Poezi nga Naim Frashëri

22 prill 2022 | 15:55

FYELLI

 

Pa dëgjo fyellin ç’thotë

Tregon mërgimet’ e shkretë,

Qahet nga e zeza botë

Me fjalëzë të vërtetë.

 

Qëkurse më kanë ndarë

Nga shok’ e nga miqësia,

Gra e burra kanë qarë

Nga ngashërimat e mija!

 

Krahërorë e kam çpuar

E kam bëre vrima-vrima,

Dhe kam qar’ e kam rënkuar

Me mijëra psherëtima!

 

Dhe me botën’ e gëzuar

Bëhem shok edhe marr pjesë,

Dhe me njerës të helmuar

Bënem mik me besa-besë.

 

Puna sido që të bjerë

Unë qanj me mallëngjime,

Më çdo vënt e kurdoherë

Psherëtin zëmëra ime!

 

Gjithë bota më dëgjojnë

Po së jashtëmi më shohin,

Dëshirën s’ma kupëtojnë

Zjar’ e brendëshmë s’m’a njohin.

 

Njerëzit me mua rrinë,

Unë qanj’ e mallëngjehem,

Po dufn’ e pshehtë s’m’a dinë

Andaj kurrë s’përdëllehem.

 

Gjith’ ata që janë ndarë

Fyellit shokë ju bënë,

Shkallët’ e tij disa farë,

Na shkalluan mëndjen tënë.

 

O rrëmet i njerëzisë!

Zër’ i fyellit s’ësht’ erë,

Ky ësht’ zjarr’ i dashurisë

Që i ra kallamit mjerë!

 

I ra qiellit e ndriti,

I ra zëmrësë e nxehu,

I ra verës e buçiti,

I ra shpirtit, dhe e dehu.

 

I dha erë trëndafilit

I dha dritë bukurisë,

I dha këngëtë bilbilit,

I dha shije gjithësisë.

 

Ay zjar i ra në qiej,

Edhe duke përvëluar,

U bënë kaq yj e diej,

Që i mba Zoti ndër duar.

 

Nga ky zjar Zot’ i vërtetë,

Që ka ngehur gjithësinë,

Hoth një shkëndijë në jetë,

Dhe bëri sojë njerinë.

 

More zjar i bekuar!

Unë me ty jam përzjerë,

Pa jam tretur e kulluar,

Po të kam shpirt, mos më lerë.

 

NJË LUL’ E VISHKURË, A NJË VAZHËZ’ E VDEKURË

 

Pse mba mëri? s’e mar dot vesh,

Përse s’më flet si një herë?

Pse s’më shikon? pse nukë qesh?

Ç’rri kok’ unjur dhe e mjerë!

 

Sa e qeshur më qe dije!

Të xbardhte gusha si kartë;

Buza me gas ç’të kish hie!

Më ishnje si fill’ artë!

 

Popo! si më je shëmtuar!

Të ka zënë varfërija,

Më je tretur e kulluar!

Ku fluturoj bukurija?

 

Të shoh të fishkurë për dhé,

pa shpirt, pa gjak, pa fytyrë,

Na le, o lulezë, na le!

O vdekje! ç’je një mynxyrë!!

 

Që lott’ e syvet s’i shikon,

S’vë vesh në mallëngjime,

Je e shurdhër, nukë dëgjon,

Ah! je plot me hidhërime!

 

Sa na dhemp e shkreta jetë!

Ndonëse nuk’ e pëlqejmë,

E pandehini të vërtetë,

Me gjësendi s’e çkëmbejmë!

 

Të korr’ o lulez’ e gjorë,

Të hedhë në jetet tjatër,

E nga neve hoqe dorë!

Më s’na ke t’ënt’ as të afër!

 

Ah! dh’ ata që kanë shkuar,

Zëmërnë zhur na e bënë,

E kemi të përvëluar,

Zëmra prej guri s’ka qënë.

