Poezi nga disa libra të Adem Gashit

18 tetor 2024 | 09:20

shpallje publike

buzëmbrëmje

në sheshin kryesor të kryeqytetit

shëtisja me gruan, me një grua, përdore

 

se nga dolën paparacët

e zunë të shkrepnin projektorët

 

në kabinat e errëta të celuloidit

në agjencitë “vesh më vesh” të lajmeve

në rrjetet virtuale të ajfonëve të shpifur

hymë si dy fantazma me kostume bore

me diçiturën:

“Hahaaaaa, Adem Gashi me dashnore!”

 

mike, u trembe mike

nga kjo “shpallje” publike

 

lëre se tash bie nata e trilleve

e ndizen fanarët e ëndrrave

çelësat e tavolinës së punës

 

prore m’i sjellin të rinj

përherë më dalin defekt

 

i kyç dollapët në orën gjashtëmbëdhjetë

si një gojë bishe

i gjej të hapur në mëngjes

 

punë që s’bëhet ndryshe

ruaja dhe një letër anonime

me flirt dashurie

 

thanë e u tha

se qe nga zonja e shefit të madh

një grackë e kurdisur

 

mirë më qortoi një ditë një mik

epo, ku ruhen sekretet

në Zyrën e Komunikimit Publik

 

me u shue

 

i bjen me kjen diçka e ndezun me masë

si zjarri i Heraklitit

dhe papritmas mos me kjen

 

pra diçka e fikun

shëndrrue në përbamje e trajtë shpuze e hini

me nji fill me t’sosun tymi

 

me u shue

domethënë me u ba mallëngjim

qi djeg s’ftohti zemrën e tjetrit

 

derisa ndez nji qiri

dhimbja e tjetërfarët

 

po plakesh profesori im, po plakesh ngutshëm

sigurisht që po plakem edhe unë

treni i kohës po na shpie drejt stacionit të fundshëm,

(të fundshëm!?)

ç’trajtë mizore e mbiemrit të çakorduar

që ligji i standardit të gjuhës s’e përudh

 

po ligji i jetës është tjetër, profesor

i vjetër sa bota

njeh punë të urta, të vyera e të kota

 

po plakemi, profesor, po plakesh

më dhemb veçse një cen

kur shoh harkurën e kurrizit tënd si pelegrin fjalësh

 

sidoqoftë, duam s’duam,

zbritja në botën e Hadit do të jetë

krejt e ngadalshme

duke na bërë personazhe të dhimbjes së tjetërfarët

 

u plakëm, profesori im, ti ngutshëm po plakesh

”Edhe njëqind të tjera!” s’është veçse lojë fjalësh

 

kërkuesi i përbërjeve dhe trajtave të tulta

 

gurgdhendësi që u bë kockëgdhendës

më dukej një plak parak në mos i gjithëjetshëm

harruar vdekjes

në kërkim të përbërjeve dhe trajtave të tulta

 

dhe qe aq i qetë në mbretërinë e vetmisë së vetë

 

thashë qe

në të vërtetë ai është brenda secilit prej nesh

kërkuesi i fjalëve, ngjyrave, aromave e tingujve

me portret fëmije

 

gdhend ai gdhend edhe vetë vdekjen
në dru, në metal, në qelqe
derisa t’u japë shpirt
përbërjeve e trajtave të tulta të jetës

 

Nga libri Ditët pa gjë

 

fjalët e papërdorshme

 

ndërmora një ndërmarrje të ndërlikur

me goxha mund

të bëja një ngrehinë, një mur

me fjalë të papërdorshme

 

nga ato të rrallat, të pistat

të pistat pa shije se ka edhe me shije

nga ato boshet, boshet bezdisëse

se ka edhe nga ato ndryshe

 

zgjodha pastaj nga të huajat diçka, disa

veçse jo të armiqve

dhe bëra rreshta, fjali, fraza

murana pa suva, të frikshme

 

