Poezi nga Emin Z. Emini

21 mars 2024 | 09:36

SONET I PAKRYER

 

më deshe aq fort të desha pafundësisht

çerep i dashurisë mori flakë e zjarr

diell e planetë flladisje me qerpikë

të digjem desha belit kur të të marr

 

buzëzjarret mbi trup m’i derdhje kuçedër

pastaj më përmbyte tallazeve në det

me këmishën e natës më lidhe të çmendur

i çmendur qesh’ pas teje ndaj s’e pata dert

 

natën ra një mjegull e dendur e hirtë

petalet e gonxhes s’u çelën më në ag

para këpucëve të saj kënga dha shpirt

 

hiri i mallit është bërë pluhur kozmik

as jashtë as brenda mbetur kam në prag

siç toka ndjek diellin ashtu s’më lë të ik

 

SONET I PËRKORMË I DITËVE ME KURORË

 

fryu një erë dhe ndezi një zjarr bubulak

flakë e tij përndriti botën e ferrit

me gjuhë magmeje të murrme pak nga pak

kafshon dhe këput lul’gjaken e edenit

 

pamje të tillë s’kish parë as homeri

parajsë e xhehenem paq përzier bashkë

ah ç’botë mizore prej mjalti e zehri

sa të futë në varr sa të nxjerrë jashtë

 

të desha më ike të ika m’u qase

kjo lojë e mëkatit të bukur mori fund

bukëvalë e dashurisë u dogj shkrumb

 

shpërndarë hiri i bekuar e nxiu qiellin

as shiu i zi s’e shuan prushin e parajsës

ferrat e ferrit kurorë zaptuan diellin

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
KËMISHË MALLI   Fryn erë e ftoftë, ngrin rrezja e…