Poezi nga Ella Wheeler Wilcox
VETMI
Qesh, dhe bota qesh me ty;
Qaj, dhe qan në vetmi.
Sepse toka e vjetër e trishtuar duhet ta marrë hua gëzimin e saj,
Kur probleme të vetat ka skaj më skaj.
Këndo dhe kodrat do të përgjigjen;
Psherëti dhe psherëtimat në ajër do të treten.
Jehonat lidhen me një tingull gazmor,
Por mpaken nga shqetësimi zanor.
Gëzohu dhe njerëzit do të të kërkojnë,
Pikëllohu, ata do të kthejnë shpinën dhe do të shkojnë.
Ata e duan të tërë kënaqësinë tënde, masën e plotë,
Por për mjerimin tënd nuk kanë nevojë.
Gëzohu dhe miqtë e tu janë të shumtë;
Dëshpërohu dhe i humb të gjithë.
Nuk ka asnjë që s’e pranon prej verës sate nektarin,
Por ti i vetëm duhet t’ia pish jetës vrerin.
Bëj festa dhe sallat e tua mbushen cit e cit,
Agjëro dhe bota të anashkalon.
Arrij suksese dhe jep, dhe kjo të ndihmon të jetosh,
Por askush nuk mund të të ndihmojë të vdesësh.
Ka vend në sallat e kënaqësisë
Për një tren të gjatë madhështor,
Por një nga një të gjithë në radhë duhet të ecim
Përmes korridoreve të ngushta të dhimbjes.
VRAJAT E JETËS
Thonë se bota është e rrumbullakët, por unë ende
Shpesh mendoj se është katrore,
Kaq shumë dhimbje të vogla marrim
Nga një cep në tjetrin.
Por një të vërtetë të madhe në jetë e kam gjetur,
Gjatë udhëtimit për në Perëndim,
Të vetmit njerëz që me të vërtetë plagosim
Janë ata që duam më shumë.
Njeriu që ti e përbuz plotësisht
Mund ta ngjallë zemërimin tënd, është e vërtetë;
Mërzia në zemrën tënde do të bëjë folé
Thjesht për gjëra që të huajt bëjnë;
Por ato janë vetëm sëmundje që kalojnë;
Këtë rregull gjithë të gjallët do ta vërtetojnë;
Plaga e radhës që dhemb dhe drithëron
Merret nga duart që duam.
Veshja më e zgjedhur, hiri më i ëmbël,
Janë shpesh për të huajt e saposhfaqur;
Pamja e pakujdesshme, fytyra e vrenjtur,
Janë të dhëna te vetja jonë.
Ne i lajkatojmë ata që zor se i njohim,
Kënaqemi me mysafirin që vjen e shkon,
Dhe u japim një goditje të pamenduar
Atyre që na duan më shumë.
Dashuria nuk rritet në çdo pemë,
As zemrat e vërteta nuk lulëzojnë çdo vit.
Mjerë për ata që shohin vetëm
Kur kalojnë përmes një varri!
Por, herët a vonë, fakti bëhet i qartë
Për të gjithë përmes testit të pikëllimit:
Të vetmit njerëz që na japin dhimbje,
Janë ata që i duam më shumë.
E VLERTË
Është mjaft e lehtë të jesh i kënaqur,
Kur jeta rrjedh si një këngë,
Por njeri me vlerë është ai që buzëqesh,
Edhe kur çdo gjë merr për ters.
Sepse sprova e zemrës është shqetësimi,
Dhe gjithmonë vjen me vitet,
Dhe buzëqeshja që vlen të çmohet në botë
Është buzëqeshja që ndriçon përmes lotëve.
Është mjaft e lehtë të jesh i kujdesshëm,
Kur të humbasësh kurrgjë nuk të tundon,
Kur jashtë ose brenda asnjë zë mëkati
Nuk e josh shpirtin tënd;
Por është vetëm një veti negative
Derisa të provohet nga zjarri,
Dhe jeta që meriton nderimin e botës
Është ajo që i reziston dëshirës.
Prej cinikut, të dëshpëruarit, të rrëzuarit
Të cilët nuk kanë forcë për të luftuar,
Autostrada e botës është e rënduar në ditët e sotme;
Ata përbëjnë shumicën në jetë.
Por virtyti që mposht pasionin,
Dhe trishtimi që fshihet në një buzëqeshje,
Janë këto që ia vlejnë të nderohen në botë,
Sepse i gjejmë, por jo shpesh në të përditshmen.
______________________
ELLA WHEELER WILCOX (1850-1919) ishte kryesisht poete dhe gazetare amerikane me një krijimtari të begatë. Ajo e botoi librin e parë “Pika uji” kur ishte 22 vjeçe. Libri i saj “Poezitë e pasionit”, i botuar 60.000 kopje, u shit shpejt. Wilcox botoi edhe libra në prozë dhe dy libra autobiografikë.
Përktheu: Irena Dono Jorgaqi. Marrë nga libri “Kumbime”, botuar nga “Armagedoni”, Prishtinë, 2024