Poezi nga Skënder Rusi
NË SHAH
Po bie mbrëmja qetë, qetë
Me shokun tim unë luaj shah!
Vërtet këtu ka edhe mbretër,
Po ne i komandojmë ata!
E treta radhë që fitorja,
Veç mua po më buzëqesh!
Ky shoku im pi veç cigare,
Një shuan dhe një tjetër ndez!
Kur ja, tek xhami, afër derës,
Kaq befasisht u shfaqe ti!
Dhe na vështrove duke qeshur,
Po kujt i qeshe nuk e di!
Sa kohë që ndenje pranë nesh,
Aq herë unë u zura mat.
Tani e kisha unë radhën,
T’i pi cigaret me inat!
1 000 lojë të bëj tani,
Unë do t’i humb një e nga një,
Sa kohë që ende nuk e di,
Për mua erdhe apo për të!
1 000 mbretër shoku im
Le të m’i nxjerrë mua mat!
Mjafton që ti të më kuptosh,
Se ardhja jote u bë shkak!
TEPËR VONË
Ti ke një moshë me time bijë,
Me babin tënd, unë, moshatar.
Kush të dha urdhër të më duash
Me hirin tim të ndezësh zjarr?!
Ata thëngjij që ishin shuar
Ti si guxon me dorë i prek?!
Kush të dha urdhër të më ndezësh
Pa pasur frikë se unë të djeg?!
Ke ardhur vonë. Tepër vonë.
Kur dimri krejt më ka pushtuar,
Kur vdekja firmën më kërkon
Ndoshta në ferr për të më çuar!
Ti gjysma-hënë je kur zhvishesh
Dhe gjysma tjetër-perëndi!
Me çdo të puthur m’i ul vitet,
Më kthen në moshën që ke ti!
Me këto gjysma, unë poeti,
Mund të ndërtoj tjetër planet.
Në djall pastaj të shkojnë vitet,
Dhe moshat le të shkojnë në dreq!
Po prapëseprapë një frikë ndiej,
Po mora zjarr, si mund ta fik?
Prandaj dhe po vonoj të zgjohem,
Them ndoshta ik.
Them ndoshta ik…