Poezi nga Syhejl Havolli

08 mars 2023 | 08:55

VASHË PËR BUKURINË TËNDE

 

1.

Në brigje të largëta kujtimi

Më shpie ndjenja për bukurinë tënde

 

Kur ta kujtoj flokun e zi

gjirin e ngritur

Në majë gishtash ec

të mos zgjohem nga ëndrra

 

Edhe në rudina të shkelura

Edhe tek aromë e barit të kositur

Lulet që ta imitojnë buzëqeshjen kërkoj

 

Motet më marrin me vete si uji suvalat

Borë pleqërie m’i mbulon flokët

 

Valët imitojnë ritmet e zemrës

Dritat që lëvizin mbi to

Janë shikimet tua

Që më bëhen shpirt

 

Një ditë do të dalësh nga deti

Qoftë edhe si guacë

Ose unë do të futem

Në fund të fundit të detit

Të dashurisë për ty.

 

2.

DAL PREJ ËNDRRËS

 

Ndalem përpara një nekrologu

Shkruar me ngjyrën e gjelbër të shpresës

lexoj fjalët e hidhura aty gdhendur

 

Vështroj dritën e syve pishtar

buzëqeshjen mbi atë fytyrë të njomë

e përmes ngjyrash vizatoj dhe zërin

 

Tronditem kaq shumë nga kjo pamje

aq sa hap sytë e dal nga ëndrra

për të parë me sytë e ardhmërisë.

 

3.

GJYSHIT, BABËS E NANËS

 

Më kujtohet gjyshi

në odën e burrave

fjalën e shpirtit e shprehte

 

O burra

traditën duhet vazhduar

të mos harrohet

mallkimi i vendit tonë

 

Në derë të odës

porosia e gjenezës

pellazgo-ilire.

 

Babën tim mbaj mend

nga atje ku kthehej

me brenga ngarkuar

 

Mbi rrënjë të lisave pushonte

i jepnin prehje të vërtetë

ngazëllimi i buronte

posi Lumi i Vjosës

 

Nanën time mbaj mend

brumin kur ngjeshte

kuleçë a petulla

 

Sa herë që marr frymë

hyn në zemrën time

jeta vazhdon.

 

4.

BURRAVE TË QETË

 

Strehimore janë sytë e mi

Rrufetë që mbrojnë

 

Te Kodra e Dëshmorëve

Nga vdekja më liruan

 

Burrat e qetë

I kanë gozhduar sytë

Në ballin hi e zjarr

Rrëfejnë

Historinë pellazgo-ilire.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një person është raportuar i zhdukur në Gjakovë që nga…