Poezi nga Xhevdet Bajraj

21 mars 2024 | 10:09

GRUAJA PLAKË DHE FOTOGRAFITË

Një grua plakë

ngadalë

sepse i dridhen duart

i dridhet zemra

i dridhet shpirti

i pret me gërshërë

e i nxjerr nga fotografitë

personazhet e dashura nga jeta e saj

i zien në tenxhere me orë të tëra

i nxjerr dhe i than

pastaj e merr dhe e lidh

gjarprin e ngordhur rreth kokës

për t’ia larguar dhimbjen

për të mos u çmendur

dhe shikon kah varrezat e qytetit

andej kah lind dielli

çdo ditë

me dhëmbë të prishur

pa fije turpi

si zakonisht

 

PARAMILITARI

 

Paramilitari pinte qumësht

nga gjiri i gruas që po e dhunonte

pak para se ta vriste

 

Një mizë e madhe sillej rreth kokës së saj

qielli së pari u rrëqeth pastaj u nxi

klithi

nisi të qajë me zë

 

Mbi tokë një lule

me fytyrë të bishës

filloi të buzëqeshë

 

Vdekja u rrit disa centimetra

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
NË AGIM NDJEVA...   ...frymën tënde të ngrohtë në gjoksin…