Poezi nga Iliaz Bobaj
NË PRAG TË IKJES
Menekshesë mëngjesore me tone të errëta,
agimi i hidhte dritën e tij të dëlirë,
duke e bërë përherë më të çelët.
Ndërkaq tavani i qiellit po shuante yllësinë.
Tashmë ajo duhej të bëhej gati për kthim.
Koha ia kish mbyllur portat e ndenjës
dhe i kish hapur rrugën e ikjes,
e cila e priste me nxitim.
Nuk kish shumë gjëra për të marrë me vete,
ca tesha të pakta, që rrinin si të lodhura,
nga ngjarjet e dy ditëve të fundjavës.
I vuri në valixhe sikur i përkëdhelte.
Tek cepi i buzës iu shfaq një buzëqeshje,
për t’i kujtuar një detaj të veçantë.
Në fytyrë i lexohej një kënaqësi e heshtur,
si kënaqësia e një piktori para veprës së arrirë.
Në vend të ajrit, frymonte kujtime.
Kish jetuar me gjithë forcën e saj dashurinë.
E SHEH KËTË FEMËR TË BUKUR?
E sheh këtë femër të bukur,
që shkon dhe sytë t’i merr nga pas?
Po nuk i the çdo çast të dua,
ta dish, se ajo vdes çdo çast.
Në qoftë se syri s’të merr flakë,
kur troku i takës xixa nxjerr,
ajo s’është më një perëndeshë,
ajo nuk është më një mister.
Po nuk i the, në kurmin tënd,
vendin e shenjtë ka bukuria,
ajo kthehet në një rrënojë,
i çahet gjoksi nga mërzia.
Po nuk i fale gjithçka tënden,
si dielli ditës kur agon,
retë e trishtimit ia zënë dritën
dhe hiri i heshtjes e mbulon.
Nëse s’i thua, ti je flutur,
magjeps ngjyrimet e lulnajës,
kthehet në pikturë bardhë e zi,
shngjyroset nga mungesë e fjalës.
Kështu jeton femra e bukur,
gjithçka e shuan dhe e ndez,
çdo çast ajo rilind nga fjala,
çdo çast nga fjala ajo vdes.