ç’gërmadhë e bukur, ta qash me lot

a s’thoshin të diturit dikur:

ec kot e mos rri kot

 

skenë me thikë

 

ai nxori një thikë të madhe nga brezi

(thonë se ka edhe thikë fjalësh)

sa shpata e një japonezi të vogël

dhe njerëzit hapën sytë nga tmerri

ai me një gjakftohtësi prej idioti

preu mollën

sheshit

një mollë të kuqe që pikoi gjak të bardhë

e fara të zeza

në sytë e të tjerëve

 

skenë me gardianët e burgut gjatë pushtimit

 

ja, po i shtrij duart, vërmëni prangat

kënaqësia juaj, vuajtja ime

tani shikoni me kujdes,

duart e kujt po dridhen

 

hahahaaaaaa

 

ju shihni çehreprishur njëri-tjetrin:

i krisur qenka ky a i dehur

 

* * *

 

kështu jo, nuk vdesim, por ngordhim

midis një mjegulle të nxirë

 

nuk bëhemi heronj kështu

as dëshmorë

veçse pastërma të tymta për insektet e krimbat

ose, e shumta, martirë të marrëzisë

 

ndoshta mëkatuam me diellin

me hënën, yjet e qiejt

ndoshta zemëruam perënditë e pushtetit

 

perënditë?

“pak dritë… pak dritë…” jo, por pak ajër

për bimën, lulen, gjethin

ndoshta shpëtojmë dhe njeriun dhe bletën

në mos qoftë tepër vonë

dalja nga labirintet e ferrit

 

e përtejme

 

sa herë jam në një botë

më flasin për atë tjetrën

të përtejmen

përtej perdes së ëndrrave dhe gjumit

ku gardiania me të zeza na e pret kostumin

 

nganjëherë më duket sikur s’jam tjetër

veçse një udhëtar

herë këmbësor herë kalorës

që shkel shtigjeve të njohura

e dhiareve të pashkelura

 

në fundin e pafundmë

s’e di as vetë ku jam e ku mund të jem

me mandatin e dënimit suprem:

me dashtë e m’u dashtë,

e disa gjëra të tjera të imëta

që nganjëherë dinë të bëhen të mëdha

 

përherë kalimtar në të përtejmen

përmes një pragu

 

nga libri Drenushë e trembur dimrash

 

 

*

 

mesnatet doli ’i han’ e plotë

e muer pushtet n’qjellë e tokë

me trazue qull andrrash nder t’fjetun

 

nji lamsh i bardhë e nji lamsh i zi

përzijnë fije

plakat me magjí

 

pagjumi rri varun n’gozhdë në nji tra

tue pritun kangën e këndezit t’parë

 

sa natë e g’jatë sa nji shekull

kur t’vret njajo drit’e mekun

e han’s plotë

pa mujt m’e gjetun

miken qi u ba kryeshpend

 

*

 

erdh nji ushtri e çmendun

e s’la gja t’gjallë mbi dhé

 

erdh ushtia e dytë

e të tan u mbyten

në moçalin e mortajës t’bardhë

 

erdhe edhe nji tjetër edhe nji tjetër

as e re as e vjetër

e i bani vorrin vetes

 

tevona mbini lulja e xhehnemit

 

veç qjellnave nalt kryeshpendi

bani zogj e gjithçka këndelli

 

*

 

me shkrue m’erdh qysh kjesh tue ndejt

se e xuna vedin tue mendue

qi nuk e paskam asnji dhimtë

 

çkadokje me shkrue

ka me e marrë ngjyrën e plagës

qi kam desht me e harrue

 

e mos daltë as asht as mish as mjegull

domethanë

paska kjen shpirt i fshefun

n’mue

 

*

 

ra kanë burrat bregut’ drinit

tue ndig’juemun

njat kangën e vrrinit

 

u pshtjellke vallja a e pshtillshin

shtojzovallet

pa mujt m’i damun vomet e kangët

 

dikur u çue erë e ra mjegull

call për ujq t’çartun

 

kryeshpendi shtatë palë qjellesh

gjumpafjetun

si nji perendi pagane

e ruejti sojninë e genit t’pabjerrun

 

