Poezi nga Edith Södergran
EDITH SÖDERGRAN
DITA FTOHET…
I
Dita ftohet drejt muzgut
Pi ngrohtësi nga duart e mia
Dora ime ka gjakun sikur të pranverës
Merre dorën time, dorën time të bardhë
Merre mallin e krahëve të mi të vegjël
Do të ishte hyjnore të ndieja një natë
Një natë si kjo
Peshën e kokës tënde mbi gjoksin tim
II
Ti e hodhe trëndafilin e kuq të dashurisë
Në vagjinën time të bardhë
E mbaj fort në duart e mia të zjarrta
Trëndafilin tënd të kuq të dashurisë që do të vyshket së shpejti
O ti sundimtar me sy të ftohtë
Unë e pranoj kurorën që më vë
Që e ul kokën time drejt zemrës sime.
III
E pashë sundimtarin tim sot për herë të parë
E njoha menjëherë duke u dridhur
Tani e ndiej fort dorën e tij të rëndë në krahun tim të lehtë…
Ku mbet thesari im virgjëror, këmbues
Liria ime femërore me kokën lart?
Tani e ndiej qartë shtrëngimin e tij të fortë rreth trupit tim që dridhet
Tani dëgjoj tingullin e fortë të realitetit
Drejt të brishtave, të brishtave ëndrrave të mia
IV
Ti kërkove një lule
Dhe gjete një frut
Kërkove një burim
Dhe gjete një det
Kërkove një grua
Dhe gjete një shpirt
Ti je i zhgënjyer
E ZEZË APO E BARDHË
Lumenjtë rrjedhin poshtë urave
Lulet shkëlqejnë në cepin e rrugëve
Pyjet përkulen me shushurimë deri në tokë
Për mua nuk ka më lart apo poshtë
E zezë apo e bardhë
Prej se kam parë një grua veshur me të bardha
Në krah të të dashurit tim
NATË YJESH
Dhembje e panevojshme
Pritje e panevojshme
Bota është e zbrazët si qeshja jote
Yjet bien
Natë e bukur dhe e ftohtë
Dashuria buzëqesh nën ëndërr
Dashuria ëndërron përjetësinë
Frikë e panevojshme, dhimbje e panevojshme
Bota është më e vogël se hiçi
Në thellësi nga vendi i dashurisë depërton
Unaza e amshueshmërisë
FJALË
Fjalë të ngrohta, fjalë të bukura, fjalë të thella
Janë si aromë luleje në natën
E të padukshmes
Prapa tyre vegimi i një qielli bosh
Ndoshta janë tymi gjarpërues
I një vatre të ngrohtë dashurie
NËPËR PYJET E THELLA
Pyjeve të thella kam humbur shpeshherë
Kërkoja përrallat e dëgjuara fëmijërisë sime
Brigjeve të larta kam bredhur gjatë
Kërkoja pallatin e ëndrrave
Që kishte ndërtuar fëmijëria ime
Kopshtit të të dashurit tim nuk humba
Aty rrinte qyqja gazmore
Që malli kishte kërkuar
PRANVERË NORDIKE
Të gjitha kështjellat e mia të ajrit janë shkrirë si bora
Të gjitha ëndrrat e mia janë derdhur si ujë
Nga të gjitha që kam dashur ka mbetur vetëm
Një qiell i kaltër dhe ca yje të zbehtë
Era lëviz ngadalë mes pemësh
Boshllëku pushon. Uji është i qetë
Bredhi i vjetër rri zgjuar dhe mendon
Për renë e bardhë, i puthur në ëndërr
VENDET E LARGËTA
Shpirti im i do shumë vendet e largëta
Që nuk kanë atdhe
Në vend të largët janë gurët e mëdhenj
Mbi të cilët pushojnë mendimet e mia
Ishte një i huaj që shkroi ato fjalë të veçanta
Tabelës së fortë të quajtur shpirti im
Ditë e natë shtrihem dhe mendoj
Për gjërat që s’kanë ndodhur kurrë
Shpirti im i etur ka pirë një herë
MOS LEJO TA HUMBËSH KRENARINË
Mos lejo të të bie krenaria
Mos u dorëzo lakuriq
Në duart e tij të buta
Më mirë shko me sy të përlotur
Që nuk kanë parë botën kurrë
Dhe kurrë nuk kanë gjykuar
Do të ishte më e lehtë dhe më e thjeshtë
Për zemrën e pastër fëmijërore
Ta ndiqte rrugën e lumturisë
Por shpirtrat tanë vetëm mund të dridhen
Për atë që kanë parë ndyrësinë
E pranverës së shkurtër të ngazëllimit
Ku mbetet asgjëja
Vetëm ftohtësia e vrullshme.
(Marrë nga numri i 12-të i revistës “Akademia”. Përktheu: Qerim Raqi)