Poezi nga Drita Ademi
N’PRISHTINË
N’andërr m’erdh Ali Podrimja
Në nji rol pej fryme.
Shpërndau fleta t’bardha.
Pa asnji cent, pa asnji shkronjë.
Në t’parën fletë e vendosa dashuninë
T’bardhë si pllumbi.
Në të dytën Atdheun t’amblin, t’bukurin.
Vazhdova kështu me radhë
Tue përshkrue gjana e shejtni të buta t’Kosovës,
Derisa erdh Azem Shkreli,
I mjeri, fatlumi e poeti.
U banen bashkë me Ali Podrimjen
E vend askund nuk m’lanë.
As te poezia,
As n’atdhe
As te Lumi…
U bekova me dhimben e t’humbunes.
E kjajta shumë…
KËPUCËT E MIA
Kur nuk do t’jem ma këtu
Ku do të shkojnë këpucët e mia?
Këpucët e feminisë si qumështi i nanës
Këpucët e pubertetit pa lidhse t’nxehta dhe gjysëm t’egra
Këpucët e rinisë me lule si lulet n’memorie
Këpucët e ditës së bardhë t’martesës
Të lidhuna me zemër dhe unazë
Këpucët e shkollës t’plota t’ngushta t’zivilizueme
Këpucët e fëmijës tem
Të rritur n’mua
Këpucët e moshës së tretë
Gjysëm dashuni gjysëm merzi
Këpucët, ah këpucët e mia
Sillen n’mue
Asnjëherë nuk i le para dere
Gjithmonë i marr me vete
Një ditë do t’fluturojnë
Nga trupi jem me magji
Dikush do t’ju thurë lavde
Në ndonji poezi…