 

*

 

e lshova dorën

mos ju vojt mendja për me vjedhun

 

lshova dorë me prekun

gjanat e paprekme

qi e kanë dhimtën e madhe

 

s’kje punë për mos m’u ditun

dora e djegun zjarrit

u ba trajtë e murrme e hinit

 

veç n’synin tand kryeshpend

e pashë njat lot dashnije

e m’erdh me kjamun si f’mijë i parritun

 

Nga libri E shkrueme për kryeshpendin

 

tirania e ditës pa gjë

 

më erdhi si një tablo dekadenti

orë pa numra pa akrepa

me një fushëmjegull të bardhë

 

burg pa grila, as stinë, as javë

as lindje, as perëndim dielli

as hënë që rri var

në pezulin e një qielli

 

tmerrësisht tirane dita pa gjë

pa lëvizje pa ngjarje

 

sesi ardhka një çast

kur malli të përvëluaka

qoftë edhe vetëm për një sharje!

 

fjalim para kongresit të gjetheve

 

Ballkoni im është si një presidium

ndanë kopshtit me lule e drurë dekorativë e frutorë

Në mungesë të liderëve bëhem vetë tribun

e flas e flas pa zë para kongresit të gjetheve

(Si mund të flitet me zë në një procesion mortor).

 

Në një degë një kokërr mollë harruar rënies

plagë e kuqe e një beteje të humbur,

pa denjuar të bëhej pre e ngrënies

as ditën e dasmës së një çifti të palumtur,

(Ku ka lumturi në një përgjakje lufte).

 

Dhe… më e dhimbshme akoma

një gonxhe trëndafili mbetur në tentativë,

se ku e kur kishte shkruar një grua për nuse të njoma

“Një lindje e vështirë”,

(Ku ka lindje të lehtë kur mbërthen ftohma).

 

Ndoshta këtë dhimbje kishte provuar dhe Fishta

për “Nji lule vjeshtet”,

hyrjedaljes së ditënetëve të brishta,

Dhe s’kish sesi ndryshe, s’ka se si të heshtet.

 

…dhe Oriana Falaçi letërshkroi

me “fëmijën e palindur”,

por ama, unë e kisha me gjethet.

 

Në vend të fjalimit solemn fola me vetveten,

derisa shihja gjethet përdheshëm si një hasër,

lulka të rëna nga kurorë e nuses

mu në ditën e dasmës.

 

po vjen postieri ose poezia që nuk shkruhet

 

Ndoshta duhej filluar me amnezinë

sesi në çast u fshinë

të gjitha zbulimet e teknologjisë informative

 

Fundit të yrtit të shkretë

ku kulloste ferra gomari një mushkë

si fundit të një misteri

u shfaq ai

postieri

me kapelën strehëgjerë e çantën mbush

male malli e dhimbjeje e dashurie

 

Duhej filluar me kujtesën mbase

që ngjall në çast në një trase

borizanin që na mblidhte në lëndinë

gjithë fëmijërinë

e gratë pa burra

e çikat

pleqtë sa pa vdekur dhe vejushat

 

Prisnim kumte, mandata, të papritura

nga ata që mund të ktheheshin një ditë

dhe nga ata që kurrë s’do të vijnë

shndërruar në shkronja

ngatërruar në kaligrafinë

e alfabeteve më të çuditshme të globit

 

Ndoshta duhej mbyllur me konstatimin

se kjo ishte një poezi

që nuk do të shkruhej kurrë

në letër të vrugtë

me kallamar e bojë kine

 

meditim

 

lidhur këmbët kryq e duart shtrirë

në cepin e parambrëmjes

po meditoja si Budha:

e dhimbshme që Agave çel veç një herë

veç një herë këndon Mjellma

 

duart shtrirë e këmbët kryq

po prisja përndritjen

duke zgjuar së thelli ndjenjën tragjike

për atë që s’këndoi kurrë

që s’çeli asnjëherë tjetra

…dhe jeta

çast që ikën, ikën, ikën

 

në kulm të pikëllimit hapa tekilën

ta vrisja meditimin

 

kam me t’hângër, grue

 

“Në rast të urisë lejohet ngrënia e gruas”.

