Poezi nga Flamur Maloku
KAM ME TË THIRRË
Kam me të thirrë me tân’ fuqinë e zânit,
Të dy veshët kanë me t’u shurdhuë;
Jo për diçka t’madhe
Por vetëm me të thanë se t’kam harruë!
Po, sa t’mundem kam me bërtite
Marre mâ nuk ka;
Edhe ka kohë qi njeri mâ nuk jam
Ama harresen tême për hair me ta bâ!
Tash butë me ty nuk ka
Egër e egër me bërtitë;
E trashegofsh harresen tême
Përjetë e mot ruaje si sytë.
TË PRITA ME TË PA
Të prita me të pa edhe nji herë të vetme
e me t’i thânë do fjalë ndër sy,
jo me shprazë emocion
po me të pshty!
Gatë prita, ama gatë prita deri n’agim
ti nuk u doke te dera, pasha shpirtin tim!
Pata me të thânë: jeta pa mue
nuk âshtë mâ as për ty.
Dreqi e marrtë, për pak harrova,
por edhe me të pshty.
Natën e mbyta,
pritjen e hoqa nga shpirti jêm
fitova liri ama të humba ty!
Mos harro:
atë ditë kur të t’shoh,
kam me të pshty.