Poezi nga Xhevat Muqaku
NË AGIM NDJEVA…
…frymën tënde të ngrohtë
në gjoksin tim të ftohtë,
Gumëzhimë resh në vesh
dhe rrahje të zemrës,
Nyjat e barkun tim
që me puthje në ajër zgjidheshin.
Nuk mund t’i kisha të gjitha të gatuarat
në një sirtar të palosura.
Desha të të pyes:
Nëse mund të simulojmë
që në shpatullën e skulpturës sate
me gjuhën e lëkurës sime të shkruash
se çdo qelize të trupit tim i mungon ti
me grimasën dhe rimën e syve të tu?
Edhe përgjigjen e kam
pse më duhet të të bëj valë
e të të mbaj në gji.
PËR HATRIN TËND
U fryja reve në qiell
që në hijen time shfrynin.
Pikonte strehë e parajsës qërueshëm,
pastaj ankorohej dielli përmbi kulm
e rigë e bardhë s’ndalej dot.
Shkokëlova në kaltërsi
ndjenjat e ëmbla për ty
që një ditë më parë m’i numërove.
Serenatë me nota nostalgjie
që kaherë mësuar e kisha,
prej teje në oazë i dëgjova.