Poezi nga Neviana Shehi
Neviana Shehi
AUTPORTRET
Unë jam ai tisi i hollë që
vesh pasqyrën e detit
pa nxjerrë syrin dielli
pa brofur në sipërfaqe ende
peshqit e porsazgjuar
nga gjumi i thellësive
pa lëshuar ende sirenat e lamtumirës
tragetet mëngjesore
që nisen drejt linjave të largëta.
Konfiguracionet e bardha
të çuditshme të shkumës
që ndjek ikjen e tij
s’mund të jenë gjë tjetër
përveçse loti
dhe malli im i bardhë
për ata që largohen nga brigjet.
Netëve të vjeshtës
unë shndërrohem pa ndier
në një poete të heshtur
që shkruan romane të pafundme
në vargje për njerëz
dhe dashuri të humbura
në librin e verdhë të gjetheve.
(Të gjitha bibliotekat e pemëve
i kanë nën lëkurë romanet e mia)
Ka ndonjë rast që trupi im
vishet me luspa të kaltra
dhe unë bëhem edhe sirenë deti
që pret një djalë të bukur
mbas trungut të një palme.
Askush s’mund të më shohë
sepse unë jam e padukshme
shpesh bëhem
thirrja e pazëshme
e brigjeve të lumit tim
dashuruar me urën.
Ju nuk e dini se çdo të thotë
dashuria e një lumi
me urën e tij
ndërsa unë po
unë di shumë gjëra
por
edhe kaq
do të më mjaftonin
që ju të më besoni
sepse
unë nuk gënjej asnjëherë
as të vetëmburrem
autoportretet e mëngjeseve
dhe mbrëmjeve
gjithmonë janë të sinqertë…
KËMISHA E BARDHË
Gjithmonë më ka pëlqyer të vesh
një këmishë të bukur të bardhë
ia preva një reje që dikur
mbi kokë më kaloi
lozonjare e tejdukshme
siç janë gjithë retë e marsit
dhe gjithmonë të shtyra nga fllade fantazie
në cepin e majtë
gjithkujt i bien në sy ca perla prej vese
njëzet rrobaqepës dhe prestare erdhën atë ditë
për ta prerë e qepur këtë këmishë.
Ndërsa më merrnin masën
buzëqeshja dhe kujtoja rrobaqepësit e Guliverit
në ishullin e njerëzve të vegjël.
Në çastin që vesha këtë këmishë
trupi im doli prej meje
duke u ndier një trup i magjepsur
Ky ishte dhe momenti i kurorëzimit tim
si princeshë e ishullit të ëndërrt
një princeshë e shndritshme
e ëndërrt dhe e rrethuar si ngaherë
me një ushtri xixëllonjash.
Netëve të bardha
iu bindem dëshirave të mia dhe të qiellit
për t’u zhveshur dhe pudrosur
me një pjalm bërë nga fluturat
ky më ndihmon për t’i përshkuar
më shpejt udhët e qiellit
dhe për të qenë dhe më pranë tokës.
Mbulohu princeshë
më këshillojnë pëllumbat
dhe më mbulojnë
me krahët e tyre të magjepsur
Ndaj dhe unë kam rënë
shpeshherë në dashuri me ta.
Gjithmonë mbaj veshur në trup
një këmishë të tejdukshme prej reje.
VDEKJA E INSEKTIT
Shtëpia e saj ishte e çuditshme
gjithmonë do të ishte e ndërtuar
prej rrjetash transparente
dhe gjithmonë në trajtën
e një nëntëkëndëshi të varur në ajër.
Syri i saj prekte vetëm një skaj
të luginës së zezë dhe kjo i mjaftonte
në mbrëmje
vinte vargan ushtria e mizave
dhe mushkonjave mendjelehta
që mbasi i binin rrotull disa herë shtëpisë
hynin brenda.
Vonë shumë vonë e kuptonin
që kishin hyrë me dëshirë
brenda varrezës së tyre
dhe këtu qëndronte tragjedia.
Nga dritarja e mbrëmjeve të mia të vëzhgimit
shikoja ngërdheshjen e tyre të përditshme
rrahjen e krahëve të dëshpërimit
dhe më në fund paktin e heshtur
me vdekjen që i priste
ndryshe nga të tjerat.
Vdekja e tyre kishte formën
e përpëlitjeve të gjata dhe të dëshpëruara
një klithmë dëshpërimi
pastaj trupin e zi dhe të kolme
të zonjës vdekje që lëvizte ngadalë
dhe pa u nxituar
për ta firmosur aktin
e marrjes së tyre në dorëzim.
Mua gjithmonë më ka çuditur fakti
që asnjë prej viktimave nuk e njeh
gjuhën e vajit dhe lutjes
ndryshe nga njerëzit
krejt ndryshe
si mundet vallë?
Disa herë i kam pyetur insektet e vdekura
por asnjë prej tyre
nuk më ka dhënë përgjigje të saktë
sigurisht kanë qenë të zënë
me përgatitjen e vdekjes së tyre
dhe udhën e fundit drejt fillesës.
Zoti im
sa lehtë mund të vdesë një insekt
dhe sa qetësisht e hedhin
mantelin e vdekjes mbi shpinë