Fetva e shpifur

 

moti-moti e kam pas ndër mend

po tash m’u bâ menja top:

kam me t’hângër, grue

herë kapak-kapak e herë ka shumë

âsht tjetër punë se çka i bjen

me kjen i úntë, i úntuem

e për çfarë gjânash

 

me t’hângër kam, qe besa

mâ mirë unë se guri i k’shtjellës

me pabesën

 

m’e nis nga kreu floktë pshtillen zorrësh

nga shputat i kam mni thojt e çorapet

e m’duhet veç edhe pak

m’e bâ skenarin e ritualit

 

kur t’sosi punë, s’mrami

i jap vedit gradën e kanibalit

 

nga libri S’i duhet kujt gjaku im

 

sërish letër për letrat

 

letrat e mallit të zjarrtë

njëherë e një kohë

shkruheshin me bojë kine në kartë

dhe si dalldi artistësh së fundi

edhe mund të mos niseshin

dhe as të arrinin gjëkundi

po,

derisa ato shkruheshin e shkruhen

vetëkuptojnë dikë që shkruan,

dikë që pret

t’ia sjellë kumtin pëllumbi

me krahët e lehtë

 

ngaqë i përkas edhe vetë

lagjes së atyre që dalldisen

them se nga shkronjat në një skutë

ëndrrat e tua do të gudulisen

 

dhe s’ka aspak rëndësi

se pëllumbi tani s’është veçse sinjal

në lëmshin e ngatërruar virtual

 

për shpirtna

 

po djegim qirij për shpirtna t’atyne qi u dogjën n’luftë

pleq e plaka, gra e f’mijë e çika

degdisun e vorret askund

për shpirtna qirij po djegim qi fluturuen trupave midis flakëve

pa u pa shkrumi pa u ndi gjama

e morën qjellit

 

mue s’m’bahet me djeg qirij nër drita neoni qytetit

se dritën na e lanë neve ata qi u dogjën

e s’kanë gojë me na thanë: Ndal!

 

kjo i bjen si me u tall e me ba ritual

me tundje çelësash qi s’hapin nji derë, nji prag

natë së pafunme të territ

 

qirinj me fitil pambuku e dhjam

ç’domethanë para mishit t’njomë e ashtit t’djegun gjallë

nejse, ma lehtë m’vjen me pranue

se nuk asht faji i kujt po vet jam i paqytetnue

e mjaftohem mos me m’i fshi harrimi

 

fotoja e babait

 

qe viti gjashtëdhjetë

dhe unë s’kisha veçse gjashtë dhe pak,

ai sapo digjte pesëdhjetë e pesë

kur u nda nga kjo jetë

 

në Abetare po bënim shkronjën J

ishte larg V-ja,

akoma më larg

ç’ishte vdekja ta dija

 

fotoja e vetme që mbeti prej tij

një portret bardh e zi

(s’i priti fotografitë me ngjyra)

ku nxijnë sytë, mjekra, vetullat

dhe plisi i bardhë përreth

nga djersa

 

kishte shumë zi dhe pak bardh

në foton e bërë për “liçna karta”,*

me vegim të fikur ngjante shikimi i tij

djegur harqesh të zjarrta

______________________

* Serbisht: Letërnjoftim

 

mjeshtëria e të bërit të një çasti të bukur

 

e hëna, kjo sot, mund të ikte kot pa një kujtim, takim a letër

mund të ikte si një flutur

e pangjyrë

si një rrobë e vjetër,

si e paqenë në kalendarin e ditëve

e megjithatë, mund të bëhet dhe çast i bukur

mjafton ta ndezësh një zjarr të madh, të madh

me shkarpa mendimesh ricikluar

e të shohësh sesi midis shkëndijash përftojnë

mike e miq të munguar

e të hedhësh në gaca misrat e njomë

 

