Poezi nga Bedri Zyberaj
21 mars 2024
| 12:59
DËSHPËRIM
Zotynë
Sa të fortë ishim kur shkruanim në gurë
Sa anemik jemi nën dritat e neoneve
Sa me besë ishim kur patëm shpata në dorë
Sa vëllavrasës u bëmë në udhën e shkronjave
Sa mirë shihnim nga majat e maleve
Sa të verbër jemi pranë llambadarëve
Zotynë
Sa madhështor qemë në vogëlsinë tonë
Sa të vegjël u bëmë me madhështinë tonë
Prishtinë, më 9. XII. 2011
FATI IM
Malli
Shpresën ma mban gjallë
Itakën time nuk e prek dot
Edhe pse erërat vazhdimisht më nxjerrin afër saj
As Penelopa nuk është atje ku duhet të jetë
Telemaku ulok qëndron bri vatrës
Vazhdimisht limane mashtruese kaptoj
Këtë fat paskam
Të ekzistoj
- XI. 2015