 

 

Paskëtaj buza më s’më qesh,

Se zëmra m’ësht’ e lënduar,

Zot’ i vërtetë! të më ndjesh,

Jam djegur e përvëluar.

 

Qiej! veshuni në të zi!

Edhe ju yj më mos ndrini!

O hënë, mos del përsëri!

Gjithë të helmuar rrini.

 

Nxihu, o diell’ i shkretë!

Ditë, rrobën’ e natës hidh!

Thahu e ti po dhé për jetë,

Ti lumë, qetohu, mos klith.

 

Të mbarohetë kjo jetë!

Të mbretëronjë pushimi!

Të bijemë në të qetë!

Të gjenjë funt hidhërimi!

 

Rrojmë këtu me mundime.

Me ah, e me psherëtima,

Me breng’ e me mallëngjime.

Me vaj e me ngashërima.

 

Më së fundi hyjmë në dhet,

Edhe kurrë më s’na gjejnë!

Bijem e humbasëm në det,

Dhe valëtë na rrëmbejnë!

 

Të rrëmbyen edhe tynë,

O lulez’ e bukurisë!

T’a sheh të venitur synë,

Më ke fytyrën’ e zisë!

 

Kur dhé shpirtinë ti pshonje,

Me një psherëtimë si zjari,

Gjithë ç’jan’ i përvëlonje

Nukë mbetej as një fill bari.

 

Vallë ku do të të shpijen,

Në qiej, përpara Zotit?

A kërkojnë të të shtijen

Prapë në duart të motit?

 

Të linç për të vdekur prapë,

E të vdeç, që prapë të linç,

Edhe kështu ver’ e vapë,

Gjithënjë të veç’ e të vinç?

 

A po për jetë do të shkosh,

Mosqënja të të mbulonjë,

Edhe ti jetën t’a harosh,

Dh’ ajo ty të haronjë?

 

KORÇA

 

O vëllezër Shqipëtarë!

Gëzohi! që erdh kjo ditë,

Kaq’ e mir’ e kaq’ e mbarë,

Që sjell gjithë mirësitë!

 

Kjo është një dit’ e rezë,

Që bije vëllazërinë,

E dëbon jetën e zezë,

Dhe ndarjen’ e marrëzinë.

 

T’a lusimë këtë ditë

Që bekoj Zot’i vërtetë,

Dh’ e dërgoi me shumë dritë,

T’i mbes’emëri përjetë.

 

Sot e vumë gurr’ e parë.

E bekuar ësht’ kjo ditë,

Zot’ i math e pruftë mbarë,

E na dhëntë urtësitë!

 

Hapu, hapu errësirë!

Pa jakë tëhu, o dritë!

Se arriti koh’ e mirë,

U gdhi nata, u bë ditë.

 

Sot niset një tjatrë jetë,

Të rremenë posht’ e shtije,

Mbretëron fjal’ e vërtetë

Dhe të mirat gjith’ i bije.

 

Zot’ i math qoft’ i lëvduar!

Q’e nxjer në shesht të vërtetën,

Se ajo sij ka buruar,

Pa e ka ndritur jetën.

 

Lumja ti, moj Korç’ o lule

Q’i le pas shoqet’ e tua,

Si trimi në ball’ u sule,,

T’a paçim përjetë hua.

 

Kushdo që është sot burrë,

Dhe Shqipëtar i vërtetë,

Emëri s’i shuhet kurrë,

Dhe nderi i rron përjetë.

 

Gjuha jonë sa e mirë!

Sa e ëmbël! sa e gjerë!

Sa e lehtë! sa e lirë!

Sa e bukur! sa e vlerë!

 

Kjo’ shtë mëm’ e mirësisë

Që bije qytetërinë,

Gasthin e vëllazërisë,

Njerëzin’ e miqësinë.

 

S’jemi Grekër as Bullgarë,

Asgjë tjetër nukë jemi,

Jemi vetëm Shqipëtarë,

Në kët’ emër nder’ e kemi.

 

Ky emr’ është shum’ i mirë,

Se më s’jemi të gënjyer,

Nukë jemi n’errësirë,

E njohmë gjën’ e vjyer.

