Poezi nga Muharrem Miftari
BRENGË
Besoja se do të takohemi sërish
Se ndiej të të rrëfehem për kohën e munguar
Se kam, eh, çfarë të të them si i penduari në kishë
Para teje, megjithatë, ndihem shumëfish më i mëshiruar
Të të takoja doja doemos
Se kisha mall për ty
(Oh, sa më mungon!)
Gjithë brengat e mijëvjeçarit që kisha ndryrë
Ngadalë, ngadalë doja të t’i shpalos
Të ta prekja dorën e të ta puthja me buzët valë
(Ende ndiejnë dorën tënde magji)
Orët shkonin e vinin, të heshtur krejt pa fjalë
Shpresoja të të sillnin e të çmallesha me sytë e tu kaltri
Ja që s’qe e thënë të takohemi sërish
Sot dita më qe e mërzitshme sa s’ka
Gjithë çka shikoja më dukej e trishtë
Si i fandaksur pyesja: pse s’vjen, pse s’vjen muza pra
ÇAST
Kur bashkuam duart
Urë e ylbertë për shpirtrat tanë
Dora jote mbi dorën time
Nuk ishte thjesht dorë
As ora kur prekëm duart
Nuk ishte thjesht përmasë e kohës, por ishte orë