Poezi nga Ramë Oraca

21 mars 2024 | 13:05

ËNDRRA E BABËS

 

baba i ngratë shpesh thoshte

jam bërë si fëmija

po shoh ëndërr duke fluturuar me kanjusha

sipëri një letre të prerë me vija të kuqe

si currilat e gjakut të kurbanit

po më lidhen për trupi

 

asnjë ëndërr s’po më del

me kapërcye matanë tymnaje

dikush nyje po m’i lidhë këmbët për djepi

me brisk temin po m’i presin krahët

e po bie pa shpirt teposhtë

një zot e di ku

 

të nesërmen kur po çohem

i bamë llom prej ëndrrave të këqija

kurrë nuk munda me ju bë bashkë një herë

e me ju kallëzua të tanëve

se këtu në tymnajën e sertë

ëndrrat e këqija zgjatin shumë, biro!

 

PLEQNARI I FUNDIT

 

i njohur si mjeshtër i fjalëve të urta
krejt të këqijave ua gjente pikënisjen

 

me një fije kashte i ndante dyfytyrëshit
n’dru të çergës ia shkurtonte këmbët rrenës

 

në sitë e në shoshë i vinte thashethemet
për me i ndarë njerëzit prej sendeve

 

nga kallaballëku veç një fjalë e merrte
me të urtë e gdhendte për kryevendi

 

ai kurrë s’kishte folur me kokë ndër sixhade
me fjalë të ëmbla na e zdriste fytyrën

 

rrallëherë fjalët i dilnin prej terezie

po me një mesele i urtësonte krejt

ai midis prushi me gishta e merrte gacën

e t’ia qiste tymin çibukut me duhan të sertë

 

oda pa trapazan është si gjumi pa jorgan – thoshte
në konak të ftoftë ëndrra zgjat shkurt, biro.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
MURI   Përpiqem ta vështroj Botën nga dritarja, Por, një…