Poezi nga Fitim Nuhiu
JETA VAZHDON…
Kur fatkeqësia të godet,
Jeta vazhdon ritmin e saj,
Madje me një indiferencë idioteske:
Zogjtë cicërojnë,
Dielli lind dhe perëndon,
Era sërish lëviz pemët
Edhe lumi gurgullon në monotoninë e vet,
Sikur të mos kishte ndodhur asgjë prej gjëje.
Njerëzit shkojnë dhe kthehen nga punët e tyre,
Fëmijët dëgjohen nga largësitë duke shfaqur lumturitë e tyre,
Makinat ecin pa ndal,
Fabrikat punojnë në vazhdimësi.
Gjithçka vazhdon sipas ritmit të vet,
Gjithçka është në ndryshim gjendjeje,
Jo edhe atë që e ka goditur fatkeqësia
Sidoqoftë, jeta vazhdon…
Dhe kjo gjendje gjithashtu do të duhej të kalonte…
Se ndryshe s’bën.
VDEKJET TONA
Kur vdes një i dashur i yni,
Na shkëputet,
Na hiqet një pjesë shpirti,
Gjersa të mbetemi pa të dashur,
Gjersa të mbetemi pa shpirt,
Dhe të konsiderohemi edhe ne të vdekur,
Edhe pse ende mund të marrim frymë…
Dhe siç ka thënë një miku im:
A thua ne i varrosim të vdekurit tanë nën dhé,
Apo ata na ‘varrosin’ ne në jetë,
Duke jetuar pa ata e me dhimbjen për ta.
PARAJA
Njeriu përgjërohet,
Punon fort,
Bën kompromise të ndryshme,
Del nga vetja
Për ca para të ndyra.
Sa poshtëruese!
I urrej paratë.
Ato janë burimi i të gjitha të këqijave.
Sa të neveritshme që janë!
Të duhet të gëzohesh
Për diçka kaq të ndyrë, kaq të fëlliqur.
Ah sikur të mos ekzistonte paraja!
Sa i lumtur do të ishte njeriu.
Sapo gëzohem për lumturinë,
Sërish më kujtohen paratë,
Më kujtohet që lumturia kushton,
Sot blihet ajo.
Këto petëza të pista, këto copëza të ndyra letre,
Janë mishërim i të gjitha të këqijave,
I të gjitha gjërave të djallëzuara, të qelbura,
Me të cilat blihet gjithçka në botë.
Ne lindim lakuriq, kupto: pa para,
Vdesim të tillë, kupto: s’marrim asgjë me vete.
Kjo gjë a nuk është argument për ne
Që ato s’vlejnë aq sa ne i vlerësojmë.