Poezi nga Elida Rusta
KËMISHË MALLI
Fryn erë e ftoftë,
ngrin rrezja e diellit.
Qaj me synin tand mallin tem.
Eh, sa kujtime m’enden livadheve t’shpirtit!
Të vrafsha shpirt, që m’len me dhimb’ në çdo ikje!
Çka t’báj me vedin?
E rrzueme dyfish pá librin amë,
bosh n’udhëkryq.
Përditë asht e martë,
e martë edhe sot.
Eci n’majë gishtash,
mos me t’çue prej gjumi.
Me sy n’qiellzanë,
lexoj pergamenën tánde t’fundit shkruejtun me dritë.
Mbrrini si gjethe e lshueme,
zverdhë prej má të egrës stuhi.
Shtatë palë ethe m’shkuen shtatit.
Theva qelqet skutave t’shpirtit,
lidha nyje brinjët,
me pajtue vikamën n’gji.
Vshtirë!
Si me mbjellë lule krype n’bjeshkë.
Plasa me t’thanë nji fjalë!
A po ke ftoftë jashtë ksaj dashnie,
atyne gjyqeve t’mdha,
a po mërzitesh se harroj që je dekë njimend?
Ma ke ndrrue qiellin o burrë,
edhe andrrat i shoh shkretë,
ujë e dhé.
Floktë i shkula shekullin e shkuem,
pata veç tuat
m’u kapë për to.
Ah, bre bab’!
Ma kalle ktë trohë shpirt,
si n’majin e vitit dymijë,
se maj ish bre kur u shemba s’pari,
e lotë gjaku u ranë bjeshkëve n’krahnor.
N’i pshtofsha kësaj stuhie,
ka me t’marrë malli për çikën tjetër.
Kam ndryshue shumë!
As grueja me sjellje t’amël,
as amazona s’ban ma punë te unë.
Xixëlloja kozmike puthet me hije t’ftofta.
Flej, fjetsh me flutura!
Ke datëlindjen sot.
Lulet po t’i bie n’varreza…
ATA VIJNË ZHAG
Përditë m’shkon mendja
me ja bá funeralin zemrës,
me shkrue mbi drrasë të vorrit të saj:
“Këtu prehet nji zemër e plasun,
e pádobishme”
…e me u kthye në shpi pá zemër.
Përditë dal prej murit ku më mban n’dry vetja
e largoj frikën,
shoh si due,
ashtu ndriçueshëm prej lirisë.
Sytë e bezdisshëm e kureshtarë të botës,
nuk i shkeli,
nuk i përçmoj.
Unë eci
ata vijnë zhag.
Nuk mbushet vetja me jargët e zvarritësve.
Kam qejf me u dehë,
me ken’ gru e pikëllueme,
S’due me shtyp,
as me lëndue.
Ata që m’kapen mas themre,
kqyrin prej poshtë
aty mbesin,
jam msue me miza që sillen rreth drite.
Kam me dekë ndoj ditë,
kam me dekë vetë
e dehun poshtë dritares së shpirtit tand.