Poezi nga Sali Bashota
MARTIRJA E DASHURISË
Mërgon e Vluara plot hirësi
Shtrydh dashurinë përmbi varr
Në vend lotsh pikon shi
Trupi i martirit mbështillet me zjarr
Me ninulla përkundet dhimbja
Peizazh ekzili i kuq i zi
Prehet shtatë pashë thellë zemra
Këndon e Vluara për nusëri
Kur e ringjall krenarinë
Vallja e vdekjes sa fort dhemb
Kur çel shpirtin me vetëtimë
O vajton e Vluara plot mërzi
Dikush tërë atë magji ia shemb
Kur i jep zemër trimit të ri
SI ËNDRRA E BARDHË
Ti udhëton bashkë me shiun e kryeqytetit
Siç udhëtojnë netët e bardha në jetë
Pastaj shfaqesh brenda shpirtit të poetit
Dhe hyn në botën e kujtimit të vërtetë
Sa herë vjen e diela dremit shpirti ynë
Përshëndetjet e ëmbla sa gjatë mungojnë
Prapë ndizen shpirtrat bashkë me zjarrminë
Tani në qiell të gjithë zogjtë fluturojnë
Mendimet e urta i mbulon qetësia
Asgjë nuk lëviz pranë syve të tu
Kur vjen e diela ngjallet dashuria
Sa çast i bukur i kujtimit blu