ju thashë pra,

kjo e hënë mund të ikte si një flutur

po ja që bie një shkëndijë dhe bëhet çast i bukur

 

mënyrë e të bërit të një poezie

 

që në nismë të dalin kushtet, kufizimet

vetë nisma pra, me idetë, motivet

pastaj struktura, ritmi

dhe pak para dështimit vendimi profan:

harrimi i të gjitha shkollave, teorive

 

të bërit, të shkruarit, ndërtimi

në mënyrë prozaike vjen e bëhet titulli

 

dhe kujtohesh se po prisje një mike

që mund të vinte dhe të ikte si një dallëndyshe

duke lënë pas metaforën e vrarë

zog shtegtar

njësoj si krejt të tjerët a krejt ndryshe

 

diçka ikën po diçka mbetet

në një sfond etern

dhe ti e kupton krejt papritur

se ke rrëshqitur majëmalit postmodern

antisizif mundimesh duke ngritur

ngrehinën abstrakte të të bërit poezi

 

nga libri Shi dhe zog i vetmuar

 

ti më lexon

 

e di se kot flet, kot shkruan, kot e mohon

 

kur bie nata, kur gdhihet dita

kur mbyllen shtigje, kur hapen pista

ti më lexon

 

është prania jote e munguar

që më bëhet shkronjë, rrokje, fjalë

e mendim

ti je mësuesja që më merr përdore

si një jetim

 

e di se ti më lexon

të tjerat kanë pak rëndësi

(midis nesh) lërmë të të puth në faqe,

mësuese

pastaj të t’i heq të mbathurat

pa didaktikë, në mënyrë autodidakte

 

nuk e fsheh dot, ti e lexon

dobësinë time prej nxënësi, mike

që vjedh nga diktimi yt çdo leksion

dhe të tëra i bën publike

 

jepi,

ma fal një notë, mua “të keqit”, mua “të mirit”

si një votë shtetndërtimit

se ndryshe nuk bëhet Kosova!

 

sonte

 

ti sonte nuk je këtu

ke vajtur ke ikur a të thirrën diku

 

po sikur… po sikur…

 

ah, mjeshtrit e vetmisë

pa humbur kohë

le ta ngrenë një trekëmbësh të lartë

me një litar të bukur

 

jam i keq

 

të martat rëndom vijnë pa praninë tënde

megjithëse s’janë ditë pushimi,

kujtohem unë:

është çast rifillimi

 

nis për ty korpusin e shpifjeve,

përgojimeve –

e di, filanen e kam pas…

i kam lënë një shenjë në qafë,

në faqen e butë si shpuzë,

pa i nxora dhe gjak në buzë

 

bëj ç’është për të bërë

dhe heq,

sall ta nxjerr nga goja jote

të sharën madhështore:

Ti je I KEQ!

 

jam i mirë

 

të merkurat ndjekin të martat terse

dhe të sjellin si kukull nga bota perverse

e mbushet cep më cep hapësira

 

për ty marr fjalën si në gjyq,

e flas me urtësi prifti

të vërtetën e them të vërtetë:

e shihni filanen, një herë pata rast,

vetëm një herë

t’i prek dorën,

bardh e but si të prekja borën

dhe mendjen ma mori një erë

 

skuqur turpit gjithë përdëllim

bëj ç’është për të bërë

nga goja jote të nxjerr

keqardhjen më të pështirë,

si lëmoshë të mjerë:

Ti je I MIRË!

 

bashkëbisedim “i lodhtë”

 

je ankthi im, e kam thënë tashmë sa herë

e them dhe tani

është bindje, besim e mendim kryeneç

ti akoma pyet: është për mirë a për keq

sipas teknikës bardh e zi

 

nga libri Vizatimi i vetmisë në letrën e bardhë

 

Portretin digjital të autorit: Besnik Hamiti

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia në pushtet (LV) nuk mori pjesë në seancat e…