 

Perëndija na e lëntë!

Për jetë ta trashëgojmë,

Edhe kurrë mos e dhëntë!

T’a humbim e ta harrojmë.

 

Të lemë mëmënë tënë

E të marimë një shtrigë!

Zoti mos e pastë thënë!

Pun’ e keq’ e shum’ e ligë.

 

O! sa qenë të gënjyer,

Ata që vuan për botë,

Turp të math kanë rrëfyer

Punuanë fare kotë.

 

Pa mejtoni, o të gjorë,

Efialtin, Pafsaninë,

Që u bënë trathëtorë

Dh’ e gjenë më Perëndinë.

 

Nga gjithë ç’kemi kënduar,

Për të njohur vetëhenë,

Kaqë gjë kemi mësuar:

Të nderojmë mëmëdhenë.

 

Se njerzit gjithë vdesin,

Po jeta s’mbetet e shkretë,

Gjuha, Mëmëdheu mbesin

Të patundura për jetë.

 

Me zëmërë të gëzuar,

Dhe me gjithë shpirt uroni!

Zotërinjt’ e zotëruar!

Gjithë përnjëherë thoni:

 

Rroft’ e qoftë Shqipërija!

Dhe kombi e gjuha jonë

Lulëzoftë diturija!

Edhe ndihmës paçim Zonë!

 

Edhe Sulltanit të mirë,

Mbretit t’math q’e kemi atë

De ka për neve mëshirë

E përpiqet dit’ e natë.

 

Zoti jet’ e dit’ të dhëntë

Dhe qëllimet ja mbaroftë!

Me nder përmi front e lëntë!

Dhe gjithnjë e gëzoftë!

 

SHPREHË

 

Kam shumë shpresë

Te Perëndija,

Që të mos jesë

Kshu Shqipërija,

Po të ndritohet

Të lulëzohet.

 

Pa vjen një ditë

Që të na sjellë

Të madhe dritë

P’ajo të pjellë:

Qytetërinë,

Fatbardhësinë.

 

Vëllazërija

Edhe bashkimi

E njerëzija

Është shpëtimi,

Lum kush t’arrijnë!

Pa do të vijnë.

 

Që Shqipërija

Do të ndritohet

Dhe ligësija

Do të mërgohet.

Jak’ e vërtetë!

Pse rri e qetë?

 

Për Shqipërinë

Ditët e mira

Paskëtaj vinë

Shkoj errësira,

Lum kush të rronjë,

T’a shohë zonjë!

 

Se Shqipëtari

E gjuh’ e tija

Venë së mbari

Dhe Shqipërija,

Lum kush t’a shohë

Për pakë kohë.

 

Pa dituritë

Dhe mbrothësija

E mirësitë

Dhe njerëzija,

Do të burojnë

Nukë mënojnë.

 

ATDHEU

 

O Atdhe! më je i dashur sa më s’ka,

Më je nënë, më je motër, më je vlla.

Nga ç’ka rrotull më i shtrenjti ti më je,

Je më i miri nga çdo gjë që ka ky dhé.

Ty përditë të pat parë ime nënë,

Dheu yt në fund atë e pati ngrënë.

Nëmëruar t’i pat lulet syri i saj,

Te ti lindi, te ti vdiq ajo pastaj.

Ti i ke parë gjysh-stërgjyshërit e mi,

Edhe eshtërat tretur ua ke po ti.

Nga ti, shpirt-o, ata kurrë s’qenë ndarë.

Pranë teje patën qeshur, patën qarë.

Nëna ime vdiq, ndaj ty të kam sot nënë,

Nënë që s’ke vdekje kurrë, faqehënë.

Dhe pse ha, o dhé, ti bijt’ e tu të mjerë,

Numri prapë në vend mbetet kurdoherë.

Begatoje, o imzot, ti këtë vend!

Epu njerëzvet të tij ti mbroth e shend!

Hi u bëfshin gjithmon’ armiqtë e tij!

