Poezi nga Irena Gjoni
NË MARROSJE UJËRASH
Nën shtatë palë lëkure tramundanash shpirti,
ka hedhë rrënjë guri i themelit të mungesës,
në një frymëmarrje që thur e shthur perandori,
teksa copëza vetmie,
rrugëtimin marrin në qiejt e verbër.
E thua se vetmia shtohet më, në shtëllunga dhimbjeje
dhe qielli humbet në eklips rënkimi…
Kanë ngelë në imazh rrugët që kanë marrë flakë,
ndërsa ne devijojmë duke u marrosur ujërash,
Përmes valësh të kaltra që u mungon kripësia,
përmes shiut të dritës
që ndjell e shprish çaste të pajetuara.
Ne po zhdukemi labirintesh dilemash distancash.
Si një vaj pa zë,
ndihemi sikur njëri ka humbur tingullin që kërkon tjetri
Nuk jemi të mbledhim valët mbi lëkurë
e t’i bëjmë kujtesë të prekshme…
Pa ne kujtesa s’ka tokë e qiell të vetin,
është merimangë e ngatërruar…
Pritja,
rrëketë e ujërave mbi lëkurë po i thanë
duke lënë shikime që lëvizin si gjuhë gjarpri
e vijnë rrotull të marrin ç’mundin.
Po ma përmbys botën
e gjithçka po ma bën tokë të shkrumbuar
Kjo mungesë marrosje ujërash…
NGA HIRI PA PRUSH
Nga hiri pa prush,
thëngjijtë që nxijnë nga kobi i ikjes,
mund të shkruajnë një histori…
Simfonia e trupit
mund të luhej vetëm nga fryma jote,
por lëkurët e vjetra mbetën pa zhveshur
pranë shtratit të ajërt,
peng i kushedi kujt imazhi të erës,
pikturuar në lëkurën e Edenit,
para se fruti ta përmbyste botën në mëkat.
E kuajt u arratisën joshës
Duke e vringëllirë në ajër bishtin shndritës,
nën ritmin tundues të harkut të violinës
Ku janë varë për të kapur më lehtë perëndimet.
… dhe nga hiri pa prush,
thëngjijtë që nxijnë nga kobi i ikjes,
vazhdojnë të shkruajnë një histori…