Poezi nga Dibran Demaku
Merr ëndrrat e mia
Kur të mund vetmia
dhe një mall të djeg
merr ëndrrat e mia,
do ta gjesh një shteg!
As nisje as kthim.
Në takimin e shumëpritur
as nisje as kthim,
në shpresën e venitur
riga shiu
nga syri yt, nga syri im.
Syri yt
Syri yt i bukur, syri yt i zi,
nuk sheh më të bukur në një Shqipëri,
Syri yt i bukur, syri yt i kaltër
në valë Adriatiku nis e merr flatër.
Syri yt i bukur, syri yt i kaltër
në valë Adriatiku nis e merr flatër,
Syri yt i bukur, syri yt i zi
nuk sheh më të bukur në një Shqipëri.
Po si s’të putha një herë në buzë
E bukur e ëmbël si ëndërr mëngjesi,
po si s’të preka një herë rreth mesi,
po si s’të putha një herë në buzë
në shpresën e zbehur të bërë tërkuzë?
Po si s’të putha një herë në buzë,
në shpresën e zbehur të bërë tërkuzë?
E bukur e ëmbël si ëndërr mëngjesi,
po si s’të preka një herë rreth mesi.
Në shpresën e zbehur të bërë tërkuzë
si s’të preka një herë rreth mesi?
E bukur, e ëmbël si ëndërr mëngjesi,
po si s’të putha një herë në buzë?
Takimet
Nëse të takoj para agimit
do të t’i dhuroj buzëqeshjet e gëzimit.
Nëse të takoj para mesditës
Do të t’i dhuroj rrezet e dritës.
Nëse të takoj para mbrëmjes
do të t’i dhuroj puthjet e ëndjes.
Shpirtërisht
S’ka rëndësi nëse do të prekemi
në buzë në gjuhë apo në gisht,
me rëndësi të digjemi të dehur
në një ëndërr moszgjimi shpirtërisht.