Poezi nga Leonora Buçinca
KA VITE QË MË SHFAQET E NJËJTA ÀNDËRR SAHER QË MBYLLI SYTË
diku
në një oborr të madh
pa shtëpi
pa zot
unë
në njërën anë
ata
në anën tjetër
disa të tjerë si unë
prapa meje
në mes
një pus pa fund.
Bën vapë
sa nga dielli
sa nga zjarri i pushkëve
kam etje
po
kush të lë t’i afrohesh pusit
më ërrësohen sytë
po vdes
për një pikë ujë.
(Dhe, kjo është vdekja e parë)
Një lëng i freskët
ma stërpikë fytyrën
si në mjegull
e turbullt
nuk shoh dhe nuk ndiej
ç’ngjyrë
ç’aromë
ç’shije ka…
e ndiej si diçka të dashur
si diçka timen
dhe
zgjohem…
çuditërisht, shoh
më mirë se më parë
Thërras ata si unë
që ishin prapa meje
dua t’ua jap lajmin që
s’kam vdekur
hejjj, them
ku jeni
heshtje
askush s’më përgjigjet…
Nga ana tjetër
dëgjohen ca zëra t’pakuptimtë
ca plumba më fluturojnë
mbi kokë
rrëzohem përtokë
n’sy më hynë një
gisht i këputur me unazën e fejesës
e largoj gishtin prej syri
e unaza me pikë në grusht
më vjen të piskas
dhe e bëj
ndërsa shtrëngoj grushtin
unaza më futet në mish…
prapë bërtas
me lot
me gjak e me dhimbje
në baltë kërkoj
t’zotin e gishtit
çka me pa….
aty janë të gjithë
pa duar, pa këmbë
pa koka
pa gishta…
më errën prapë sytë
më thahet gjuha
para kufomave me uniformë
dhe përplasem para tyre
unë kufoma me laps…
(Dhe, kjo është vdekja e dytë)
Diçka e ftohtë ma rrëqethë trupin
kërkoj ta prek me duar
më mungon një gisht
ndiej dhimbje
nga trupi
gjaku më buron
me dorën pa një gisht
i fshij sytë
nuk më duhet uji
të vdekurit lahen me ujë
të gjallët lahen me gjak…
zgjohem
shoh sërish
gjaku po arrin deri te buzët
e trupave të shtrirë
marrë kapelën
n’vend të kovës
e mbushi gjak dhe e derdhi
n’pusin pa fund
kështu
derisa mbushet plot pusi
derisa mbaron gjaku
pikë për pikë…
Ata vazhdojnë të qëndrojnë të shtrirë
përtokë
me gojë hapur.
Nga ana tjetër nuk dëgjohet
asnjë zë
as zhurmë
as krismë…
Nuk e di
nëse kanë ikur
apo janë shtrirë kështu si ne këndej…
Nuk kam kohë
të mendoj për ata
të më gjuajnë
tani u mësova me vdekjen…
Apo, ndoshta paska mbaruar lufta!?
Kushedi!
Detyra ime është
t’ua marrë ngjyrat e syve
të gjithëve atyre që janë shtrirë,
para se t’ua mbylli sytë
me dorën time pa gisht
ndoshta një ditë bëhem nëne
i duhen fëmijës tim
ta pikturoj
pranverën time të 19…
Pastaj u marrë edhe fjalë nga buzët
para se t’ua mbyll gojën
dhe filloj
ta shkruaj këtë àndërr se
më nuk do të
zgjohem
e di…
(Dhe, kjo është vdekja e tretë dhe e fundit)
Venezia, gusht 2015