Poezi nga Imer Topanica

21 mars 2024 | 13:11

HAPËSINA

 

Uka, gjyshi im

Gojtar i ndigjuem odash

Vuejti në shtrat do muej

E ia dorëzoi shpirtin Zotit

 

Në bahçe

Udhëve

E n’atë odë

N’atë gavrën e tij të vocërr

(e tillë më ngjante oda ku tymoste duhan)

Ma nuk e gjen

 

S’e gjen as nën hijen e arrës

As kund në livadh

As në çajtoren e preferueme në shehër

As në xhami,

Kaq hapësinë pati zanë qenia e tij

 

EJA

 

Eja

Kangë në zemrën teme

Ec ngadalë dërrasave të kalbuna të pritjes

Andej ku pluhuni i mallit me shekuj hesht

Gjurmëve të tua trandafila kanë me çelë

 

Gjatë të kam pritë

Nën strehën e pikëllimit

Ku ka kohë po rigon shi mërzie

E tingujt po më vdesin agonie

 

Eja

Frikë a ke

Unë kurrë s’kam vdekë

 

Eja nji mëngjesi

Si kalë i azdisun

Dhe shkel çdo plagë mërzie derisa të më rrjedhë gjak i pastër lumtunie

Oh eja

Dhe kurrë ma mos dil

Prehu përjetësisht si në varr

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
ZGJIM   Nuk jam vajza me gjergjef S’ka portret që…