Poezi nga Rozafa Shpuza
ME U ÇTJERRË
Nana i qindiste kryq dimnat
mbi nji thes andrrash që tash frymon tërthor pragut,
atje në qytetin me tezgjahe shinash.
Lamshat me fije t’shkepuna prej xhupash t’vjetër,
që nana i çtirrte sipas kodesh ylberore
sillen si vërle e më kthejnë rishtaz te prologu.
Ndiej se fijet m’kyqëzojnë ndër direkë mëkatesh,
e unë shndërrohem në nji lamsh
që sillet si vërle ndër udhëkryqe të çorodituna.
Rrugët rreken me ma zhubrosë frymimin
e unë çtirrem, çtirrem
e prore çtirrem
me shpresë se filli ka me mbërrit deri te shtroja
me dimna të qindisun kryq.
GRUEJA FANTAZËM
Asnjeni prej fëmijëve t’lagjes
s’e dinte kuptimin e fjalës “prostitutë”.
As gjyshja s’e dinte…
E kërkuem m’kot edhe n’fjalorin
me shkronja t’preme si shkallë
n’kursin e italishtes
te shpija e zotni Ndocit…
Dinim veç se në Shkodër
endej me biçikletë nji grue fantazëm,
prejse asnjeni s’guxonte me e pa n’sy.
Hamendjet që s’ua rrëfyem as ditarëve
ua zunë vendin lojnave të fëminisë…
Nji ditë u shpërndamë nëpër botë
për me u takue prore
kur shpinat na ishin kërrusë paksa,
e s’u çuditëm aspak
kur ndjem mall për gruen fantazëm
që dikur pat’ qindisë fantazitë tona rrebele.