshi II Milutini urdhëroi prezantimin e saj në një afresk në kishën e Graçanicës.
Stefan Uroshi II Milutini ishte i njohur edhe për krimin që bëri ndaj birit, duke ia nxjerrë të dy sytë, që ky të mos kishte asnjë mundësi të pretendonte fronin mbretëror. Duke u mbështetur në burimet serbe, Mark Krasniqi vë në pah se, pas vdekjes Stefan Uroshit II Milutini, jeta e Simone Paleologut nuk ishte e sigurt. Prandaj vajza ikën dhe kthehet në Konstantinopojë. Ndërkohë, dikush e ka dëmtuar afreskun e saj në këtë kishë, duke ia nxjerrë sytë!
Pesë shekuj më vonë, Millan Rakiqi “zbuloi” se këtë “krim” e kishin bërë shqiptarët! Për të aktualizuar “vandalizmin e shqiptarëve” ndaj kishave ortodokse në një kontekst historik, kur krijoheshin shtetet në këtë pjesë të Ballkanit, ai shkroi poezinë prej pesë strofash “Simonida – (Afreska në Graçanicë-objekt bestytnie)”.

Në shkrimin e Mark Krasniqit gjendet një përkthim i lirë të strofës së parë të kësaj poezie:

T’i nxorën sytë, e bukura pikturë!
Një natë shqiptari, i mbrojtur nga terri,
Në kishën e vjetër, aty mbi mur,
Me maje të thikës të dy sytë t’i theri.

Përkundër të pavërtetave që ngërthen në vete interpretimi artistik i vandalizmit të afreskut të Simonidës, poezia e Millan Rakiqit në vazhdimësi ka qenë e përfshirë në antologjitë e poezisë serbe dhe në pjesë të letërsisë së detyrueshme gjatë procesit edukativo-arsimor në Serbi.
Përkundër asaj se edhe autorë serbë e kishin hedhur poshtë si të pavërtetë interpretimin e Millan Rakiqit, poezia që nxiste urrejtjen kundër shqiptarëve nuk u hoq nga sistemi edukativo-arsimor.
Analizën e shkëlqyer për “Sytë e Simonidës” mund ta gjeni në përmbledhjen e shkrimeve të Mark Krasniqit, “Gjurmë e gjurmime”, të botuar në Prishtinë, në vitin 1979.
E kisha të pamundur gjatë kohës që isha nëpër burgjet serbe të shkruaja diçka rreth krimit që ishte kryer ndaj Burim Beqirit. Mirëpo në imagjinatën time lundronte fytyra e përgjakur e një fëmije 7-vjeçar që kishte përjetuar tmerrin, pa e kuptuar arsyen e krimit që u krye ndaj tij. Dhe në këtë përfytyrim shihja Burimin përpara afreskut të Simonidës!
Pas daljes nga burgu, në mars të vitit 1989, në gazetën “Bota e re”, botova poezinë e mëposhtme:

BURIMI PARA AFRESKËS SË SIMONIDËS

Mos më pyet a pata dhimbje
Simonidë!
Terri më shpoi shpirtin
Loti m’u kthye në zemër
Zemra loton gjak
Gjaku m’u bë vrer
E unë
Burim helmi
Nga e njëjta thikë
Simonidë!
Si? Si the Simonidë?
Të pëlqen qelqi që kam në gropë të syrit?!
Oh!
Po. Ke të drejtë!
Është i bukur.
Nuk rrudhet
As nga mosha,
As nga vuajtjet.
Më vret mjaft
Por
Pa të i tmerroj fëmijët
Simonidë!
Ti – freskë e bukur
Heshte shekuj me radhë
Unë – përmendore e gjallë
Flas vite me radhë
E njerëzit
Sy
E
Vesh
Me lesh.
Edhe pse s’i pashë fytyrën
atë ditë,
E di se mbetëm pa sy
Nga e njëjta thikë
Simonidë!

No description available.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Futbollisti i famshëm, Cristiano Ronaldo, ka adresuar spekulimet mbi martesën…