Poezi nga Faruk Tasholli

21 mars 2024 | 09:39

BABALLARËT E KOMBIT

 

Sa shumë në jetë hoqën të gjorët shqiptarë

Me një komb të vetëm me shumë baballarë

Udhëton me mund kombi nëpër histori

Shkon një babë i vjetër, vjen një babë i ri.

 

Turr Haxhi Qamilat e përmbysin shkabën

Me sy kah Stambolli, me thirrje “Dum Babën”

Por baba Dovleti mezi i zbutë varret –

Ku ia ndien të shkretit në ç’hall janë shqiptarët.

 

Zihen e përzihen bandat Shqipërisë

Kërkojnë baballarët ku janë katandisur

Por Zoti i madh ka mëshirë për shqiptarë

Kur s’kërkojnë diç tjetër – iu çon baballarë.

 

S’marrin vesh shqiptarët që ka tjetër botë

Vrap me baballarët për Pekin e Moskë

Në çdo stinë të motit dy-tre baballarë

E sërish ankesat: Jemi komb i ndarë!

 

Kur ngihen të huaj që s’iu zgjasin dorë

Hajde të kërkojmë baballarë vendorë

Baballarë me mjekra baballarë të rruar

Baballarët t’lirë – kombi i robëruar!

 

Në kokërr të shpinës me ndeja nën pjergull

Shqiptarët t’brengosur si gusat në mjegull!

Një mendim rrufe, seç i nxjerr nga brengat:

T’i lëmë baballarët – t’kthehemi kah legjendat!!!

 

TEATËR PARA TEATRIT

 

Vijnë politikanët me barqet e qitura

Mu si shtatzënat në muajin e gjashtë

Brenda aktorët me role të goditura

Pa parë ç’teatër po luhet jashtë.

 

Ç’po ziejnë Otello, Romeo, Hamleti

Sa rëndë ndanë teatrin perdja e ngrirë

Nga skena i ikur bredh Jago i shkreti

Në figura të gjalla, jashtë i tëri i shkrirë.

 

Nga njëri shpirt në shpirtin tjetër

Hyn e del Jago fshehtas me magji

Ka shekuj që luhet kjo lojë e vjetër

Veç unë, thotë, këtu mbeta i ri.

 

Ceremoni të gjata përshëndetjesh

Buzëqeshje, lëvdata plot gënjeshtër

Me zhveshje dhëmbësh e koka epjesh

Garojnë në holl kush del më mjeshtër.

 

Teatër i çuditshëm përpara teatrit

Patronët, lëbyrësit, angërdufët në kor,

Kush janë kokultët, kush ballëlartët

Të ndahen me perde qenka zor.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
SONET I PAKRYER   më deshe aq fort të desha…