Poezi nga Verjon Fasho
MURI
Përpiqem ta vështroj Botën nga dritarja,
Por, një mur i lartë, i gurtë ma ndal vështrimin.
Që të bëhem pjesë e jetës, se fort më lodhi ndarja,
Këtë mur unë do ta shemb, po, e kam guximin.
Dhe sapo i ngre grushtet e çeliktë përmbi të,
Muri më thotë: – Je i pashpirt, a je i marrë?
Vetë më ndërtove, jam yti, unë jam TI.
Ndaj mos më vrit kur s’mund të ma ndërtosh një varr.
UNË
Gjithë jetën e jetova në të tjera jetë,
Me të afërm, të largët, miq e armiq.
Aq sa jetën time s’e jetova vetë,
S’di ç’bëhet me të, jeton apo vdiq.
Një copëz e lashë tek nëna e babai,
Një pjesë tek ime shoqe, në vrull të dashurisë,
Një copëz si vëlla ma mori vëllai,
Një tjetër, me dëshirë, ia dhashë fëmijës.
– Merrua, më thotë vetja, me hir a me pahir.
Ndërto figurën tënde, sa ka ende shpresë.
– Jooo, s’e bëj dot, kështu e kam më mirë,
Njerëzve të zemrës s’dua t’u heq pjesë.