Gaz përjetë paçin zotërit e tij!

I begatë, i lulëzuar qoftë ai,

Një të ardhme pastë plot me lumturi!

 

(Më 25 maj 1846, rrafsh 175 vjet më parë, lindi poeti më i madh i Rilindjes Kombëtare, Naim Frashëri, i cili në veprat e veta ka dhënë porosi të shumta dhe të mëdha për popullin shqiptar. Në shenjë kujtimi dhe nderimi për veprimtarinë e tij atdhetare, zgjodhëm për këtë numër të revistës disa poezi të tij. Poezitë e mësipërme janë marrë nga libri Naim Frashëri, Vepra 1, Rilindja, Prishtinë, 1978).

FJALET E QIRIRIT

Në mest tuaj kam qëndruar

E jam duke përvëluar,

Që t’u ap pakëzë dritë,

Natënë t’ua bënj ditë.

Do të tretem, të kullohem,

Të digjem, të përvëlohem,

Që t’u ndrinj mir’ e të shihni,

Njëri-tjatërin të njihni.

Për ju do të rri të tretem,

Asnjë çikë të mos mbetem,

Të digjem e të qanj me lot,

Se dëshirën s’e duronj dot.

Unë zjarrit nuk i ndruhem

Dhe kurrë s’dua të shuhem,

Po të digjem me dëshirë,

Sa të munt t’u ndrinj më mirë.

Kur më shihni që jam tretur,

Mos pandehni se kam vdekur;

Jam i gjall’ e jam ndë jetë,

Jam në dritët të vërtetë,

Unë jam në shpirtin tuaj,

Mos më kini për të huaj,

M’është falurë durimi,

Andaj po digjem si trimi,

Se ma k’ënda t’u bënj mirë,

Të mos mbeti n’errësirë.

Jakëni rreth meje rrini,

Flisni, qeshni, hani, pini.

Në shpirt kam dashurinë,

Pa digjem për njerëzinë,

Lemëni të përvëlohem,

Nukë dua më të ftohem,

Dua ta djek trupn’ e shkretë

Për atë zotn’ e vërtetë.

Me zjar ta djek mushkërinë

E të tretem për njerinë,

Bashkë me gëzimt të tija

Të vete te perëndia.

Unë dua njerëzinë,

Mirësin’ e urtësinë,

Në bëni shokë me mua,

Në më doni si u dua,

Njëri-tjetërin në doni,

Të paudhë mos punoni.

 

O zëmëra fluturake,

Qasju pakë kësaj flake!

Mase krahët t’i përvëlon,

Po dhe shpirtin ta shënjtëron.

Unë duke përvëluar,

Njerëzit i kam ndrituar.

Kam qënë mik me njerinë,

Andaj i di e më dinë.

Gjithë tuajt’ i kam parë,

Mëm’ e at’ e fis e farë,

Si tani gjithë i kam ndër mënt.

Që rrininë më këtë vënt.

Edhe sot nër ju ata shoh,

Se shpirtin e tyre ua njoh.

Dhe unë si ju jam ndruar

E jam përzjer’ e ndryshuar,

Pa jam bërë shumë herë

Zjar e uj’ e balt’ e erë.

Jam një shkëndijë pej qielli

Dhe një drudhëzë pej dielli.

Edhe ndër qiej fluturonj,

Edhe brënda në det qëndronj,

Shumë herë fle në baltë,

Diku ndodhem dhe në mjaltë

Bënem qënq e kec i pirë,

Lul’ e bar e gjeth i mbirë.

Dua shumë fjalë t’u them,

Po trëmbem mos i bënj ujem.

E ku shkruhenë në kartë

Fjalët’ e gjuhësë zjarrtë?

 

(Marrë nga: Naim Frashëri, Vepra të zgjedhura, Akademia e Shkencave e RPSh-së, Tiranë, 1980)

Pamje e pikturës e Agim Sulajt

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fituesja e ‘Medaljes së Artë’, Alina Kabaeva, 38 vjeçare, u…