Poezi nga Brikena Qama

21 mars 2024 | 09:25

ADRESA

 

Adresa jote është përtej mallëngjimit

përtej pritjes

përtej kullës së ngujimit

përtej dëshirës për të të pasur

përtej lotit

përtej fundit të botës

megjithatë

je po aq i dukshëm për sytë

po aq i prekshëm.

 

DILEMË

 

Unë jam ajo gjakftohta

që i sheh gjërat së jashtmi

që t’i rrah shpatullat si miku që ta do të mirën

që nuk gjykon veprimet e tua

që nuk përflet fjalën tënde

që pret gjithmonë të kalojë furtuna

që hesht kur ti bërtet

që flet atëherë kur duhet

që qanë e qesh sipas rastit sa herë ty të bën të ndihesh mirë

që urren çka urren ti

që merr e para në telefon kur ke ditëlindjen

që mendon surprizën e radhës

që ecën me ritmin tënd

që ta kujton vizitën tek mjeku

që mban mend takimin e parë

ku, kur, çfarë kishe veshur

që justifikon çdo reagim tëndin

me trashësinë e atyre që s’të kuptojnë

që thotë gjithmonë “nesër do të ketë diell”

por ti i meriton

të gjitha apo jo?

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
E ZEZË   flokët i lyej me të zezë thonjtë…