Poezi nga Blerim Rrecaj
21 mars 2024
| 13:01
EC SKAJ RRUGËS SË HEKURUDHËS
Ec skaj rrugës së hekurudhës
Asnjë tren tash nuk lëviz
Në largësi shoh ca fëmijë romë
Që gjuajnë me gurë si pa qëllim
Sikur kanë nisur një protestë
Të vrullshme e të dhunshme e me hov…
Ecjen skaj hekurudhës e vazhdoj
E dikush brenda binarëve
Si një lloj marathonomaku vrapon
E unë mes këtyre dy pamjeve
Shikoj…
NGA AUTOBUSI NË AUTOBUS
Shoferi kështu do
Dhe lëvizjet e autobusit janë mesatare
As të ngadalta, as të shpejta
Na bartin neve udhëtarëve
Bashkë me këto këngë e këta tinguj
Bën të vështrosh në të dyja anët e rrugës
Përtej xhamave…
Zbres dhe hip në një tjetër autobus
A thua sa do të vonohemi te rrethi në afërsi të urës
Për shkak të punimeve që po bëhen në rrugë?…