Poezi nga Bujar Tafa
TRADHTARI
Si fëmijë kam qenë tradhtar,
spiun.
Zoti m’ka falë.
Si trembëdhjetëvjeçar
kam pasur shërbimin tim.
Pastaj dorë për dore me mësuesen
kam pirë konjak.
Pastaj kam vizituar kishë,
pastaj kullën e kafkave, në tokën armike.
Pastaj një fqinj u çua vampir.
Pastaj një mësues
u preku gjoksin vajzave të shkollës.
Pastaj unë u rrita.
ZOTI E BEKOI POETIN
Zoti e bekoi poetin,
i dha një gjysmë lirie,
e privilegjoi me dashurinë e tij.
Poeti është i zgjedhuri i Zotit.
Është mbi të krishterë, mbi myslimanë,
mbi jahudi.
Poeti është kriminel,
president, pis, kapitalist.
I çmendur, gjeni, kryqtar, xhihadist,
parajsë, ferr, xehe, zog, pikë,
poezia nuk është veç estetikë, as etikë.
Ka mbaruar koha e matufëve kokëkatrorë.
Zoti e bekoi poetin,
poetin me një gjysmë lirie.
E poezia nuk është art i fjalës së bukur,
poezia është gjysmëliria e poetit.
Është dhurata e Zotit për robin e tij të llastuar.
Poezia të pretë, të therë, të kallë me dashuri, me
tmerr.
Ajo nuk bën kalkulime shterpe;
Pro bono publika.