Poezi nga Joumana Haddad
FALËNDERIM
Faleminderit Zot
Për cunamin në Indonezi
Për uraganin Katrina
dhe për tërmetin e fundit në Japoni.
Faleminderit për Luftën e Parë Botërore,
Për Luftën e Dytë
dhe për gjithë ato që na përgatit për Krishtlindje, çfarëdo qofshin.
Faleminderit Zot
për foshnjat që vdesin nga uria në Afrikë
për foshnjat që vdesin prej urrejtjes në Palestinë.
Faleminderit për Xhorxh Bushin, Mahmud Ahmadinexhadin
dhe për të bukurin Adolf Hitler.
Faleminderit për shpërthimet vullkanike, ciklonet, meteorët,
për Hiroshimën, Çernobilin dhe masakrën në Kana.
Për Sidën, kancerin dhe Parkinsonin.
Faleminderit Zot
Për të verbrit, aksidentet rrugore,
për racistët, përdhunuesit dhe pedofilët.
Dhe faleminderit për murgeshat
faleminderit për priftërinjtë
për ajatollahët dhe uahabitë.
Faleminderit për kolerën dhe aksidentet e avionëve,
për jetimët, të vejat dhe fëmijët lypsarë.
Faleminderit për fushat e minuara
dhe lojërat e jashtëzakonshme të shfarosjes në masë.
Para se të harroj.
Faleminderit,
faleminderit për vrimën e ozonit.
(Kisha nevojë për nxirje intensive).
Faleminderit Zot për Al-Kaidën
për burkën dhe Playboyn
faleminderit për gratë e shtypura,
për krimet e nderit.
Për hakmarrjen dhe padrejtësinë.
Faleminderit për zemrat e thyera, tradhtitë dhe zhgënjimet.
Për betimet e kota dhe ëndrrat e vjedhura.
Faleminderit për makthet
dhe jetët që ju ngjajnë.
Faleminderit për njerëzit kokëfortë
për budallenjtë dhe ata pamëshirë.
Faleminderit për thikat pas krahëve, për gratë e rrahura.
Për peshkaqenët e Wall Streetit dhe krimet në seri.
Faleminderit për bubuzhelët dhe diktatorët
kënaqësi e veçantë të mësosh se u mbijetojnë bombave bërthamore.
Faleminderit Zot
për gjykimin e fundit, për fast-food-et,
për leshin dhe penisët e vegjël.
Faleminderit për martesën dhe ferrin
Këto dy të fundit shkojnë shumë bashkë.
Mbi të gjitha, i dashur Zot
faleminderit për Zotin.
Mes gjithë hatave që polle
goditja mjeshtërore
Je vetë Ty!
(Përktheu: Miranda Içi)