Poezi nga Leonora Lokaj
21 mars 2024
| 09:47
HESHT
Kur sheh se si ujërat e turbullta
Të vijnë vërdallë
Hesht…
Dhe ne heshtje mbyti
Qelizat tua që protestojnë dhunshëm
Por…
Mos harro kurrë të e kujtosh
Atë që zbukuron botën tënde
Hienat e kësaj kohe kopile
Le te përsiatin përreth
Pa pasur mundësi të e thyejnë
Pasqyrën e mozaikut shumëngjyrësh
Që ndërton ti!
KAM RA N’DASHNI
Kam ra n’dashni
Në sytë e yjeve net’ve pa re
N’tërbimin e val’ve kur protestojnë
Detnave t’shpirtit
Agimin gojëhapun kur zgjohet
N’epitaf àndrrash t’djeguna.
Kam ra n’dashni
N’kujtimin tánd
Që n’beb’za t’mija
Shtrehêt me flejt’
Psheretimat e djersituna t’kohës
Nuk e qojnë dot nga àndrra.
Kam ra n’dashni
Në thijat e jetës kur dehen
Mbramjeve t’venituna nga vesa
Kam ra n’dashni
N’dushkun e vjeshtës ku shtrehet
Lazdruem jeta jeme…