Poezi nga Bekim Muhaxheri

21 mars 2024 | 12:58

SHTIRJE

 

Aty ku vdesin ëndrrat

Fëmijët nuk guxojnë ta prekin qiellin

Teksa rriten,

As të dalin nga rreshti

I jetës së përditshme.

Gjithçka duket e rrafshët, e hirtë,

Pa maja, pa ecje përpara

Njeriu është i vogël, i bindur,

Si ushtarët që zbatojnë urdhrat.

Jeta merr frymë me frikë

Si një kafshë që ndiqet vazhdimisht

Nga ujqit,

E liria është vetëm fjalë e shkruar

Në librat e ndaluar.

Aty ku vriten ëndrrat

Askush nuk mund të jetojë

Pa maskën e njeriut të lumtur

 

SI KËPUTEN PRANGAT

 

Kokat duhet të jenë të ngritura lart

Me shikimin drejt përpara

Përtej radhëve të armiqve

Dhe asaj që shihet

Ëndrrat duhet të jenë të bardha,

Të pastra si lotët

Për t’u besuar,

Për të shkuar pas tyre

Liria duhet të mungojë tmerrshëm,

Të jetë e lidhur me zinxhirë

Në qelitë e errëta si nata,

Por besimi të qëndrojë në këmbë,

I pathyeshëm,

Si flamur i ngritur lart.

Frika duhet ta ulë kokën,

Të bie në gjunjë

E të lutet t’i kursejnë jetën

Qielli duhet të jetë i kuq si plagët,

Si lulëkuqet, si lindjet e diellit,

Ndërsa vdekja vetëm një buzëqeshje

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
KUR HYNË SERBËT NË MOGLICË   Kur hynë serbët në…